Performanca e Lilach Dekel-Avneri krijon një lloj raporti intim me publikun. E bën pjesë të saj, ia ofron mundësinë ta shohë se si lind ajo. E tillë ka qenë edhe “History now”. Ka bërë bashkë rrëfimet e aktorëve tek të cilët secili në publik e gjen veten. Në fakt aty është inskenuar Kosova, ashtu siç është: me traditë e sot e izoluar, pa liberalizim vizash. “Ne i dhamë shfaqjes titullin ‘History now’ (Historia sot), por në të vërtetë ishte ‘Translating Kosovo’”, ka thënë Dekel-Avneri dhe ka një shpjegim për këtë
Regjisores izraelite, e cila jeton në Berlin, Lilach Dekel-Avneri, nuk i janë dashur më shumë se dy javë që t’i japë formë performancës “History now”. Dallon prej krejt shfaqjeve klasike, thyen klishe. Nuk është vetëm aktrim. Aty ka improvizim e në disa pjesë është edhe publiku që bëhet pjesë e shfaqjes. Gati si në shesh xhirimi, e tërë shfaqja regjistrohet pa ndërprerë nga kamera. Duket sikur merr formë aty për aty.
Loja nis qysh në hyrje të sallës, aty ku aktorja Hajat Toçilla ka dalë ta mirëpresë gjithsecilin. Me të ka qenë edhe aktori Ermal Sadiku me një tablet dhe incizon gjithsecilin që hyn në sallë. Në pjesën e sipërme të sallës është vendosur ekrani ku shfaqet çdo gjë që regjistrohet prej tabletit.
Shfaqja nis me fjalimin e Toçillës, e cila flet për besën dhe traditën shqiptare të mikpritjes. Gjatë tërë kohës fjalimi i saj përcillet me kamerë. I drejtohet publikut, të cilin e pyet nëse e njohin një shtet i cili nuk është pranuar ende në BE. Paralelisht me këtë skenë, katër aktorët e tjerë bëjnë lëvizje të pasinkronizuara, të cilat mund të përkthehen si simbol i tollovisë dhe gjendjes kaotike në të cilën gjendet Kosova.
Në fjalimin e saj Toçilla përmend edhe periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe fakte se si shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova kishin strehuar disa qindra çifutë. Pas kësaj vëmendjen e marrin aktorët Fatlume Bunajku dhe Blind Sylejamni me dy flamuj: njëri atë të Kosovës e tjetri atë të Shqipërisë. Dyshja kacafytet për flamuri kuqezi. I mbetur me flamurin e Kosovës, aktori Blind Sylejmani thotë se hartën e Kosovës nuk mund ta hanin më shumë.
Në një orë sa zgjat shfaqja, skenat ndërrohen vazhdimisht. Ndodh që tjetra të nisë pa përfunduar ajo paraprake. Ka momente ku dy a tri skena zhvillohen njëkohësisht.
Krejt kjo publikun e çon te problemi kryesor: mosliberalizimi i vizave për Kosovën. Gjashtë aktorët rrinë ulur në karrige teksa secili njëherësh tregon historinë e tij dhe problemet që i shkakton mungesa e vizave. Aktorët flasin përnjëherësh dhe publiku shpesh nuk arrin ta dëgjojë asnjërin.
Për ta krijuar këtë shfaqje Lilach Dekel-Avneri ka përdorur materiale të gatshme tekstuale, historike, të cila i ka kombinuara me rrëfimet e aktorëve Blind Sylejmani, Ermal Sadiku, Hajat Toçilla, Fatlume Bunjaku, Qëndresa Jashari dhe Verona Koxha.
Punëtoria, e cila solli shfaqjen “History now”, u bazua në teknikën unike të Dekel-Avneri, regjisore dhe drejtoreshë e grupit të performancës “Pathos Mathos”, e cila gjatë vitit 2020 kulmoi me veprën ‘The Eichmann Project’.
Në “Eichmann Project – Terminal 1”, Dekel-Avneri përdor gjuhën kinematografike për të komunikuar punën e saj si regjisore teatri. Nëpërmjet kamerës ajo vendos një lidhje të re midis interpretuesve dhe spektatorëve duke krijuar kështu një formë të re të artit të teatrit, një miksim të këtyre dyjave.
Pas përfundimi të shfaqjes, regjisorja Lilach Dekel-Avneri ka thënë se është jashtëzakonisht e lumtur për bashkëpunimin me artistët kosovarë, si dhe për rezultatin final të “History now”.
“Ishte një përvojë jashtëzakonisht e bukur. Ne mbajtëm disa punëtori me aktorët dhe menjëherë u përshtata me ta, i njoha pak më shumë dhe në fund zgjodha këtë performancën që sapo e patë. Qysh në javën e parë mësova shumë gjëra. Kur mbaroja së punuari me ta, shkoja e lexoja. Lexoja dhe më pas shkruaja, ndërsa të nesërmen u sillja tekste me të cilat e krijuam shfaqjen”, ka thënë Dekel-Avneri.
Megjithatë kjo shfaqje nuk ishte krejt rezultat i saj, sepse kjo do të ishte e pamundur, meqenëse ajo nuk kishte qenë kurrë më parë në Kosovë dhe nuk i njihte historinë e saj. Për të arritur në rezultatin, e kanë ndihmuar veçmas aktorët.
“Ata deshën t’i shfaqnin ndjenjat e tyre. Ne i dhamë shfaqjes titullin ‘History now’ (Historia sot), por në të vërtetë ishte ‘Translating Kosovo’ (përkthimi i Kosovës) sepse ata donin të përkthenim për audiencën atë çfarë ndjenin, atë që u interesonte atyre dhe faktin se sa është kjo e rëndësishme për ta”, ka shpjeguar Dekel-Avneri.
Edhe ideja qendrore – ajo e mungesës së vizave – kishte ardhur nga aktorët.
“Viza ishte diçka që nuk e kisha menduar më herët. Mendova se do të flasim për konfliktin, por edhe viza është rezultat i konfliktit të luftës dhe asaj që ndodhi më pas. Kështu që desha ta bëja këtë sepse edhe në projektin ‘Eichmann’ ne nuk menduam të flisnim për koronën apo artistët, por korona erdhi dhe ne e bëmë atë. Edhe këtu neve na pëlqeu performanca që ata donin të shfaqnin lidhur me atë se çfarë po ndodh me vizat, faktin se ata ishin shumë të zemëruar dhe menduam se kjo ishte një bazë e fortë për të punuar”, e ka shpjeguar ajo procesin e shfaqjes.
Për shkak se regjisorja nuk e njihte gjuhën shqipe dhe meqenëse shumica e publikut vinte nga shtete të ndryshme, me përjashtim të disa këngëve e disa sekuencave tepër të shkurtra, shfaqja u dha në gjuhën angleze. Megjithatë koha e limituar e provave dhe interpretimi në një gjuhë të dytë nuk kishte qenë edhe aq i lehtë për aktorët.
“Fakti që luan në një gjuhë tjetër është automatikisht një barrë shtesë edhe një sfidë në vete. Përgatitjet dyjavore nuk kanë qenë të lehta sepse për ne ky lloj i shfaqjes që e ka bërë Lilach ka qenë një eksperiencë e re. Por kemi punuar intensivisht dhe besoj që publikut i ka pëlqyer”, ka thënë aktorja Fatlume Bunjaku.
Njëra ndër çështjet themelore që prek kjo shfaqje ka të bëjë me lirinë e lëvizjes.
“Përgjigjja është në shfaqje posaçërisht te disa fjalë që ne i potencojmë si për shembull: kufijtë, vizat, politika. Të gjitha këto janë pikat që ne i kemi prekur, që nuk është diçka që është aktuale vetëm te ne, por në shumë vende të botës dhe jo vetëm tani. Mesazhi mund të jetë që ne të jemi të gjithë të njëjtë, të mos kemi kufij, të jemi të lirë të udhëtojmë, të punojmë. Toka jonë është kudo që ne ndihemi mirë, pra të mos jemi të kufizuar”, ka thënë ajo.
Lilach Dekel-Avneri është artiste multidisiplinare, regjisore teatri, dramaturge e kuratore. Për punën e saj është vlerësuar me shumë çmime prestigjioze, duke përfshirë “Prosenblum” në vitin 2016. Prej vitit 2017 është drejtoreshë artistike në “Mi-Darom Festival” në Ofakim të Izraelit dhe prej vitit 2016, koordinatore e EURODRAM, rrjet evropian për shfaqje dhe përkthime. Ka përkthyer dramat e autorëve të ndryshëm dhe ka inskenuar shumë të tjera. Shfaqjet si “Adam Geist”, “Someone is Going to Come”, “Macbeth” e “Phaedra's Love” janë fituese të çmimeve “Golden Hedgehog” nga Britania e Madhe. Shfaqja “Lost Paradise” është fituese e çmimit në Festivalin “Acco” në Izrael gjatë vitit 2014 për shfaqjen më të mirë në teatrin alternativ, aktoren më të mirë në rol dytësor, dizajnin e hapësirës dhe muzikën. Veprat e saj shpesh përshkruhen si ngjarje teatrale ose vepra arti me cilësi poetike dhe sureale, që ofrojnë alternativa reale ndaj teatrit konvencional. Shfaqjet e performancat në skenën alternative i vlerëson si më komerciale, kryesisht të lidhura me muzikën, megjithatë sfiduese i konsideron buxhetet e vogla përkundër zgjerimit çdoherë në rritje të aktivitetit të teatrove.