Prishtinë, 4 dhjetor – Ishte gazeta e parë shqipe në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare të mbetura nën Jugosllavi.
Prej numrave të saj të parë, që dilnin vetëm në katër faqe, në ditët e saj më të mira “Rilindja” shitej deri në 234 mijë kopje në ditë. Me historinë e gazetës është e nyjëtuar edhe veprimtaria e dendur e shtëpisë botuese “Rilindja” dhe shtypshkronjës me po të njëjtin emër. Për ata që punuan aty, historia e zhvillimit intelektual e kulturor të Kosovës është e lidhur ngushtë me atë që është vlerësuar si një prej organizimeve më të forta ekonomike në vend krahas fabrikave metalurgjike të dikurshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAs sa hija e dikurshme, sot “Rilindja” nuk e ka as arkivin dhe shumëçka prej asaj që krenohej. Sipas një rregulloreje që ia jepte të drejtën UNMIK-ut për të menaxhuar pronën e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruar në emër të ish-Jugosllavisë, ky mision ia dha administrimin e “Rilindjes”, Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e më pas asaj të Privatizimit.
Me rrëfime personale të shkrimtarëve Nazmi Rrahmani, drejtor i redaksisë së botimeve në “Rilindje” dhe Musa Ramadanit, redaktor i rubrikës së kulturës në gazetë, është zëruar një histori e tërë e kësaj ndërmarrjeje brenda dokumentarit “N’Rilindje”, që u shfaq mbrëmjen e së hënës në “Kino Armata”. Ky ishte vetëm prologu i lansimit të platformës digjitale “Arkivi Rilindja” të poetes Ervina Halili, në zemër të të cilit ishte ideja e rindërtimit të një arkivi për “Rilindjen” përmes atyre që ruajnë ende dëshmi të kësaj ndërmarrjeje botuese.
I realizuar në kuadër të platformës “Heritage Spacce”, që zbatohet nga “CHwB Kosova”, ky aktivitet ishte pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” i zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet, si dhe Qeveria Suedeze.
Sociologia dhe aktivistja, Sibel Halimi, e cila drejtoi panelin e diskutimit pas shfaqjes së filmit dokumentar, ka thënë se kjo nismë është një “rebelim poetik” ndaj mosruajtjes së trashëgimisë kulturore. Madje, ajo e ka quajtur nëpërkëmbjen e “Rilindjes” si “uzurpim i historisë” dhe “kujtesës kolektive” nga e tashmja.
“Transicioni ndërtoi një marrëdhënie komplekse me të kaluarën sa kujtesa kolektive nisi të uzurpohej nga e tashmja. Mosnjohja e dimensionit të historisë ka bërë që ne të përpiqemi të hapim arkivin nga folderët e pluhurosur”, ka thënë Halimi. “Në trashëgimi kulturore është edhe dimensioni i letërsisë, e cila është arkiv i ngjarjeve”.
Ndërkaq, ideatorja e projektit “Arkivi Rilindja”, Ervina Halili, ka thënë se ideja është ruajtja e shtresëzimeve kulturore para se ato të zhduken krejtësisht.
Sokol Çunga, specialist i arkivave në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë, ka folur për çështjen e hapjes së dokumentacionit kundrejt zhvillimeve shoqërore. Ka thënë se prej vitit 1993 arkivat në Shqipëri konsiderohen ligjërisht të hapura për këdo që disponon një letërnjoftim.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)
{gallery}