Më 2019, Gjykata Supreme e Holandës u bë e para gjykatë e lartë që krijoi detyrën ligjore të qeverisë për të parandaluar ndryshimin e klimës në përputhje me obligimet për të drejtat e njeriut. Ishte një ngjarje historike, raporton DW.
Tok me rastin holandez, ka qindra procese të ngjashme gjyqësore për klimën gjithandej botës. Së fundmi, aktivistët e rinj nga Portugalia kanë nisur një ankesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg kundër 33 shteteve të industrializuara, me pretendimin se ato kanë dështuar për t’i bërë shkurtimet e nevojshme për të mbrojtur të ardhmet e tyre.
Një film televiziv gjerman, i quajtur “Ökozid” (Ekocid), fiksionalizon një proces gjyqësor më 2034. Në të, një koalicion prej 31 shtetesh nga jugu global padisin Gjermaninë. Gjykatës Ndërkombëtare i duhet të vendosë nëse shteti gjerman ka cenuar detyrimin e vet për të mbrojtur të drejtën për jetë të të gjitha qenieve njerëzore.
Duke përdorur këtë kuadër fiksional, regjisori Andres Veiel qëmton politikat mjedisore të Gjermanisë nga 1998 deri më 2020. Me ekipin e tij ai ndërmori “një kërkim mjaft të detajuar në politikën e mbrojtjes së klimës në Gjermani”.
Regjisori njihet në Gjermani për projektet e tij që ndërkallin kërkime të tilla të hollësishme.
Për këtë projekt televiziv shpejt u bë e qartë se kuadri fiksional do të ishte më i përshtatshëm sesa “të garonin me BBC-në me një tjetër dokumentar mbi klimën”, ka thënë Veiel, duke shtuar se qëllimi ishte të qëmtonte pyetjen: deri ku mund të shkojnë gjykatat në vënien e drejtësisë sa i përket klimës?
Por paçka se filmi është i vendosur në të ardhmen, gjykata fiksionale u referohet politikave të përditshme gjermane.
Deri më 2034, Gjermania do t’i ketë ende katër vjet para se të kompletojë mbylljen e të gjitha termocentraleve të thëngjillit, një afat i vendosur me ligjin e 2020-s. Legjislacioni ishte konsideruar si “sukses i madh politik për të gjithë ata që e duan një të ardhme më të mirë klimatike për fëmijët dhe nipat tanë”, por ishte kritikuar fort nga aktivistët se nuk kishin vepruar sa duhet shpejt ndaj emergjencës klimatike.
Asnjë vend tjetër nuk djeg aq shumë linjit sa Gjermania. I njohur edhe si qymyr i kafenjtë, është forma më e lirë, por edhe më e ndyrë e rrymës, dhe qindra fshatra janë shkatërruar për t’iu bërë vend gropave të minierave.
Filmi tregon sesi marrëdhëniet tradicionalisht të forta mes unioneve të punës së minatorëve dhe politikanëve kanë lejuar të zgjerohet politika ndotëse e energjisë, edhe pse një numër vendesh pune ishin të lidhura me format e reja të energjisë së përtëritshme.
“Por në të vërtetë ka ngjarë e kundërta”, shprehet Veiel. “Përmes kësaj mbështetjeje afatshkurtër në energjinë konvencionale, përfshirë termocentralet e thëngjillit, Gjermania e ka humbur dritaren e mundësisë për të zhvilluar teknologji si hidrogjeni e elektromobiliteti”.
Ndërkohë, kompani kaliforniane dhe ajo kineze e kanë marrë udhëheqjen në këto fusha.
“Ne kemi humbur vite në shumë nivele. Nga një synim afatshkurtër për profit, qëllimet e nevojshme afatgjata nuk janë ndjekur”, ka thënë regjisori.