Kulturë

Instrumentisti i ri që ruan traditën në çifteli e fyell

Për Gent Hoxhën, veshja kombëtare është e preferuara e tij. Kështu ka qenë qëkur ishte fëmijë. Qysh nga mosha 5-vjeçare, kur Gent Hoxha filloi të luante në çifteli, rrallëherë e ka lëshuar atë nga dora. Ka ndikuar edhe atmosfera familjare, pasi që në shtëpinë e tij është luajtur gjithnjë me instrumentin e çiftelisë e janë dëgjuar këngë folklorike. Një fotografi e tij e shkrepur qëkur ishte fëmijë, ku mban instrumentin me dy tela, dëshmon lidhjen e tij të fortë me instrumentin. Por, Gentit s’i ka mjaftuar vetëm ky instrument tradicional. Më vonë do ta niste edhe eksplorimin e fyellit.

Sot loja në këto dy instrumente ia mundëson të krijojë gërshetime të veçanta muzikore, ndërsa së fundmi ka kompozuar edhe “Vallen instrumentale për çifteli dhe orkestër”, e cila është luajtur në Prishtinë e Gjakovë, në koncertin tradicional të ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve “Shota”, organizuar për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gent Hoxha, i cili tregon që dashura e tij për instrumentin nisi në rrethin e ngushtë familjar, shumë shpejt u bë instrumenti me te cilin, pos lojës, ruan edhe traditën.

“Kur kam lindur, çiftelia dhe muzika tradicionale kanë qenë pjesë e familjes sonë dhe më pas kam vazhduar të punoj me çifteli vetëm dhe duke marrë mësime edhe nga babai dhe axhallarët. Më pas kam vazhduar në ansamblin ‘Shotë Galica’ në Drenas dhe aty kam pasur sukseset e para në çifteli”, ka thënë Hoxha.

Dashuria për çiftelinë nisi në vendlindje, në Drenas, për ta vazhduar më pas lojën edhe nëpër qytete të tjera brenda e jashtë Kosovës. Nuk iu desh shumë kohë që ta dëshmojë talentin e tij.

“Jam dalluar për lojë të mirë dhe kam marrë pjesë në disa festivale që mbahen për ansamble amatore që janë mbajtur në Kosovë e Shqipëri, ku kam marrë çmime si instrumentist i dalluar. Prej çiftelisë vendosa ta zgjedh rrugën e muzikës, ku vendosa shkollën e mesme profesionale të muzikës ‘Prenk Jakova’, në pedagogjinë e përgjithshme muzikore”, ka thënë instrumentisti Hoxha.

Image

Një fotografi e Gent Hoxhës e shkrepur qëkur ishte fëmijë, ku mban instrumentin me dy tela, dëshmon lidhjen e tij të fortë me instrumentin


Instrumentisti i ri i instrumenteve tradicionale insiston se çiftelia e fyelli duhet të mësohen në aspektin më profesional në shkolla, e jo në mënyrë amatore.

“Në vendet e rajonit e bëjnë një gjë të tillë dhe të gjitha instrumentet që ndodhen në trojet tona duhet të mësohen në mënyrë profesionale, pasi që kështu instrumentisti zhvillohet më lehtë në aspektin profesional. Për shembull çiftelinë kur e shpjegon një profesionist, e shpjegon radhitjen e jo të mësohet në mënyrë amatore”, është shprehur tutje ai.

Përveçse është mësuar të luajë me këtë instrument nga familjarët e tij, ai tregon se shumë shpesh i ka ndodhur t’i dëgjojë këngët nëpërmjet ekranit dhe më pas t’i ekzekutojë ata tinguj në mënyrën e tij. Megjithatë, janë edhe disa instrumentistë të muzikës folklorike të cilët vazhdojnë ta inspirojnë gjatë rrugëtimit të tij, jo veç për lojën, por edhe për faktin që nuk e braktisën traditën as në rrethana shumë të vështira për vendin.

“Në Kosovë e kemi një instrumentist i cili ka merita të mëdha të promovimit të muzikës folklorike edhe në kushte jo shumtë të mira dhe ai është Fatmir Makolli. Ne kemi pasur edhe instrumentistë ikonikë, si Ndue Shyti që ka qenë nga Shqipëria, pastaj në Kosovë janë Burim Krasniqi, Afrim Lekaj e të tjerë”, ka thënë Hoxha.

Ai është pjesëtar i ansamblit “Shota” tash e pesë vjet, e tashmë ka sfiduar veten edhe në fushën e krijimit. Në një gërshetim mes fyellit e çiftelisë, në koncertin për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ai ka luajtur “Vallen instrumentale për çifteli dhe orkestër”. Në këtë vepër, që e ka luajtur së bashku me ansamblin e “Shotës” nën udhëheqjen e Fitim Bytyçit, ka bërë bashkë tinguj që përfaqësojnë treva të ndryshme të Kosovës.

“Kam menduar që edhe ansamblit i duhet një gërshetim i tingujve folklorikë prej çiftelisë dhe fyellit. Veprën e kam kompozuar fillimisht për çifteli, por duke e parë formacionin e orkestrës që e kemi, i kam treguar profesorit Ylber Asllanaj dhe ai e priti mirë dhe më tha ta përfundoj”, ka thënë Hoxha për veprën, që Asllanaj, njëherësh drejtor artistik i “Shotës”, e orkestroi për orkestër në ansambël.

Hoxha ka thënë me bindje se nuk e ka ndërmend të ndalet së mbajturi gjallë traditën me tinguj. Skena të festivaleve të ndryshme janë destinacioni i tij i radhës, ndërsa do të vazhdojë të eksperimentojë edhe në fushën e kompozimit.