Kulturë

“Gogoli” – shfaqja që nxit fëmijët të flasin për frikën e problemet

Shfaqja në regji të Mentor Berishës ka për personazhe Bufin dhe Ketën. Bufi ka shumë mungesa të paarsyeshme. I janë harxhuar arsyetimet karshi mësueses. Arsyen e mungesave të numërta mundohet ta kuptojë mikja e tij. Kur merr vesh se ai ka frikë nga gogoli, mundohet ta ndihmojë që ta lërë pas këtë frikë dhe të ndjekë mësimet. Kjo ngjarje zhvillohet në shfaqjen për fëmijë “Gogoli” në teatrin “Dodona”

Kur perdet e teatrit “Dodona” ngrihen, fëmijët njoftohen me Bufin (Afrim Muçaj). Ai sorollatet andej e këndej duke luajtur me “yo-yo”. Nuk ka shkuar në shkollë. Arsyen për tetë mungesat e paarsyeshme, e që shkojnë duke u rritur, nuk e di askush. Madje, as mikja e tij Keta (Hajat Toçilla). Ajo nuk e kupton pse ai po mungon kaq shumë. Mundohet të gjejë arsyen e vërtetë të mungesave të Bufit. Kështu nis të shtjellohet rrëfimi për shfaqjen “Gogoli” nën regji të Mentor Berishës. Premiera e shfaqjes me tekst të Arian Krasniqit u dha të shtunën në ora 12:00.

Është hera e dytë që regjisori Mentor Berisha realizon shfaqje për fëmijë. Për herë të parë një detyrë të tillë e kishte marrë në vitin 2016. Atëherë kishte realizuar shfaqjen “Buna dhe Tuli”. Ai ka thënë për KOHËN se punën ia ka lehtësuar fakti se me organizatën joqeveritare "Molla e Kuqe" ka kohë që realizon animacione me fëmijë dhe mban trajnime për fëmijë në fushën e animacionit. Veçanërisht ua mëson teknikën “stop-motion”. Një teknikë që e ka përdorur edhe te shfaqja “Gogoli”. Shpeshherë i ka bërë personazhet të lëvizin ngadalë.

“Përveç pjesës vizuele e lojës atraktive, janë edhe disa mesazhe që i plasojmë te fëmijët e kryesisht te pjesa edukative: mungesa e paarsyeshme në shkollë që shpërfaqet herë pas herë te Bufi. Normalisht, mesazhi kryesor është që gjithçka që kanë fëmijët brenda tyre t’i shfaqin, t’i diskutojnë me shoqet, shokët, prindërit, në mënyrë që këto pengesa e probleme t’i tejkalojnë ose t’i zgjidhin në mënyrën me të lehtë”, ka thënë Berisha. Ai është kujdesur edhe për skenografinë, ku vlen të theksohet pjesa me flutura dhe pemët ndriçuese.

Pas insistimit të Ketës, miku i saj, Bufi e tregon arsyen e vërtetë të mungesave në shkollë: frikën nga gogoli. Për aktorin Afrim Muçaj, i cili e luan Bufin, kjo është shfaqja e parë për fëmijë si aktorë. Ai ishte po ashtu pjesë e shfaqjes për fëmijë “Buna dhe Tuli”, mirëpo atëherë kishte qenë dirigjues marionetash.

Sipas aktorit Muçaj, është bërë një punë shumë e madhe dhe u është kushtuar një kujdes i veçantë ndërtimit të rolit e edhe shfaqjes në përgjithësi.

“Shfaqjet për të mëdhenj i kam bërë disa herë dhe kam krijuar një stabilitet para një audience të rritur, por kjo që e patëm sot është një punë e madhe në psikologji, që të jemi të kujdesshëm për fëmijë, sepse mund të ndikojmë edhe keq edhe mirë. Kemi punuar aq shumë në mënyrë që shfaqja të ketë efekt pozitiv të fëmijë”, ka thënë ai.

Majta Gashi, 5-vjeçarja e cila e kishte parë edhe premierën e shfaqjes, ka thënë me bindje se ajo nuk frikësohet nga gogoli. Madje, njëlloj si Keta, ajo do t’i kishte mbrojtur miqtë e saj. E Jora Gashi, e cila është dy vjet më e madhe pasi që jep një përmbledhje të asaj që ka parë, ka treguar se shfaqja i ka mësuar që të mos gënjejnë.

“Më ka pëlqyer që ajo çika nuk ka munguar asnjëherë në shkollë, e ai djali e ka gënjyer shoqen, ka thënë se është sëmurë, më ka vdekur gjyshja, e kështu e ka gënjyer mësuesin tri herë”, ka thënë ajo.

Gënjeshtrat e ndryshme që i përdor Bufi gjatë shfaqjes për të arsyetuar mungesat e tij, i kanë rënë në sy edhe Nina Pllanës, 8-vjeçare. Madje është pikërisht Bufi, ai që e ka bërë sipas saj, shfaqjen më atraktive me gjestet e tij. Mirëpo, për zemër e ka pasur edhe maturinë e Ketës dhe seriozitetin e saj karshi shkollës.

“Te shfaqja më ka pëlqyer se ajo çika ka shkuar gjithmonë në shkollë. E ai djali më ka bërë me keshë kur e ka gënjyer atë çikën”, ka thënë Pllana gjersa ka shtuar se mesazhi i shfaqjes është që të mos gënjejnë dhe të mos frikësohen, pasi që gogoli nuk ekziston.

Kostumet për këtë shfaqje i ka realizuar Violeta Alidema, muzikën e ka bërë Altin Asllani, kurse Skender Latifi ka bërë dizajnin e dritave. Teknikë të skenës kanë qenë Albert Gashi, Bedri Maloku dhe Fadil Bekteshi. Shfaqja është realizuar nga Organizata joqeveritare “Molla e Kuqe” dhe është mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo është premiera e dytë për fëmijë e teatrit “Dodona” për këtë vit. Premiera e parë ishte në maj. Atë muaj u dha shfaqja “Lira dhe Titi” nën regji të Bashkim Ramadanit e tekst të Alba Loxhës. Shfaqja ishte thirrje për respektimin e së drejtës së fëmijëve për shkollim,