Kulturë

“Idile të rëndomta të jetës moderne” në lojë me kontrastet e përditshmërisë

Duket si paradoksale – zdritja në errësirë – por kësisoj bën ekspozita e Jeton Gusisë “Idile të rëndomta të jetës moderne”. Ambienti është i errët, vetëm pikturat ndriçohen, e nëpërmjet tyre zdritet partishmëria. Por edhe idilet e jetës moderne Gusia i zhvendos në antagonizma. Përditshmërinë e godet me kontraste, dhe kaosi në pikturën e tij duket i hijshëm

Një përkthyes, një noter, një avokat, një kompani sigurimesh, ca rroba të vëna në tel për t’u tharë, një njeri në ballkon, një tjetër në dritare e një të cilit i duken vetëm sytë, janë ato që vizitori arrin t’i shohë në një pikturë ku dominon banesa me fasadë të kuqe. E tërë kjo tollovi, e përkthyer në pikturë, në të vërtetë nuk është asgjë pos pasqyrim i përditshmërisë prishtinase dhe i banesave të stërngarkuara nga afishet dhe reklamat e shumta të kompanive, e cila ka zënë syrin e piktorit Jeton Gusia.

E ndërtuar në formë mozaiku është piktura e një vajze e cila në prehër mban një mace. Vajza është ulur në shtrat, ndërsa në njërin krah mbështet për jastëk. Në anën e sipërme ka të veshur një xhemper me elementet tradicionale ku dominojnë figurat e zakonshme në qilima, në pjesën e poshtme ka të veshur një fustan, i cili dominohet nga ngjyra e kaltër dhe nga nuancat e tjera të saj. Në tërësi piktura karakterizohet nga dominimi i së kuqes, e cila domosdoshmërish tërheq nga tradicionalja. Edhe mbulesa e cila e mbështjell shtratin u ngjan atyre mbulesave tradicionale odash të moçme apo në muze.

Në një pikturë të tretë shfaqen pesë burra të cilët mbajnë në kokë nga një kapuç të verdhë mbrojtës. Janë duke punuar në ndërtimin e një banese. Njëri prej tyre hedh çimento në makinerinë për përpunimin e çimentos, tjetri afër tij mban në dorë një karrocë për bartjen e materialit. I treti shihet hipur mbi shkallë teksa lyen muret, ndërsa dy të tjerë bartin ca dërrasa. E gjithë kjo skenë është portretizuar në pikturë në të cilën gjithashtu dominon ngjyra e kuqe dhe një sërë nuancash të së kuqes.

Njerëz që lahen në pishinë, një koncert operistik, të tjerë që punojnë mure shtëpish, qen në rrugë, qen te dera e shtëpisë, të moshuar që luajnë me shah, gra që ua lajnë këmbët burrave, burra që gërryejnë tokën, janë disa nga temat e motivet e tjera që vizitorët do të mund t’i gjejnë si “Idile të rëndomta të jetës moderne”. Ky është titulli i ekspozitës së hapur të martën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Të tridhjetë e pesë pikturat në frymën e artit naiv janë të punuara me teknikën vaj në pëlhurë. Ato shfaqin skena nga jeta urbane, por herë-herë edhe nga ajo rurale. Përveç skenave të caktuara, ekspozita ofron edhe portrete njerëzish të zakonshëm, që në sfond kanë shenjat e traditës. Në disa raste ekspozita ka edhe efektin e zhvendosjes në të kaluarën, e cila ngjallet nëpërmjet motiveve kombëtare.

Image
Pikturat nuk kanë tituj. Ato mund t’i pagëzojë vizitori

E futur në mes të njerëzve të shumtë të cilët kishin ardhur për ta parë ekspozitën, kuratorja Blerta Hoçia ka bërë të ditur se titulli i ekspozitës është rezultat i motiveve dhe temave me të cilat janë punuar pikturat.

“Qëllimisht i kemi quajtur kështu, sepse edhe vetë pikturat ta rikujtojnë një lloj idile, sepse ndoshta jo të gjitha skenat e pikturuara janë idilike, domethënë që të ngjallin atë mallëngjimin apo atë ëndërrimin e jetës së përditshme të peizazheve urbane, të vendeve të kënaqësisë ose për shembull pikturat ku janë të prezantuara kafshët. Pra, çdo gjë që e përbën të jetuarit në tërësinë e vet”, ka thënë Hoçia.

Salla e galerisë nuk ka ndriçim, pos dritave që fokusin e kanë te pikturat. Dhe ka një arsye për këtë.

“Ekspozita nis me një pikturë ku mund t’i shihni një ekskavator dhe një shtëpi në sfond. Në mënyrë figurative kam dashur që kjo pikturë të jetë e para e cila në mënyrë simbolike e gërryen këtë hapësirë të errët. Hapësira e errët nënkupton pavetëdijen jo vetëm të artisti, por ndoshta një vetëdije kolektive nga e cila dalin të gjitha këto imazhe që i shihni të pikturuara edhe si idile, por edhe si arketipa”, ka bërë të ditur Hoçia teksa ka shtuar se duke qenë se veprat janë të ndriçuara ato u ngjajnë gurëve të çmuar që i gjejmë në tunele minierash.

Kur ka folur për bashkëpunimin me Gusinë, ajo ka vënë theksin edhe te fakti se kurimi i veprave ishte bërë në atë formë që të viheshin në pah teknika dhe mënyra si janë punuar ato.

“Ajo që ne donim ishte që piktura të kishte rëndësinë që meriton. Sepse piktura si medium ndoshta është mjaft e vjetër por krijon emocion sa herë që e sheh. Edhe vetë piktori me fjalët e tij e ka pasur të rëndësishme të theksojë mënyrën se si ai pikturon. Mënyrën se si është kuruar është munduar të imitojë pikturat. Jetoni e ka pasur shumë të rëndësishme të theksojë se ai nuk e ndreq pikturën, por e prish atë, e gërryen”, ka shpjeguar Hoçia.

Kryetari i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, Kamuran Goranci, është shprehur i befasuar nga bukuria dhe vlera e çmuar e pikturave të Gusisë.

“Kjo është hera e parë që i shoh punimet e Jetonit, edhe pse është me stil thuaja më të vjetër është shumë i freskët dhe shumë përmbajtjesor që mua më pëlqen shumë dhe më ka befasuar me punimet e tij që u përkasin edhe veprave bashkëkohore, ndoshta edhe të piktorëve më eminentë kudo që janë”, ka thënë Goranci.

Në rolin e njohësit të artit të pikturës, Goranci ka theksuar se veprat e Gusisë i përkasin artit bashkëkohor.

“Këtu i shohim ngjyrat e ndezura që i kanë përdorë edhe piktorët tanë të mëhershëm, mirëpo ka një prurje shumë të re, shumë bashkëkohore, një gjuhë, një shprehje shumë të lehtë e cila ka përmbajtje të zakoneve tona. Për mua është shumë i mirë”, ka thënë ai.

Image
E ndërtuar në formë mozaiku është piktura e një vajze e cila në prehër mban një mace

Duke e vlerësuar lart artin që krijon Jeton Gusia, skulptori Skënder Boshtrakaj ka thënë se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që Galeria Kombëtare ka hapur ekspozitën e një artisti siç është ai.

“E para, u gëzova shumë që Jeton Gusia vjen në Galerinë Kombëtare. Është një artist modern i cili për pak të mbetet në margjina. Kjo s’do të ishte e drejtë. Një artist urban fort i mirë i Prishtinës mos me e njohtë Prishtina dhe mos me e njohtë për së afërmi. Është artist me vlera, serioz në punën që bën. E njeh mirë edhe pikturën tradicionale, por temat e tij janë shumë moderne e në anën tjetër janë shumë universale. Prekin jetën e përditshme, por jo domosdoshmërish atë që ne e takojmë çdo ditë”, ka vlerësuar Boshtrakaj teksa ka shtuar se po të mos ia dinim emrin dhe po të mos e njihnim vetë Gusinë, veprat e tij shumë lehtë do të mund t’i përzienim me ato të ndonjë artisti të madh evropian.

Ndërkaq zëvendësdrejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani- Berisha, ka bërë të ditur se kjo është ekspozita e parafundit e Galerisë Kombëtare për këtë vit, teksa ka vlerësuar lart punën e Gusisë.

“Jetoni është një artist i jashtëzakonshëm dhe mjaft i veçantë në punën e tij. Gjithashtu edhe Blerta, e cila me kurimin e saj e ka bërë ekspozitën edhe më të pasur”, ka thënë Gojani-Berisha.

Ekspozita “Idile të rëndomta të jetës moderne” do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 30 nëntor të këtij viti.