Kulturë

“HAPU” vajton tokën për ta shkundur njeriun

“Vajtimi i tokës” me muzikë te Donika Rudit e performancë të Kaltrina Miftarit e Agnes Nokshiqit mat pulsin e natyrës, e cila përditë e më shumë cenohet nga njeriu. Performanca me vargje të Doruntina Bashës bëhet një me tokën, sjell tingujt e saj, gjëmimet. Fut edhe gjuhën e shenjave dhe krejt bashkë bëhet thirrje për ndërgjegjësim dhe është në harmoni me moton e “HAPU” të sivjetmë “A jemi në tokë të bukës?”

Pa ceremoni, pa bileta dhe përcaktim të ulëseve, publiku krejt natyrshëm e ka zënë hapësirën e ndriçuar në Parkun e Qytetit në kryeqytet. Si një ftesë për dashamirët e tokës, ujit dhe ajrit ka ardhur mbrëmja e parë që ka hapur edicionin e tetë të festivalit të artit në hapësirë publike – “HAPU”.

Kaltrina Miftari me një fustan të gjerë, me një metër më tepër se gjatësia e saj, ka marrë rolin e tokës. E veshur në të gjelbër, bashkë me artisten Agnes Nokshiqi janë bërë zë i vajtimit të tokës dhe mesazheve për reflektim. “Vajtimi i tokës” e kompozuar nga Donika Rudi ka ardhur te publiku në ambient të hapur. Ky kompozim përmban një cikël të veprave audiovizuale kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në tokë.

Ka shërbyer si thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit tonë. Agnes Nokshiqi po ashtu me fustan të gjelbër që asocion si e bërë një me natyrën, publikut i ka folur në dy mënyra. Përveç interpretimit të fjalëve me goxha peshë për tokën, ajo ka komunikuar edhe me gjuhën e shenjave. Kështu vepra e Rudit e ka arritur fokusin thelbësor të saj në shtjellimin e temës së ndryshimeve klimatike dhe eksperiencës tingullore për komunitetin e shurdhët. Samire Jupolli nga Shoqata e të Shurdhërve në Prishtinë, që ka bashkëpunuar me ekipin e performancës, e ka vlerësuar si një përvojë të veçantë.

Image
Miftari dhe Nokshiqi nga fundi i performancës thirrjen e bëjnë më të zëshme duke shkundur defin e përdorur shuplakat

“Shfaqja, ngjyrat në skenë, ngjyrat e veshjes ishin të mrekullueshme, po ashtu edhe interpretimi i gjuhës së shenjave”, ka thënë Jupolli. Ajo ka shtuar se kjo performancë ka qenë shumë e rëndësishme për komunitetin e të shurdhëve dhe shpreson që t’u hapë shteg edhe performancave të tjera që i integrojnë ata.

“Edhe ne e ndiejmë performancën muzikore në bazë të interpretimit, shpresojmë se në të ardhmen të jetë pjesë edhe komuniteti ynë në aktivitete të ndryshme”, ka thënë ajo.

Qetësia dhe harmonia që ofron qëndrimi në natyrë e ka bërë publikun të përqendrohet sa në efektet e muzikës, po aq edhe në fjalët me tekst të autores Doruntina Basha. “Këtu lëshojmë rrënjë, i ujisim me djersën e paraardhësve, sepse pleqtë kanë thënë: ‘çka mbjell korr’”, është prej fjalive të para në interpretimin e aktores Nokshiqi.

Artistja Agnes Nokshiqi ka thënë se për të ka qenë sfiduese të mësojë gjuhën e shenjave, por kjo performancë e ka bërë të reflektojë që nëpërmjet artit t’i dedikohen më shumë këtij komuniteti.

“Ne nuk bëjmë asgjë sa i përket atij komuniteti. Ata janë sikur të lënë anash pa e ndier kënaqësinë që na e ndiejmë kur shkojmë ta shohin një shfaqje ose një koncert, për të parë diçka të artit. E kam pyetur veten pse nuk e inkuadrojmë gjuhën e shenjave prej shkollave ose çerdheve, që të mundemi të kuptohemi me atë komunitet dhe jo me qenë anash”, ka thënë Nokshiqi për KOHËN.

Performanca, e cila është përsëritur dy herë në Parkun e Qytetit, ka mbledhur vizitorët e parkut, të cilët e kanë ndjekur dy herë. Aty flitet për jetesën në tokë dhe përkohësinë e gjithçkaje.

“Inat i madh vetë të vdesësh, e të mos vdesë gjithçka tjetër”, është prej fjalive të tjera që në mes ka heshtjen, për t’i lënë publikut hapësirën për ta gëlltitur peshën e tyre. Kompozitorja Donika Rudi është artiste e asociuar e teatrit “ODA” në rrjetin “IN SITU - European Platform for Artistic Creation in Public SPace”, ku fokusi i saj është i përqendruar në ndryshimet klimatike e po ashtu eksperiencave tingullore te komuniteti i shurdhët.

“Pas dy vjetësh hulumtim, takime, punëtori me komunitetin, kjo vepër vjen si rezultat i asaj pune të madhe që është bërë paraprakisht. Natyrisht, nuk do të përfundojë me kaq, sepse shume shpejt do të vij me një mori veprash, instalacione tingullore pikërisht mbi këto tema, të cilat në të ardhmen e afërt do t’i bashkëngjiten kësaj performance të sotme”, ka treguar kompozitorja Rudi.

Në përfundim të performancës arrihet kulminacioni me tinguj të transformuar, të deformuar. Gjëma për tokën bëhet më e kumbueshme nga interpretimi i “shtatëngriturës”, sopranos Kaltrina Miftari. Këtu bëhet e theksueshme thirrja për veprim. “A je në tokë të bukës?!”, si një shprehje autentike shqiptare, është pyetja kryesore që kanë ngritur organizatorët. Edicioni i tetë i festivalit të artit në hapësirë publike “HAPU” është rikthyer me një edicion të plotë të organizimit. Për shkak të pandemisë, ky festival për dy vjet rresht qe shndërruar në “Hapudemia”.

Florent Mehmeti, drejtor artistik i “HAPU”, ka thënë se pandemia ka shkundur edhe vetëdijen kolektive mbi atë se ku po jetojmë e si po jetojmë, si po e trajtojmë planetin tonë e si po e trajtojmë edhe vetveten e njëri-tjetrin. Bazuar në këtë detyrimisht janë fokusuar te qenësorja, tek ajo që është bërthama e të qenit, neve, banorëve të tokës e pjesëtarëve të njerëzimit.

“Por, a jemi vonë? A jemi në tokë të bukës?”, janë dy pyetjet kryesore që përpiqen të gjejnë përgjigje të krijojnë edhe më shumë pyetje në programin e këtij edicioni të festivalit.

“Kemi shumë punë për të bërë në kuptimin e ambientit në kuptimin e ruajtjes së tokës, ruajtjes së ajrit, ruajtjes së ujit që e pimë dhe që e përdorim çdo ditë. Siç kam thënë edhe në fjalën time hyrëse, shpresoj që nuk jemi vonë, shpresoj që mundemi me u ndërgjegjësu më shumë. Në këtë koncept jemi munduar ta thurim një program, i cili i vendos disa pika që e shkund këtë lloj pyetjeje që është e bukur dhe origjinale në shqip se ‘A jemi në tokë të bukës’”, ka thënë Mehmeti për KOHËN.

Miftari dhe Nokshiqi nga fundi i performancës thirrjen e bëjnë më të zëshme duke shkundur defin e përdorur shuplakat. Lojës me shuplakë i është bashkuar edhe publiku. “Vajtimi i tokës” është dhënë reprizë edhe të enjten mbrëma në Parkun e Qytetit në Prishtinë. Festivali “HAPU” do të vazhdojë me aktivitete deri të shtunën.