Ndonëse është gjetur qysh në fund të vitit 2014, institucionet lokale e vendore ende bëhen tok për t’i diskutuar idetë se si të restaurohet e të prezantohet për publikun. Ndërkohë që krejt bashkë janë në fazë diskutimesh ideore, tek rikthejnë edhe tri idetë e para nja tre vjetësh, lokaliteti arkeologjik – ku kanë dalë struktura që besohet se i takojnë një objekti romak që mund të datojë nga shekujt III-IV – ka kohë që ka humbur jo pak vlera
Lokaliteti arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes” së Prizrenit prej vitesh ka mbetur pa ndërhyrje. Kjo vonesë ka pasur pasoja negative për të. Por, të premten, përfaqësues të institucioneve të nivelit qendror e lokal, bashkë me aktivistët e shoqërisë civile dhe profesionistët, kanë diskutuar rreth propozimeve ideore për ndërhyrje konservuese e restauruese, si dhe prezantuese në këtë lokalitet. Gjatë kësaj tryeze të rrumbullakët është theksuar se zbulimi i këtij monumenti arkeologjik bashkë me gjetjet sporadike të periudhës romake në qytet paraqesin një pasaportë shtesë për historinë që ka Prizreni.
Për këtë arsye është insistuar që prezantimi i tij të realizohet në mënyrë meritore. Sipas organizatorëve, ky takim është mbajtur pas një pauze trevjeçare të takimeve konsultative rreth këtij lokaliteti, për t’i marrë qëndrimet e palëve të ndryshme për hapjen e rrugës për hartimin e projektit detal.
Lokaliteti arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes” në Prizren është zbuluar në dhjetor të vitit 2014 dhe gjatë viteve 2015-2017 janë zhvilluar gërmimet arkeologjike dhe ndërhyrjet me karakter pastrimi. Sipas raporteve institucionale, bazuar në mbetjet arkitektonike-arkeologjike, supozohet se ato përbëjnë pjesë të objektit romak të viles rustica-e apo urbana-e. Aty shkruhet se mund të supozohet se objekti i përket një kompleksi më të madh, ndërtuar në shekujt III-IV, pjesët e të cilit janë në mbetjet e fragmentuara të zbuluara në oborrin e Xhamisë Arasta. Prej se u zbulua ka mbetur gropë, rrethuar me dërrasa, ndërkohë që rikthehen idetë e para tre vjetësh.
Gjatë tryezës është thënë se në vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë aktivitet në këtë lokalitet, gjë që ka sjellë edhe deri te dëmtimi i gjetjeve arkeologjike.
“Arsyeja e takimit të sotëm është që të diskutojmë në lidhje me hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren në këtë lokalitet. Në lidhje me këta hapa i kemi tri propozime që janë zhvilluar gjatë viteve, të cilat sot i pamë të udhës t’i diskutojmë, se cilat janë aspektet pozitive të propozimeve, ku ndoshta një ose kombinimi i tre propozimeve bashkërisht të jetë zgjidhja e duhur për lokalitetin arkeologjik”, ka thënë Nora Arapi-Krasniqi, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ndërsa Samir Hoxha nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka thënë se me gjetjen e këtij lokaliteti arkeologjik ka ekzistuar mendimi se po bëhet historia në Prizren. Por, sipas tij, kjo u kthye në fatkeqësi. “Sepse nuk pati reagimin e duhur për vite të tëra. Tash është një moment i mirë që kjo problematikë e ka marrë vëmendjen e duhur prej niveleve të institucioneve tona... Sigurisht që tash e tutje kjo gjetje arkeologjike do ta ketë vëmendjen e shtuar, por edhe trajtimin e duhur profesional, pse jo edhe historik. Ne konsiderojmë që është një pjesë e historisë sonë, e cila fshihet në ato gërmadha”, ka deklaruar Hoxha.
Beni Kizolli nga Komuna e Prizrenit ka thënë se organet komunale janë të interesuara për finalizimin e këtij projekti.
“Vullneti ynë është pak më i madh në këtë drejtim, që sa më shpejt të arrijmë të organizojmë dhe t’i japim një status hapësirës apo gropës së ashtuquajtur, në mënyrë që të jetë në shërbim të komunitetit dhe të kryejmë një obligim ligjor dhe moral ndaj gjetjes arkeologjike”, është shprehur Kizolli.
Shafi Gashi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës ka paraqitur vështirësitë me të cilat është përballur lidhur me lokalitetin arkeologjik, të cilat, sipas tij, janë të numërta.
“Më vjen keq nga monumenti, sepse ka pësuar. Por, ja që nganjëherë ndodhin edhe këto fenomene. Këto fenomene më së shumti kanë ndodhur si pasojë e shfuqizimit të rregulloreve mbi punët e terrenit, mbi procesin arkeologjik, mbi procesin e gjithë trashëgimisë kulturore. Në njëfarë forme që nga viti 2018 jemi pothuajse pa një bazë të mirëfilltë ligjore dhe kjo bazë e ka atakuar edhe këtë monument, por edhe monumentet e tjera ”, ka thënë Gashi, teksa në vazhdim ka paraqitur edhe tri versione të ndërhyrjeve të mundshme në lokalitet, për ta bërë të qasshëm për publikun dhe vizitorët e huaj të Prizrenit. Ka qenë pikërisht ai që u kishte prirë gërmimeve në këtë lokalitet.
Sazan Cukaj nga Komuna e Prizrenit dhe Veron Tara nga UBT kanë paraqitur propozimet për ndërhyrjet e mundshme në këtë monument arkeologjik, me qëllim të prezantimit të tij për vizitorët, për të cilat janë dhënë vërejtje nga pjesëmarrësit e ndryshëm të tryezës.
Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, ka uruar që të gjitha projektet ideore të prodhojnë një orientim të përbashkët për përmbylljen e projektit.
Ndërkohë, Valon Xhabali nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, duke shprehur shqetësimin për gjendjen e lokalitetit që prej zbulimit e deri më tash, ka kërkuar që gjatë hartimit të projektit të merren parasysh parimet e gjithëpërfshirjes, në mënyrë që intervenimet të jenë adekuate dhe të qëndrueshme.
Në anën tjetër, Nora Arapi Krasniqi nga MKRS-ja ka bërë të ditur se procesi i prezantimit të lokalitetit arkeologjik do të jetë paralel me hapat për pastrim, konservim dhe restaurim të gjetjeve arkeologjike.
Sipas saj, para finalizimit të projektit do të ketë edhe një prezantim publik për t’i marrë sugjerimet e qytetarëve.
Instituti Arkeologjik i Kosovës vazhdimisht kishte përmendur tri propozimet që i ka dhënë për dukjen e hapësirës. Më 2019, pas dëgjimeve publike, i kishin rekomanduar Këshillit të Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit që të miratohej njëri nga propozimet. Kurse nga Komuna kishin kërkuar mbështetje financiare e leje pune. Prej asaj kohe, pavarësisht një takimi ndërinstitucional në pranverën e vjetshme, nuk është bërë asnjë hap për zgjidhje praktike.
Në shkurt të vitit 2020, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit kishte kërkuar nga organet qendrore dhe ato komunale mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes”, me ndërmarrjen e masave adekuate drejt konservimit dhe prezantimit të tij. Sipas këtij këshilli, mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate. Këtë e kishin bërë përmes një shkrese.
Aty theksohet se në vitin 2018, IAK-u i kishte parashtruar KTK-së kërkesë për pëlqim për konservimin dhe prezantimin e lokalitetit.
“Kërkesa përfshinte tri propozime të planifikuara të punimeve, pa detaje të hollësishme, prandaj anëtarët e Këshillit konsideruan se këto janë propozime preliminare dhe projekti duhet të kompletohet. KTK-ja prej asaj kohe asnjëherë më nuk ka pranuar ndonjë projekt të kompletuar”, shkruhet në shkresën e nënshkruar nga kryesuesja e KTK-së në Prizren, Artnet Haskuka. Më tej theksohet se zvarritja disavjeçare lidhur me këtë projekt ka bërë që si rezultat i temperaturave të larta në verë dhe të ulëta në dimër mbetjet arkeologjike të shkatërrohen deri në masë të mosnjohjes.
“Efektet negative atmosferike, veçanërisht dielli i fortë, kanë rezultuar me tharje dhe plasaritje të tullave, llaçit gëlqeror dhe higroskopik (horasan), që kanë qenë lidhës të muratimit dhe tanimë janë jofunksionale. Lagështia e mbledhur në pjesën e themeleve ka ndikuar në formimin e mykut dhe kripërave, që kanë shpejtuar shkatërrimin e objektit. E gjithë kjo situatë gjatë viteve është shoqëruar me rritjen e pakontrolluar të vegjetacionit, që më tej dekompozon mbetjet e llaçit dhe shtresave të lokalitetit”, shkruhej në shkresë.