Me 700 euro është gjobitur rrafshimi i Çardakut të Hamzë Ahmetajt në Lebushë të Deçanit. Prej objektit të mbrojtur si aset i trashëgimisë kulturore nuk ka mbetur asnjë gjurmë. E për Ministrinë e Kulturës, gjobitja me 700 euro është inkurajim për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore
Çardaku i Azem Hamzë Ahmetajt në fshatin Lebushë të Deçanit ishte monument unik jo veç për këtë komunë. I ndërtuar në shekullin e kaluar me material prej guri e druri, për vlerat arkitekturore që posedonte qe përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Llogaritej pasuri reprezentative për shtetin.
Por për Gjykatën Themelore në Pejë rrënimi i këtij monumenti meriton veç gjobë prej 700 eurosh. Kaq edhe e ka dënuar rrënuesin e monumentit, Avni Ahmetaj.
Për institucionet e trashëgimisë kulturore ky aktgjykim është alarmant në disa aspekte. Demolimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë sanksionohet me Kod Penal. Edhe me Ligjin për trashëgimi kulturore gjobitjet shkojnë deri në 500 mijë euro.
Ministria e Kulturës si institucion përgjegjës për trashëgimi kulturore është alarmuar nga ky aktgjykim i Gjykatës Themelore në Pejë i 22 qershorit të sivjetmë, një vit pas ngritjes së aktakuzës, kur qe rrënuar monumenti. Për këtë edhe ka marrë veprime.
Sipas përgjigjeve që i ka dhënë KOHËS, Ministria e Kulturës, nëpërmjet institucioneve vartëse, Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë dhe Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore ka ndërmarrë të gjitha masat për adresim të këtij rasti në institucionet kompetente.
“Asgjësimi i objekteve që janë pjesë e trashëgimisë kulturore, me vetëdije dhe dashje eventuale nga cilido qoftë, konsiderohet shkelje. Secili subjekt i së drejtës që ka mundur dhe është dashur ta dijë se degradimi i trashëgimisë kulturore është vepër e rëndë, sepse rezulton në asgjësimin e vlerave historike dhe identitetit të Republikës së Kosovës, mban përgjegjësi penale të parapare sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së. Sipas MKRS-së, janë ndërmarrë të gjithë hapat për këtë rast.

Institucioni më i lartë kulturor në vend i është drejtuar me një shkresë Prokurorisë Themelore në Pejë.
Pos apelimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Pejës, është kërkuar që aty të përfshijnë edhe pretendimet e MKRS-së si palë e dëmtuar. Janë renditur disa çështje si bazë për ankesë.
“Së pari shqyrtimi fillestar është mbajtur pa qenë e njoftuar pala e dëmtuar, në rastin konkret Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si përgjegjëse për trashëgiminë kulturore”, shkruhet në këtë dokument. Aktgjykimi, sipas MKRS-së, është kontrovers.
“Dispozitivi dhe arsyetimi i këtij aktgjykimi janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Derisa në dispozitiv përcaktohet që të akuzuarit i shqiptohet dënimi në shumën prej 700 eurosh, në arsyetim të këtij aktgjykimi thuhet që Gjykata i shqipton të pandehurit dënim me kusht dhe dënim me gjobë”, shkruhet në letrën e MKRS-së, drejtuar Prokurorisë Themelore të Pejës më 4 korrik.
Sipas juristëve të MKRS-së, shkeljet më serioze gjatë marrjes së këtij aktgjykimi janë bërë gjatë matjes së dënimit.
“Dënimi i shqiptuar për të pandehurin është në disproporcion me veprën e kryer. Kur e themi këtë, mbështetemi së pari në atë se Ligji për trashëgiminë kulturore vetëm kundërvajtjet i parasheh me gjobë së paku 1.000 euro e deri në 500.000 mijë euro. Madje nga praktika gjyqësore e gjykatave të kundërvajtjeve vetëm për vendosje të reklamave në asete të trashëgimisë kulturore gjobat kanë qenë 1.000 euro”, shkruhet në këtë dokument. Veprimet e paautorizuara ndaj aseteve të trashëgimisë sanksionohen me këtë ligj.
“Mosbindja ndaj dispozitave të këtij ligji në lidhje me autorizimin e veprimtarive do të gjobitet nga gjykata kompetente me minimum prej 1.000 (një mijë) eurosh dhe maksimum prej 500.000 (pesë qind mijë) eurosh për secilin veprim të paautorizuar”, shkruhet në nenin 11 të këtij ligji.
Sipas MKRS-së, në rastin konkret është rrënuar një aset shumë i çmuar i Kosovës dhe një dënim në shumën prej 700 eurosh është mbi të gjitha joproporcional me dëmin e shkaktuar.
Sipas MKRS-së, i pandehuri me vetëdije të plotë, pa asnjë dyshim se i njëjti ka përgjegjësi në raport me asetin e trashëgimisë kulturore, ka ndërmarrë veprimet për rrënimin e monumentit.
“Nuk është aspak kontestuese se kryerësi ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se me veprimet e tij do të shkaktojë një vepër të rëndë penale dhe i njëjti ka dashur që të shkaktohet pasoja e ndaluar, konkretisht këtë vepër penale e ka kryer me dashje direkte (dolus direktus)”, shkruhet në këtë shkresë. Sipas MKRS-së, zakonisht motivet e kryerjes së veprave të tilla penale nga praktika e deritanishme janë të natyrës pasurore, konkretisht që të rrënohet një aset i trashëgimisë kulturore në mënyrë që të hapet rruga për ndërtim të një objekti të ri.
“Pra për një interes të ngushtë pasuror, ka dëmtuar një aset të rëndësisë së veçantë për vendin”, shkruhet në dokument.
Sipas këtij institucioni, pavarësisht se në procedurën kontestimore mund të kërkohet kompensimi i dëmit për kthim në gjendje të mëparshme, e njëjta në praktikë nuk mund të ndodhë assesi në mënyrë origjinale, pasi materialet në të cilat është ndërtuar janë asgjësuar.
Nga ajo që ka parë ekipi i KOHË-s në terren vetëm një grusht gurësh kanë mbetur si dëshmi se aty ka ekzistuar një objekt. Pronarët e parcelës jetojnë jashtë shtetit. Ndërsa fqinjët, Çardakun e kanë përshkruar si pikë reference për fshatin që gjendet buzë rrugës kryesore Pejë-Deçan.
“Në rastin e parë një gjobë kaq e ulët natyrisht që nuk do të ndikojë që të parandalohen veprat penale nga kryerësi e assesi që të bëjë rehabilitimin e tij, e kur i shtojmë rrethanat që i pandehuri jeton në një vend si Zvicra me një standard të lartë të jetesës, gjoba prej 700 eurosh është tejet minimale”, shkruhet në shkresën e MKRS-së.
Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, qëllimi tjetër i dënimit që të parandalojë personat e tjerë të kryejnë vepra penale, posaçërisht të llojit të njëjtë, jo vetëm që nuk mund të arrihet, “por që mund të ketë një kundërefekt pasi që duke pasur parasysh se ka shumë asete të trashëgimisë kulturore në atë anë, pronarët tjerë vetëm sa do të nxiten që për qëllime të interesave të ngushta pasurore të veprojnë njëjtë për shkak të gjobave të tilla”.
Po sipas kësaj shkrese, MKRS-ja konsideron se me qëllim të efikasitetit të procedurës penale, do të ishte më e udhës që Gjykata në dispozitiv të përcaktonte që të zgjidhet kërkesa pasurore juridike ashtu që të akuzuarin ta obligojë që të kthejë asetin në gjendje të mëparshme dhe eventualisht për pjesën tjetër të udhëzojë palën e dëmtuar që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në kontest civil.
“Natyrisht, propozojmë që në pajtim me dispozitat e KPK-së, të kërkohet përmes ankesës që Gjykata të bëjë zgjidhjen e kërkesës pasurore juridike brenda procedurës penale”, shkruhet në këtë dokument.
Ka disa ditë që KOHA ka pritur përgjigje prej Prokurorisë Themelore në Pejë nëse është apeluar aktgjykimi i Gjykatës. Çardaku i Hamzë Ahmetajt, ani pse mbrohej si monument, ishte në gjendje jo të mirë.
Por Gjykata Themelore e Pejës ka traditë për dënime, që sipas MKRS-së janë të ulëta sa i përket shkatërrimit të trashëgimisë kulturore.
Më 2019, për Gjykatën Themelore të Pejës rrënimi i një monumenti nuk “kushtonte” më shumë se 3 muaj burgim me kusht e 300 euro gjobë, po ashtu me kusht. Ky është dënimi që kjo gjykatë ka shqiptuar për “asgjësimin” e monumentit që mbrohej nga shteti qysh nga viti 1949.
“Shtëpia e heroit të popullit Ramiz Sadiku” sipas aktgjykimit nuk vlerësohej më shumë se dënimi i dhënë me burgim dhe gjobë nuk do të ekzekutohej nëse e pandehura në afat prej një viti nuk kryente ndonjë vepër tjetër penale. Krejt çfarë ishte detyruar të paguante rrënuesja e monumentit ishin 25 euro për shpenzime procedurale e 15 të tjera për paushallin gjyqësor.