Kulturë

Hans Magnus Enzenberger – gjiganti i letërsisë, mendimtari i thellë

Shkrimtar, kritik kulturor, përkthyes dhe botues: Hans Magnus Enzensberger ishte një mendimtar i talentuar. Ai u bë i famshëm në vitet ‘60 dhe nuk pushoi së shkruari asnjëherë. Enzenberger vdiq në moshën 93-vjeçare

Hans Magnus Enzensberger ishte duhanpirës i pasionuar – diçka që ai kishte të përbashkët me ish-kancelarin Helmut Schmidt. Megjithatë, para së gjithash ai ishte një nga intelektualët më të rëndësishëm të Gjermanisë. Për më shumë se 60 vjet e furnizoi botën letrare ndërkombëtare me vepra të thella poetike dhe vepra të stërhollësishme. Krahas Günter Grassit dhe Martin Walserit, Enzensberger përbënte treshen e fuqishme të letërsisë gjermane të pasluftës. Ai ka vdekur në moshën 93-vjeçare.

I dëbuar nga organizata hitleriane

Enzensberger u lind në Kaufbeuren, Allgäu, më 11 nëntor 1929, dhe ishte më i madhi nga katër djemtë. Babai i tij ishte teknik telekomunikacioni, nëna e tij punonte si mësuese kopshti.

Nisi të shkruajë qysh në rini. Më shumë i pëlqenin ushtrimet e tij letrare sesa stërvitjen ushtarake të organizatës hitleriane të Rinisë, nga e cila u përjashtua.

Në vitin 1944, në moshën 15-vjeçare, ai u thirr në Volkssturm, milicinë kombëtare të nazistëve, por pak para përfundimit të luftës, ai arriti të dezertojë. “Kam pasur shumë fat me prindërit e mi. Ata mund të mos kenë qenë luftëtarë të rezistencës, por nuk ishin as nazistë. Kjo më dha një pamje të ndryshme të të ashtuquajturit komunitet nazist, që në fillim”, kujtoi Enzensberger më vonë.

Image
Me dy kolegë nga “Grupi 47”, nga e majta në të djathtë: Günter Grass, Peter Rühmkorf dhe Hans Magnus Enzensberger Foto: Wolfgang Langenstrassen/DPA

Në vitin 1949, Hans Magnus Enzensberger filloi studimet për letërsi dhe në vitin 1955 mori doktoratën në filozofi. Gjatë asaj periudhe botoi edhe tekstet e tij të para dhe u bë anëtar i “Gruppe 47”. Për 20 vjet prej vitit 1947, pjesëmarrësit e rrethit legjendar të shkrimtarëve u mblodhën për të rinovuar letërsinë gjermane pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Dëshmia e debateve të asaj kohe jepet nga një shkëmbim letrash mes Enzensberger dhe poetes Ingeborg Bachmann – e cila në vitin 1953 mori çmimin “Gruppe 47” për poezitë e përmbledhjes "Die gestundete Zeit" (Koha e shtyrë) botuar tek në vitin 2018.

Letrari i udhëtimeve të gjata nëpër botë

Gjermania e pasluftës shpejt u bë shumë e vogël për Enzensberger. Udhëtimi në SHBA, Meksikë, Norvegji dhe Itali i dha atij ndërkombëtaritetin që do të mbetej i rëndësishëm për të gjatë gjithë jetës së tij. Në vitin 1957 u botua libri i tij i parë me poezi "Verteidigung der Wölfe gegen die Lämmer" (Mbrojtja e ujqërve kundër qengjave). Tre vjet më vonë, ai u bë redaktor në shtëpinë botuese të njohur “Suhrkamp”.

Në vitin 1965 themeloi revistën kulturore “Kursbuch”, e cila u bë referencë intelektuale për studentët revolucionarë që dolën në rrugë në vitin 1968. Enzensberger ndërhyri në debatet politike të kohës me një zë të fortë, duke formësuar një opinion publik. Poezitë e kësaj periudhe lexohen si stacione të historisë kulturore gjermane. Vëllimi i tij i parë me poezi do të shkaktonte një sensacion kur u botua në vitin 1957. Si shumë prej shkrimtarëve të angazhuar politikisht të Republikës Federale të hershme, Enzensberger i ri u përpoq të shkatërronte rëndimin e letërsisë ekzistencialiste të pasluftës me poezinë e tij të lehtë dhe ironike.

Image
Hans Magnus Enzensberger në vitin 1991 Foto: Heikki Saukkomaa/Lehtikuva Oy/DPA

“Biblioteka tjetër”

Në vitin 1963 Enzensberger u nderua me çmimin “Georg Büchner”, ndërsa më pas mori edhe disa çmime të tjera.

Pas botimit të romanit të tij të vetëm, “Anarchy’s Brief Summer: The Life and Death of Buenaventura Durruti” (Vera e shkurtër e anarkisë: Jeta dhe vdekja e Buenaventura Durrutit), në vitin 1979 Enzensberger u vendos në Münich si shkrimtar i pavarur. Në vitin 1980 nisi një tjetër aventurë botuese me një mik, shkrimtarin kilian Gaston Salvatore. Megjithatë, revista letrare ambicioze “TransAtlantik” mbijetoi vetëm për dy vjet.

Së bashku me Franz Greno, në vitin 1985 Enzensberger themeloi serinë prestigjioze të librave “Die Andere Bibliothek” (Biblioteka tjetër), në shtëpinë botuese me prirje të majtë “Eichborn”, në të cilën ai botoi klasikë dhe thesare të harruara, si dhe botime të para nga autorë të kulturave të tjera. Sot këto vëllime janë vepra të çmuara në raftet e koleksionistëve të librave.

Me një instinkt të talentuar të botuesit, ai solli për herë të parë reportazhin letrar në tregun gjerman të librit. Autori dhe gazetari polak Ryszard Kapuscinski ishte një nga zbulimet e tij dhe ai gjithashtu pati një ndikim vendimtar në karrierën e shkrimtarëve dhe poetëve të njohur, si Raoul Schrott, Irene Dische, Christoph Ransmayer dhe W.G. Sebald.

Pas një pauze të gjatë, në vitin 1991 Enzensberger u rikthye si tekstshkrues me përmbledhjen me poezi “Zukunftsmusik” (Muzika e së ardhmes). Si eseist, ai vazhdoi të ndërhynte në debate, duke komentuar luftën e Irakut, kërkimet gjenetike dhe testet e diskutueshme të inteligjencës.

Me “Tumult” në vitin 2014 ai botoi tekstin e tij të parë me tipare paksa autobiografike: “Rrëfimet nuk janë pika ime e fortë. Është larg meje të shfaq para publikut peizazhin e shpirtit tim”, kishte thënë më pas për të përjavshmen gjermane “Der Spiegel”.

Puna vëllimshme

Enzensberger nuk botoi vetëm me emrin e tij, por edhe nën pseudonime ku më i njohuri ishte: Andreas Thalmayr, nën të cilin, në vitin 2018, botoi një manual argëtues për autorët e rinj “Schreiben für ewige Anfwnger” (Shkrim për fillestarët e përjetshëm) dhe “Louisiana Story” në vitin 2019.

Dy nga pseudonimet e tjera kishin madje emra femrash: Elisabeth Ambras dhe Linda Quilt. I pari ishte aktiv edhe në vitin 2019, me publikimin e “Fremde Geheimnisse” (Sekrete të çuditshme).

Vepra tashmë e gjerë e Hans Magnus Enzensberger përfshin disa tituj të tjerë. Kush e di sa pseudonime të tjera, të cilat nuk mund t’i atribuohet sigurt, ka përdorur Enzensberger.

Ai ishte baba i dy vajzave, Tanaquil, e lindur në vitin 1957, nga martesa e tij e parë me Dagrun Kristensen nga Norvegjia, si dhe Theresia, e lindur në 1986, nga martesa e tij e tretë me gazetaren Katharina Bonitz. Martesa e dytë e Enzensberger ishte me Maria Makarowa nga Rusia. Në veprën e tij autobiografike “Tumult”, ai kishte thënë se ky episod i jetës së tij i ngjante një “romani rus”.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Mirjetë Sadiku