Përmes ilustrimeve, ai sjell rrëfime që kanë të bëjnë me jetën moderne dhe shtrojnë pyetjen nëse kjo jetë moderne po shkon drejt fundit të botës.
Një koleksion me histori të tilla është përmbledhur në romanin grafik të Tom Kaczynski që tashmë është botuar edhe në gjuhën shqipe, transmeton emisioni Express në KTV.
Botimi në shqip i romanit grafik, i përkthyer nga Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore”, u promovua në kuadër të edicionit të parë të festivalit “GRAN Fest”.
Në një bashkëbisedim me përkthyesin, në qendrën “Multimedia”, autori polak i romaneve grafike tha se “Beta Testim i Apokalipsit” flet për ekonomitë kulte, bllokimet metafizike të trafikut dhe zombit marksistë të planetit Mars.
“Gjithnjë është emocionuese të shohësh punën tënde në një hapësirë të një gjuhë tjetër, vetëm se ajo pastaj shndërrohet në gjë të pazakontë dhe të çuditshme. Duket pak si e huaj, pothuajse sikur të mos jetë vetë puna ime, por në një mënyrë të mirë”, u shpreh Kaczynski.
Ilustrimet në këtë vepër u tha se janë trajektore komplekse që trajtojnë shoqëritë sekrete arkitekturale.
“Duke qenë përkthyes i librit, në të vërtetë kisha mundësi ta lexoja atë ndër të parët midis njerëzve këtu dhe çfarë më tërhoqi janë temat. Është një koleksion tregimesh, disa janë më të shkurtra, disa janë më të gjata dhe të gjitha kanë të bëjnë me një lloj jete moderne dhe pyesin nëse kjo jetë moderne po shkon drejt fundit të botës”, tha Bajrami.
“Beta testim i apokalipsit”, në anglisht ishte botuar në vitin 2012.