Kulturë

Instalacioni për hapësira publike të Prishtinës nxit interesim në Venecie

“Ata që vizituan seksionin e ‘Co-Habitats’ ishin të interesuar për instilacionin tonë dhe të intriguar për të ditur më shumë për Prishtinën”, ka thënë arkitekti Bekim Ramku, i cili ishte i pranishëm në Venecie në hapje të Bienales. Dokumentari : “Prishtina public archipelago” nis me pamje të kryeqytetit duke u fokusuar tek objektet e përzgjedhura, midis të cilave Hoteli “Grand”, “Rilindja”, “Boro-Ramizi”, “Kino Armata” e objekti i ish-Shtëpisë së mallrave “Gërmia”.

Prishtina del të jetë në mesin e vendeve që tenton që përmes objekteve të mbajë afër qytetarët. Kjo vihet në pah në instilacionin “Prishtina public archipelago” që po tërheq vëmendjen e vizitorëve në Bienalen e Arkitekturës në Venecie. E gjitha po bëhet përmes një dokumentari 25-minutësh që po shpalos rrëfime për disa nga hapësirat më identifikuese të kryeqytetit në programin “Co-Habitats”, brenda të cilit tregohet se si arkitektura përdoret për të bashkëvepruar me qytetarët.

Projekti është përzgjedhur nga kuratori i Bienales së Arkitekturës në Venecia, Hashim Sarkis, në kuadër të programit ku në forma të ndryshme flitet për nga aspekti arkitektural edhe për qytetin Bejrut, qytetin San Paulo, qytetin Addis Ababa, kampin “Al Azraq” në Jordani, Indinë, Nigerinë/ Egjiptin/ Meksikën, Prishtinën, Hong-Kongun, Venecian, New Yorkun dhe Rio de Janeiron.

"Prishtina Public Archipelago" (Arkipelagu Publik i Prishtinës) është titulli i projektit që shpaloset nga Fondacioni kosovar për Arkitekturë, i punuar nga dyshja e arkitektëve, Bekim Ramku e Nol Binakaj.

Dokumentari nis me pamje të kryeqytetit duke u fokusuar tek objektet e përzgjedhura: sheshi Bashkim-Vllaznimi, Hoteli “Grand”, “Rilindja”, “Boro-Ramizi”, “Kino Armata” e objekti i ish-Shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Është pikërisht arkitekti Bekim Ramku ai që tregon detaje për sheshin Bashkim-Vllaznim që realisht në fillim e ka pasur emrin “sheshi i çlirimit” ose “trgoslobodenja”.

“Është projektuar në fund të viteve ’50, është ndërtuar në të ’60. Obilisku ishte simbol dhe embleme e qytetit të Prishtinës por edhe e Radio Televizionit të Prishtinës. Nëpër shkolla të arkitekturës në vend na e tregojnë një stori e romantike që sheshi është ndërtuar mbi bazën e pazarit të Prishtinës dhe na e tregojnë atë anën romantike që ka qenë i bukur dhe i madh”, ka thënë ai në dokumentar. Aty tregon edhe për iniciativat e pasluftës për të rrëzuar të njëjtin, por që sipas tij, fatmirësisht nuk janë realizuar. E aty dokumentari kalon te “Kino Armata”. Është Alush Gashi që sjell rrëfimin si për më shumë se 30 vjet kjo hapësirë ishte e paqasshme për qytetarët e vendit.

“Të gjitha ngjarjet që ndodhin këtu janë të hapura për publikun. Pra nuk mundet një organizatë apo individ me e huazu hapësirën për diçka ku publiku i gjerë nuk ka qasje”, thotë Gashi. Tregon se për këtë ka dy arsye: ‘Kino Armata’ duhet të mbetet 100 për qind hapësirë publike dhe që gjithçka që organizohet në këtë hapësirë të jetë e hapur për debat. Dokumentarin më pas kalon të “Rilindja”.

Aty, Urban Badivuku dhe Arbnor Dragaj nga “Hapësira” tregojnë se si mundohen që të ruajnë pajisjet e shtypshkronjës me nam duke shfrytëzuar njëkohësisht hapësirën e saj për të sjellë performanca nga artistë të ndryshëm.

“Po shpresojmë në të ardhmen me e shndërru në një qendër kulturore, përkatësisht edhe në një arkiv muzeore të ‘Rilindjes’ ku kanë me u vendosë dhe me u mbrojtë, por edhe me u rikujtu historia e ‘Rilindjes’ nëse jo edhe me u rikthy në veprimtarinë parësore që e ka pasë në shërbimin për komunitetin edhe për qytetarët e Kosovës”, thotë Dragaj. E kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është ai që shpalos të kaluarën e “Boro-Ramizi” dhe planet për t’ia kthyer shkëlqimin kësaj hapësire. E namin e dikurshëm nuk e ka as “Hotel Grandi”, që gjatë ’99 u përdor nga forcat policore serbe si bazë ushtarake dhe hapësirë për torturim dhe dhunim.

“’Grandi’ në vete mbërthen të gjitha që nga hoteli gjysmë-funksional, restorante, baret, dyqanet, zyrat, klubet e natës, fitnes-palestra, kafja e ‘Mezzanines’ që menaxhohet e vizitohet nga ish-punëtorët e ‘Grandit’ e deri të xhamia e improvizuar që gjendet mbrapa recepcionit të hotelit”, thuhet në narracionin e dokumentarit që sjell detaje edhe për ekspozitën “Bëhu fytyra im” të artistes Eliza Hoxha në bashkëpunim me festivalin “FemArt”.

Hoxha në të dokumentar flet për ekspozitën e saj të hapur në “Hotelin Grand” në vitin 2019. Po ashtu, ajo tregon se “Hotel Grand-it” mund t’i kthehet dinjiteti nëse ka një vizion të qartë për të dhe për qytetin.

“Ka mundësi që ky objekt të ringjallet. Të ringjallet ideja për të, të kthehet në një feniks, e mund të jetë edhe një dritë e mirë edhe për qytetin që të kuptohet se urbaniteti fillon dhe jeton aty ku e reja dhe e vjetra bashkëjetojnë, komunikojnë, ballafaqohen njëra me tjetrën, përplasen ndoshta njëra me tjetrën, por edhe mishërohen për me kriju rrëfime të reja për vendin edhe për qytetin”, ka thënë Hoxha.

E arkitekti Bekim Ramku, i cili ishte i pranishëm në Venecia në hapje të Bienales, ka thënë se ata që vizituan seksionin e “Co-Habitats” ishin të interesuar për instilacionin e tyre dhe të intriguar për të ditur më shumë për Prishtinë.

“Për të ditur përtej instalimit (dokumentarit) të shfaqur aty. Njëjtë ndodhi edhe me gazetarët që ishin të pranishëm, posaçërisht me ata nga regjioni ynë. Me siguri fakti që për herë të parë dikush nga regjioni jone është pjesë e ekspozitës së arkitekteve të ftuar nga kuratori i Bienales ka luajtur rol”, ka thënë ai. Sipas Ramkut, atyre u ka lënë përshtypje fakti se janë nga Kosova dhe se problemet e Prishtinës trajtohen në një seksion së bashku me qytetet sikurse New Yorku, San Paolo, Hong Kongu, Bejruti, dhe të gjitha këto studime janë realizuar nga hulumtues të shkollave sikurse “MIT”, “Harvard GSD”, “Cooper Union”, etj.

Edicioni i sivjetmë i Bienales së Arkitekturës në Venecie nisi më 22 maj dhe do të zgjasë deri më 21 nëntor të këtij viti. Kosova sivjet po merr pjesë për herë të katërt në Bienalen e Arkitekturës në Venecie. “Containporary” e Maksut Vezgjishit është vepër me të cilën po përfaqësohet Kosova.

Në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venecia 2018, kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artistja Eliza Hoxha, me temën “Qyteti është gjithandej”. Më 2016, sherri i Ministrisë së Kulturës, Kosova s’u përfaqësua. Debutimin e vendit në këtë ngjarje e bëri arkitekti Përparim Rama më 2012, me veprën “Punuesi i filigranit”. Për komisar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. E më 2014, Gëzim Paçarizi e kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria – Modernizmi i imponuar).