Teatri Kombëtar i Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Galeria Kombëtare e Kosovës kanë gati dy vjet pa udhëheqës në pozitat kryesore. Muajin e kaluar atyre u është bashkuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës. Përderisa Ministria e Kulturës të martën nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje, pjesëtarë të skenës kulturore e konsiderojnë si neglizhencë e zvarritje duke mbajtur pezull institucionet kryesore të kulturës në vend
Ka më shumë se një vit e gjysmë prejse Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka drejtor të përgjithshëm. Kanë kaluar dy vjet kur ky institucion nuk ka as udhëheqës artistik. Në raport me drejtuesit punët hiç më mirë nuk i kanë as Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Galeria Kombëtare e Kosovës.
Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti Ministria e Kulturës ka pasur tentime për t’i zgjedhur personat që mund të drejtojnë institucionet qendrore të kulturës. Me akuza për ndikim politik e aso për shkelje ligjore, tentimet kanë përfunduar pa rezultate konkrete.
Përderisa Ministria e Kulturës nuk ka ndonjë përgjigje se kur mund të hapen konkurse për këto pozita, për shumëkënd kjo gjendje është krejt e paarsyeshme.
Në janar të vitit 2020, ish-drejtori i TKK-së, regjisori Agim Sopi, ishte pensionuar. Ushtruesi aktual i detyrës së drejtorit, Naser Shatrolli, qe zgjedhur drejtor në fillim të këtij viti. Por fiks në ditën që ka bërë dy muaj si i zgjedhur drejtor, më 11 maj Ministria e Kulturës kishte vendosur që Naser Shatrolli ta lërë këtë pozitë. E kishte anuluar konkursin, nëpërmjet të cilit Shatrolli ishte vënë në krye të udhëheqjes ekzekutive të institucionit më të lartë teatror në vend. Ky vendim i MKRS-së kishte ardhur pesë ditë pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte shkarkuar ish-përbërjen e Këshillit Drejtues të TKK-së, për të emëruar shtatë anëtarë të rinj, përfshirë edhe bashkëpartiakë.
Në qershor të vitit 2019, Teatri Kombëtar i Kosovës kishte mbetur pa udhëheqës artistik pasi i kishte skaduar mandati katërvjeçar regjisorit Agon Myftaraj. Në vend të tij ishte zgjedhur regjisori Fatos Berisha. I njëjti pa e pranuar detyrën fare e kishte refuzuar këtë pozitë në tetor të atij viti. Në dhjetor të vitit të kaluar MKRS-ja kishte hapur një konkurs për këtë pozitë. Por emërimin e kishte bërë në bazë të legjislacionit të vjetër pasi kishte bërë shpallje publike për “drejtor artistik”. Pas reagimeve, MKRS-ja e kishte anuluar konkursin. Në fillim të marsit ishte hapur një tjetër konkurs. Kësaj radhe titulli ishte shkruar në bazë të Ligjit për teatro që është në fuqi prej vitit 2012, “udhëheqës artistik”. Por pos hapjes së konkursit nuk është zhvilluar asnjë procedurë tjetër.
Ish-drejtori i përgjithshëm i TKK-së, dramaturgu Arian Krasniqi, ka thënë se nuk ka asnjë arsyetim për kohëzgjatjen e mëtejme të kësaj gjendjeje.
“Qeveria aktuale, me fuqinë numerike që ka në Parlament, mund të ndërrojë e amendamentojë çfarëdo ligji e lëre më një Ministri Kulture që parapëlqen të mbajë në gjendje pezull institucionet qendrore kulturore, pa drejtues”, ka thënë ai.
Sipas tij, çdo vonesë vetëm sa e zgjat dhe shton mungesën e angazhimit për drejtimin dhe menaxhimin e këtyre institucioneve.
“Është më se urgjente që të plotësohen me drejtorë fuqiplotë të gjitha institucionet kulturore në vendin tonë. Të zgjidhen njerëz meritorë e profesionistë”, ka thënë ai. Sipas Krasniqit, vonesat janë të paarsyeshme. “Edhe nëse arsyetohen me idenë e bërjes së ligjit të ri për kulturën, këtë tashmë do të duhej ta kishin bërë, sepse nuk kanë asnjë pengesë. Thjesht neglizhencë. Ka ndërruar borde, edhe qe 5 muaj nuk kanë zgjedhur drejtorë. Po flas për qeverinë e re prej që e kanë marrë detyrën. Pra është avaz i qeverive paraprake. Mentalitet i njëjtë”, ka thënë Krasniqi.
Në dhjetor të vitit 2018 ishte pensionuar ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, i ndjeri Ahmet Brahimaj. Në verën e atij viti ishte zgjedhur drejtor solisti Sinan Kajtazi. Më pas Agjencia Kundër Korrupsionit kishte konstatuar se Kajtazi nuk mund ta mbante këtë pozitë pasi nuk kishin kaluar dy vjet prej që ai kishte qenë pjesë e Këshillit Drejtues të Baletit.
Prej atëherë për këtë pozitë konkursi ishte hapur në dhjetor të vitit të kaluar. Kishte dështuar pasi nuk kishin aplikuar tre veta që i plotësonin kushtet ligjore. Ushtrues detyre i drejtorit vazhdon të jetë balerini Kreshnik Musolli.
Sipas tij, do të ishte mirë për institucionin nëse drejtori zgjidhet sa më parë, pasi tash e një kohë të gjatë funksionojnë me ushtrues detyre.
“Baletin Kombëtar të Kosovës e presin shume punë. Por janë edhe problemet e shumta që duhen zgjidhur sa më shpejt në mënyrë që fokusi i institucionit të jetë në anën artistike e krijuese e jo me mungesën e kushteve esenciale për zhvillimin e veprimtarisë dhe aktiviteteve”, ka thënë ai.
Në dhjetor të vitit të kaluar MKRS-ja kishte tentuar që nëpërmjet një konkursi ta bëjë me drejtues edhe Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Një muaj më vonë konkursi ishte anuluar. Pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synonin ish-drejtoresha Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu.
Pas verifikimit të aplikacioneve, Divizioni i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Kulturës kishte ardhur në përfundim se Vlora Hajrullahu nuk i plotësonte kushtet.
Për këtë pozitë kërkohej që kandidatët të ishin profesionistë të fushës që mbulon institucioni. Duhej të kishin nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Për Galeri kërkohen katër vjet përvojë pune në udhëheqje. Ky institucion është pa drejtor qysh prej gushtit të vitit të kaluar, kur Agani e ka përfunduar mandatin katërvjeçar.
Prej gushtit të këtij viti në radhë me këto institucione ka hyrë edhe Qendra Kinematografike e Kosovës. Komisioni Disiplinor i krijuar në kuadër të Qendrës Kinematografike të Kosovës më 18 gusht ka shkarkuar nga pozita drejtorin e këtij institucioni, Arben Zharku. Ky vendim erdhi një muaj pasi ai ishte pezulluar nga detyra. Vendimi pasoi raportin e Këshillit Drejtues të QKK-së, i cili i është dorëzuar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Këshilli kishte kërkuar po ashtu shkarkimin e drejtorit Zharku, i cili ishte riemëruar në mandatin e dytë si drejtor i QKK-së në shkurt të vitit 2018. Shkarkimi është bërë me arsyetimin se Zharku si drejtor e ka futur QKK-në në borxhe pa mundësi për t’i paguar ato dhe po ashtu edhe për financim të projekteve filmike përtej normave ligjore. Për krejt këto mungesa në pozita kyç të institucioneve qendrore të kulturës të martën nuk është përgjigjur kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, e as zyra e sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së.