Muzika e interpretuar live nga Muhamet Bikliqi në instrumentin me origjinë në Peru, është lajmërim se shfaqja ka filluar.
Derisa balerinët nisin t’i hedhin hapat e parë, ka prej atyre që ngjiten në skenë edhe prej anës së publikut. Instrumenti cajón, shërben si intro për të vazhduar me një muzikë të përzier nga kompozitorë të ndryshëm.
E edhe rrëfimi që shpaloset nëpërmjet lëvizjeve ka gjuhë ndërkombëtare, shkruan sot Koha Ditore.
Shfaqja “Drejtësi transicionale” me koreografi të amerikanes, Christie Coleman, e dhënë të enjten mbrëma si premiera e parë e Baletit Kombëtar të Kosovës për këtë vit, trajton drejtësinë e brishtë.
Trupa e balerinëve shtjellon një ngjarje tipike për vendet në tranzicion.
Një grup rebelësh arrin të ndajë nga familja një vajzë të re. Strukturat e sigurisë së një shteti në ndërtim e sipër janë tejet të dobëta. Mita shërben për t’ua mbyllur gojën policëve. Muzika e trishtë dhe loja tejet emocionale e personazhit kryesor, Teuta Krasniqi, bën që balerinët të “flasin” shumë nëpërmjet lëvizjeve.
Edhe
“Terminal” e rikthen Baletin në Graz e duartrokitjet në skenë
Barten rrëfime të bazuara nga ngjarje të vërteta, nga vende të ndryshme të botës, si Kolumbia, Guatemala, Liberia, Somalia, Afrika e Jugut e vende të tjera. Shumë herë gjatë shfaqjes ovacionet e publikut janë dëgjuar më shumë sesa muzika. E loja artistike me drejtësinë lidhet fort edhe me një shtet si Kosova. Pas keqtrajtimeve nga rebelët, e reja nuk e ka të lehtë të gjejë vend në familjen e saj. Kësisoj shfaqja nxjerr në pah vorbullën e vendeve që janë në transicion. Por, pas shumë përpjekjeve, vajza u bashkohet familjarëve. Me një skenografi tejet të thjeshtë por me muzikë që vjen nga vende të ndryshme, balerinët për një orë kanë shtjelluar sfidat e drejtësisë së dobët që mbretëron në disa vende të botës, por edhe në shtetin e tyre.
Koreografja Christie Coleman ka thënë se kjo është një shfaqje për të cilën ka hulumtuar shumë. Të njëjtën e kishte realizuar më 2015 në New York. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)