Rezultatet e hulumtimeve arkeologjike të kryera në Kompleksin e Katedrales së Zojës Ndihmëtare në Prizren në vitet 2019-2021 janë prezantuar të shtunën gjatë një konference shkencore. Me këtë rast është pohuar prania e hershme e objekteve religjioze në këtë zonë, sikurse edhe e varrezave të vjetra përreth. Udhëheqësit e dioqezës Prishtinë-Prizren kanë vlerësuar se Katedralja e Prizrenit është krenaria, e kaluara dhe nderi jo vetëm i Kishës Katolike, por edhe i kombit shqiptar
Gjurmimet arkeologjike në Kompleksin e Katedrales së Zojës Ndihmëtare në Prizren kanë vënë në pah praninë e hershme të objekteve që i kanë shërbyer komunitetit religjioz, përkatësisht nga shekulli V, bashkë me ekzistencën e varrezave të vjetra në këtë hapësirë qysh nga shekulli IX. Rezultatet e hulumtimeve arkeologjike të kryera në këtë kompleks në vitet 2019-2021 janë shpalosur të shtunën në konferencën shkencore, ku kanë prezantuar studiuesit nga Universiteti i Zarës, ata të Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe nikoqirët nga dioqeza Prishtinë-Prizren.
Në hapjen e kësaj konference është theksuar rëndësia e Katedrales, por edhe e Kishës Katolike.
Ipeshkvi i dioqezës Prishtinë-Prizren, imzot Dodë Gjergji, ka pohuar se Katedralja e Prizrenit është krenaria, e kaluara dhe nderi i Kishës Katolike, por edhe i kombit.
“Sepse sipas hulumtimeve të zbuluara deri më tani, konstatohet që ne e mbërrijmë praninë tonë deri në shekullin V, këtu në Prizren. Kurse në Kosovë vijmë deri te shekulli I”, ka thënë Gjergji. Sipas tij, ka ardhur koha që gurët e këtij kompleksi ta thonë të vërtetën për historikun e tij.
“Krishti në një fjali të veten thotë: 'Nëse ju do të heshtni, gurët do të flasin'. Në të vërtetë kjo ka qenë e vërteta jonë historike, ku shumë shekuj është dashur të heshtnim. Por ja që ka ardhur koha që gurët të flasin. E le t’i lëmë gurët ta thonë të vërtetën tonë”, ka shtuar prijësi fetar.
Kryetari i Komunës së Prizrenit ka vlerësuar punën kërkimore të ekspertëve, që, sipas tij, pos të tjerash i shërben edhe promovimit të vlerave të qytetit historik.
“Është e tepërt të theksohet rëndësia e punës, kontributit të Kishës Katolike ndër shekuj, jo vetëm në aspektin religjioz, por edhe atë kombëtar”, është shprehur Shaqir Totaj.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, duke përmendur rëndësinë e gjurmimeve arkeologjike dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, si dhe historikun e objekteve religjioze të Kosovës, ka shprehur mirënjohje edhe për insistimin e vikarit gjeneral të dioqezës Prishtinë-Prizren, Don Shan Zefi.
“Edhe pse nja 10 vjet kemi pasur këmbëngulje nga ai, edhe të mos lëshim pe, por edhe ne kemi qenë këmbëngulës, nuk e kemi lënë vetëm. Kemi bashkëpunuar mirë, me telashe të vogla, por e kemi arritur qëllimin”, ka deklaruar Rexha.
Ndërsa gjatë prezantimit të rezultateve preliminare të hulumtimeve arkeologjike është spikatur vjetërsia e këtij kompleksi fetar, që për shumë shekuj ka qenë në shërbim të komunitetit.
“Kjo katedrale që po e shihni deri te dritaret tërhiqet sipër, kjo është nga fundi i shekullit XII dhe fillimi i shekullit XIII. Ato poshtë, arkeologjike që i shihni, janë të gjitha të dhëna që kanë origjinën padiskutim paleokristiane të shekullit IV...”, ka thënë Don Shan Zefi, vikar gjeneral i dioqezës Prishtinë-Prizren, duke shtuar se për këtë çështje duhet të flasin studiuesit.
Ante Ugleshiq nga Universiteti i Zarës ka bërë të ditur se sipas rezultateve të hulumtimit del se në këtë hapësirë ka pasur kisha më të vjetra, derisa Katedralja ka disa faza të ndërtimit.
{gallery}
“Dhe ja cilat janë rezultatet kryesore të hulumtimit: në vendin e Katedrales së sotme ka ekzistuar Kisha paleokristiane e shekullit V. Po ashtu aty ka qenë me shumë gjasë një kishë e varrezave, e cila me kalimin e kohës është bërë e vogël, që mund të datojë nga shekulli X deri XII. Kjo katedrale ka dy faza të ndërtimit, e para do të ishte në shekullin XIII dhe e dyta në shekullin XIV dhe praktikisht dubrovnikasit, sipas burimeve, i kanë dhënë paratë për ndërtim. Dhe faza e dytë përkatësisht e tretë është në gjysmën e dytë të shekullit XIX...”, ka deklaruar ai. Sa u përket varrezave, sipas tij, ato mund të datojnë nga shekulli IX deri në shekullin XIX dhe bazuar në gjetjet, përreth kishës ka qenë një varrezë e madhe.
Në këtë konferencë, Elvis Shala nga Instituti Arkeologjik i Kosovës ka folur rreth rikuperimit të gjetjeve arkeologjike në këto hulumtime.
“Në Katedralen e Prizrenit gjatë kërkimeve arkeologjike të viteve 2019-2021 kemi zbuluar një numër të konsiderueshëm të gjetjeve të vogla. Deri më tani kemi arritur t’i analizojmë vetëm disa nga to. Dhe ky prezantim sot nuk paraqet një rezultat përfundimtar, por paraprak. Materiali i luajtshëm arkeologjik nga Katedralja në bazë të materialit mund të ndahet në tre grupe: gjetjet nga qeramika, gjetjet e qelqit dhe gjetjet e metalit”, ka thënë Shala.
Luan Gashi nga IAK-ja ka paraqitur rezultatet preliminare të studimit antropologjik të varreve të gjetura në këtë hulumtim.
“Faza e parë e hulumtimit arkeologjik është zhvilluar në vitin 2019. Gjatë këtyre gërmimeve u konstatua se gjithë hapësira e kishës, përfshirë një varrezë të madhe në veri të saj ishin shfrytëzuar si vendvarrim gjatë sundimit osman. Orientimi i varreve në përgjithësi me variacione të vogla është veri-lindje, jug-perëndim, që korrespondon me përkatësinë religjioze”, ka theksuar Gashi. Sipas tij, gërmimet janë zhvilluar edhe në vitin 2021, me ç'rast janë zbuluar varret më të vjetra se vetë kisha.
“Në këtë fazë u zbuluan pjesa tjetër e varreve që në përgjithësi janë më të vjetra se kisha”, është shprehur ai. Ndërkaq Vinicije Llupis ka prezantuar Katedralen e Prizrenit në dritën e burimeve historike.
Kjo konferencë është organizuar nga dioqeza Prishtinë-Prizren dhe Komuna e Prizrenit, në kuadër të festave të qershorit, që përfshijnë shënimin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Ditën e Çlirimit.