Kafehania ku më 1998 shërbimet serbe bënë vrasjen e të rinjve të komunitetit serb në Pejë, bashkë me Gurin që simbolizon aktin e zjarrvënies ndaj vetes që kishte bërë Pashke Krasniqi-Markaj pas varrosjes së mbetjeve mortore të të bijve të vrarë nga forcat serbe janë midis monumenteve të reja të shtetit. Të përbashkët e kanë historinë e krimeve të Serbisë në Kosovë. Por i bashkon edhe një tjetër fakt, nevoja që shteti t’i trajtojë si monumente, jo veç duke i bërë pjesë të Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme
Objekti ku para dy dekadash shërbente si kafene e njohur me emrin “Panda” në Pejë, tash ka tjetër status: atë të monumentit. Bashkë me 22 asete të tjera është përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Vendi ku u vranë gjashtë të rinj serbë nga shërbimet serbe në dhjetor të vitit 1998, nuk gjendet lehtë. Ndërtesa e hirtë ndodhet mbi një kilometër larg qendrës së qytetit perëndimor. Për të shkuar deri atje, duhet pyetur qytetarë në rrugë, pasi as edhe një shenjë nuk është e vendosur lagjeve. E kur arrin tek objekti që ka rreth 20 metra katrorë nuk ka asnjë tabelë informuese që shpërfaq ngjarjen e para më shumë se dy dekadave. Më 1998, të rinjtë serbë ishin vrarë, e më pas për këtë vepër, regjimi serb kishte akuzuar “terroristët shqiptarë të UÇK-së”. Në emër të propagandës ishte marrë aksion i madh në Pejë kundër popullatës civile.
Por edhe tash, kur shteti ka kthyer vëmendjen te ndërtesa njëkatëshe, telashet vazhdojnë. Kërkohet që monumentet të administrohen e të mos ngelen veç të mbrojtura në letër. Në anën tjetër, pronarët e hapësirës nuk kanë kurrfarë informacioni zyrtar për vendimin e shtetit në raport me objektin.
Pronari Mustafë Vejsa, lajmin për përfshirjen e këtij objekti në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme e ka marrë nga mediat. Ai ka thënë se është shokuar, pasi asnjëherë shteti nuk është interesuar për këtë ndërtesë.
“Kjo ka qenë gjithmonë e familjes sonë, por gjatë luftës është marrë qysh janë marrë atëherë krejt tokat, e tash qe 10 vjet, e kam blerë prapë se është në oborr timin. Por asnjëherë as edhe një gozhdë nuk është interesuar shteti me vendosë”, ka thënë Vejsa.
Ai ka thënë se para një muaji ka marrë një vendim nga Komuna, ku është thënë se është propozuar që objekti të jetë nën mbrojtje të shtetit. Vejsa ka treguar se ka dërguar një ankesë, por që nuk ka marrë as një përgjigje nga komuna pastaj.
“Unë kam qenë ciceron për të gjithë njerëzit që kanë ardhur me vizitu, se asnjëherë nuk është përkujdesur shteti që të intervenojë në ruajtjen e historisë. E tani nuk më kanë pyetur fare, e me këtë vendim ma kanë uzurpuar tokën”, ka shtuar Vejsa.
Kafeneja e dikurshme tani shërben si hapësirë ku familja Vejsa mban drutë e ushqimin për stinën e dimrit.
Djali i tij, Arian Vejsa, ka thënë se janë të zhgënjyer, pasi nuk janë konsultuar për këtë vendim.
“Kemi pritë që Komuna ose shteti të na thirrë e të bëjë ndonjë marrëveshje me ne sa i përket lokalit ‘Panda’, pasi lokali është ngjitur me shtëpinë tonë”, ka thënë ai.
Me rreth 60 plumba ishin qëlluar duke mbetur të varë të rinjtë serb, 15 vjeçari Ivan Obradoviq, 16-vjeçari Vukota Gvozdenoviq, 18-vjeçarët Svetislav Ristiq, Zoran Stanojeviq dhe Dragan Trifoviq dhe 24-vjeçari Ivan Radeviq. Dy 18 vjeçar të tjerë, Vlado Lonçareviq dhe Nikola Rajoviç dhe pronari i ‘Panda Caffe’, Mirsad Saboviq, gjithashtu u plagosën gjatë të shtënave.
Në vitin 2014, autoritetet e larta të Serbisë dhe asokohe me Aleksandar Vuçiqin si zëvendëskryeministër, kishin paralajmëruar se lidhur me krimin në Pejë, nuk ka argumente se e kanë bërë shqiptarët dhe se opinioni në Serbi do të ballafaqohet me lajme të tmerrshme lidhur me këtë rast.
Lajmin për përfshirjen e këtij aseti, por edhe të tjerave në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, e ka dhënë kryeministri Albin Kurti.
Në njoftimin e tij ka thënë se mbrojtja me ligj të shtetit të këtij lokali vjen si nevojë për të treguar mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë në raport me shqiptarët dhe Kosovën.
Listës së objekteve të Trashëgimisë Kulturore i është shtuar edhe Guri përkujtimor i Pashke Markut, nënës që dogji veten në fshatin Korenicë të Gjakovës, pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve mortore të djemve të saj të vrarë e të djegur nga forcat serbe.
Guri i cili simbolizon vetëflijimin e Nënës Pashke, tash e tre muaj nuk qëndron në vendin ku u krye akti, pasi pronari i tokës e largoi atë me një justifikim fetar. Tani qëndron në Kompleksin Memorial “27 Prilli” në Mejë të Gjakovës.
E Ag Apolloni, shkrimtari i cili e dokumentoi në romanin e tij “Një fije shpresë, një fije shkrepës” aktin e Nënës Pashke, ka thënë se vendimi i shtetit nuk ka asnjë kuptim nëse guri nuk kthehet në vendin e vetëflijimit.
“Pra, Qeveria nuk ka bërë asgjë, nëse së shpejti këtë gur nuk arrin ta kthejë në vend të vet. Guri në vetvete nuk do të thotë asgjë. Mund të ishte një tabelë, një dru, një hekur, çkado. Unë nuk do ta vizitoja kurrë atë gur në ndonjë bodrum, oborr, apo muze. Kudo tjetër ai është thjesht gur. Vetëm në vendin e vetëflijimit kthehet në simbol”, ka shkruar Apolloni në profilin e tij në Facebook.
Pashke Markut i ishin vrarë dy djemtë në fund të prillit të 1999-s. Trupat e tyre ishin gjetur në varreza masive nëpër Serbi. Më 27 maj 2003, Nëna Pashke ia vuri flakën vetes pasi konsideronte se nuk duhej të jetonte më pas tragjedisë që kishte përjetuar.
Vendimi i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku për shtimin e numrit të aseteve që mbrohen nga shteti në kuadër të Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme është parë si i pamjaftueshëm edhe nga ata që merren vazhdimisht me monumente.
Sali Shoshi i cili udhëheq me Fondacionin Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij, “CHëB Kosova” ka thënë se shpreson që këto asete nuk do ta kenë fatin e objekteve të tjera të trashëgimisë kulturore, që sipas tij, janë lënë pas dore nga shteti.
“Duhet të ketë një plan menaxhimi. Pra unë mendoj se kjo është e rëndësishme, është urgjente dhe kjo është që e bën dallimin mes të asaj që ne e kemi parë tash e sa vjet që shteti kujdeset që t’i fusë në Listë, por jo shumë është përgatitur që t’i administrojë ato dhe shohim këtu plot raste që asetet janë të lëna pas dore. Shumë janë neglizhuar dhe si rrjedhojë, janë shkatërruar”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, duhet të ndërrojë krejtësisht qasja institucionale ndaj trashëgimisë kulturore. Shoshi ka kohë që e kritikon mungesën e bashkëpunimit midis shtetit dhe pronarëve të monumenteve. Ai vazhdimisht ka thënë se kjo mungesë ka bërë që pronarët të ndihen të injoruar nga shteti dhe për pasojë, e në shumë raste marrjen nën mbrojtje të pronave të tyre e konsiderojnë si veprim të dëmshëm. Rast konkret është ai i kafenesë “Panda”, ku pronari futjen e ndërtesës në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme e ka konsideruar si “uzurpim”.
Në këtë Listë midis 23 aseteve të reja, janë shtuar edhe Spitali Ushtarak i Gradicës, Përmendorja e Minatorëve, Xhamia e Sfircës, Varri i Don Mikel Tarabulluzit dhe afreskat romake të Dresnikut.
Në tetorin e vjetëm, Ministria e Kulturës kishte vendosur që shteti të marrë nën mbrojtje 19 asete arkitekturore, duke i shndërruar në monumente, të paktën përkohësisht. Ky vendim ishte marrë me rastin e zgjatjes së afatit edhe për një vit të Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Ajo që i ka shpëtuar tjetërsimit të Pallatit të Shtypit, salla e shtypshkronjës së “Rilindjes” kishte marrë statusin e monumentit. Në Listë është edhe materniteti “Nëna Terezë” në Prishtinë, objekti që është dëshmi unike e rezistencës së shqiptarëve në kohë represioni. Lista paraprake që kishte afat deri në ditën e tetë të këtij muaji numëronte gjithsej 1635 asete. Bashkë me 19 të rejat, numri shkonte në 1654 asete të trashëgimisë kulturore që mbrohen përkohësisht. Tash me 23 të radhës, 1677. As 24 vjet pas luftës së fundit, Kosova nuk mbron përhershëm as 4 për qind të aseteve të trashëgimisë kulturore që llogariten si potencial nacional i shtetit. Por përtej kësaj, pavarësisht se shteti tashmë ka nën mbrojtje të përhershme 59 asete të trashëgimisë kulturore, qasja ndaj tyre në praktikë nuk ka ndryshuar fare nga ato që mbrohen veç përkohshëm.