Kulturë

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” si tregim

“...tani që po e rimendoj më duket se jam përafërsisht i saktë, por kurrsesi plotësisht. Eshtrat e një prostitute kanë qenë vërtet në themel të këtij libri, por ato s’ishin veçse një fazë e mëvonshme, një sendërtim i mëtejshëm i një turbullire të vjetër, kurse zanafilla e vërtetë duhet të ketë qenë më e thellë. Një rrasht kali, ndoshta një rrasht kurrizor kali i zbardhur, me një mbeturinë palce përbri djerrinës së fushës së aeroportit, që e kisha parë gjatë një pikniku në fëmini dhe që më mbeti në mendje për një kohë të gjatë”, shkruan Kadare

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është një observacion i herëpashershëm mbi një obsesion të përhershëm të autorit. Ky obsesion, që është bërthamë e romanit, lidhet me hapjen e shtëpisë publike në kohë lufte në Gjirokastër, kur autori ishte ende në moshë të mitur dhe tregimi për një shtëpi të tillë në vendlindjen e tij ia nxiti fantazinë më shumë se gjithçka tjetër. Kështu, derisa e kujton gjenezën e “Gjeneralit”, autori shprehet: “Bërthama e parë e tij ishte tregimi për hapjen e shtëpisë publike të ushtarëve në Gjirokastër, një nga kujtimet më trazuese të fëminisë sime. Nuk e teproj aspak po të them se ajo e pasuroi në atë kohë fantazinë time më tepër, ndoshta, se biblioteka dhe kinemaja e qytetit. Madje ende sot mendoj me njëfarë frike se pa të, ndoshta, edhe romani im i parë, ai që më solli aq fat, nuk do të lindte” (Kadare 2004: 64-65).

Shikuar në planin psikanalitik, “Gjenerali” e ka bazën në seksualitet. Fëmija i fiksuar në hapjen e shtëpisë publike edhe kur rritet e kujton atë si ngjarjen më trazuese të fëminisë. Çuditërisht Pipa kur e analizonte romanin “Kronikë në gur”, konstatonte se seksualiteti i tregimtarit është i parakohshëm. Megjithatë Kadare, disa herë në shënimet dhe intervistat e tij, e ka përmendur se ishte pikërisht shtëpia publike që e trazoi për ta shkruar “Gjeneralin”. Psikanalistët interesimin seksual të njeriut e shohin që kur ai është foshnjë. Sigmund Freud thotë: “Gabojmë kur injorojmë tërësisht jetën seksuale të fëmijëve. Nga eksperienca ime kam parë që fëmijët janë të aftë për çdo aktivitet seksual psikik dhe shumë prej tyre dhe për aktivitet seksual trupor”.

Nga kjo pikëpamje, seksualiteti i tregimtarit është i zhvilluar me kohë, po ashtu edhe interesimi seksual i autorit është krejt i natyrshëm. Le ta zëmë se fëmija sheh ndonjë puthje te jevgjit e babazotit dhe ai e di që akti i të dashuruarve duhet të shkojë më tutje. Ajo që bënin deri diku jevgjit, ndodhte e plotë në shtëpinë publike, prandaj interesimi për të ndaluarën është i pashmangshëm. Fiksimi i fëmijës në të ndaluarën është pak a shumë si fiksimi i Adamit dhe Evës në pemën e ndaluar. Mosha nuk ia ka lejuar të shkojë në shtëpi publike, por me mend ai kushedi sa herë ka shkuar dhe është dashuruar në ndonjërën nga ato. Dhe nga këto shkuarje të tij tinëz prindërve, familja shohin se fëmija nis të sillet ndryshe. Babait i tregojnë se shkaktar i këtij ndryshimi është njëra nga ato. Atëherë babai merr revolen, shkon dhe e vret të dashurën e të birit. Atëherë fëmija klith dhe zgjohet duke qarë.

Nga një trazim i tillë do të ketë lindur edhe historia për dashurinë e djalit të Hasan Bekshiut (Ramiz Kurtit) ndaj prostitutës. Kështu, historia e “Gjeneralit” është një histori e Tanatosit e nxitur nga Erosi. Seksi bëhet embrion i vdekjes. Nga prostituta u sajua embrioni (fetusi) i këtij romani (Kadare 2002: 26).

Ky episod lidhej me fëmijërinë e Kadaresë, pra vendin normal do ta kishte te “Kronikë në gur”. Megjithatë, autori e futi te “Gjenerali” për ta parodizuar luftën dhe për ta lidhur lokalen (vendlindjen) me totalen (atdheun) në një roman që universalizon rrëfimin.

Kadare, disa herë në shënimet dhe intervistat e tij, e ka përmendur se ishte pikërisht shtëpia publike që e trazoi për ta shkruar “Gjeneralin”

Përveç historisë së prostitutës, autori kujtohet se origjina e romanit mund të thellohet edhe më tutje, duke e kujtuar skeletin e një kali si element fillestar që ngacmon mendjen e fëmijës dhe ka një impakt të madh në të, për të medituar mbi jetën dhe vdekjen: “Ju tregova për eshtrat e një prostitute, që përbënin tharmin e romanit ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, por tani që po e rimendoj më duket se jam përafërsisht i saktë, por kurrsesi plotësisht. Eshtrat e një prostitute kanë qenë vërtet në themel të këtij libri, por ato s’ishin veçse një fazë e mëvonshme, një sendërtim i mëtejshëm i një turbullire të vjetër, kurse zanafilla e vërtetë duhet të ketë qenë më e thellë. Një rrasht kali, ndoshta një rrasht kurrizor kali i zbardhur, me një mbeturinë palce përbri djerrinës së fushës së aeroportit, që e kisha parë gjatë një pikniku në fëmini dhe që më mbeti në mendje për një kohë të gjatë” (Kadare 2002: 31).

Ashtu si eshtrat e një prostitute, edhe dy shenjat e tjera, eshtrat e kalit dhe aeroporti, lidhen në trurin e autorit dhe si të tilla shfaqen edhe në roman: aeroporti shfaqet në fillim dhe në fund, eshtrat e prostitutës shfaqen në një kapitull të veçantë ku rrëfehet historia e shtëpisë publike, ndërsa eshtrat e kalit shndërrohen në eshtra mushku dhe përzihen me eshtrat e ushtarëve të vrarë (“Në një luginë ne gjetëm të përziera me eshtrat e ushtarëve eshtrat e një mushke, - tha gjenerallejtënanti”).

Sido që të jetë zanafilla e romanit, nga eshtrat e prostitutës apo nga eshtrat e kalit, “Gjenerali” është një fiksim fëmijërie që nuk i është shqitur nga mendja Kadaresë as në pleqëri. Kjo tregon që autori gjatë gjithë jetës është marrë me këtë roman që do t’i sillte lavdinë botërore atij vetë dhe letërsisë shqipe, në përgjithësi. Por, krahas lavdisë, do t’i sillte edhe kokëçarje të dyfishta: të brendshme dhe të jashtme. Kokëçarjet e brendshme lidheshin me kërkesat që ai kishte ndaj vetvetes, kokëçarjet e jashtme vinin nga përplasjet me censurën. Si roman me temperaturë të lartë, që ngërthente në vete kujtimet e autorit, politikën e kohës së autorit, historinë e kombit të tij, traditën dhe bashkëkohësinë e atdheut të tij, ky ishte romani më shqiptar në letërsinë shqipe dhe, si i tillë, bartte barrën e përfaqësimit jo vetëm të një letërsie, por edhe të një historie të një kombi.

Ngaqë kritika e kishte nuhatur rëndësinë e këtij romani, vërejtjet për “lëshimet” e tij ishin të pashmangshme. Edhe pas kritikave të shumta, novatorizmin e romanit e pranonin të gjithë dhe ai u shit me tirazh rekord. Kjo, prapëseprapë, nuk i mjaftonte autorit, i cili në këtë vepër shihte kompromisin. I bindur në këtë, Kadare nis retushimet me nervozizëm. Por, asnjë version e variant nuk e konsideron final, sepse ai është aq i lidhur me të, saqë dëshiron që “Gjenerali” të mos jetë kurrë i shkruar, por të jetë i shkrueshëm, sepse vetëm kështu, e gjallë, lidhja e tyre funksionon si një lidhje “midis dy njerëzve, që sa më shumë duhen, aq më shumë e torturojnë njëri-tjetrin”.

Si zgjerimin e tregimit, ashtu edhe shkrimin e kësaj historie mbi hapjen e shtëpisë publike, autori i bëri pasi shokëve të tij iu dukën tema interesante. Të dy këta shokë, që në njëfarë mënyre e nxitën shkrimin e këtij romani mbi vdekjen, pësuan tragjikisht: njëri (Drago Siliqi) vdiq në aksident ajror, tjetri (Jeronim Stulpanz) bëri vetëvrasje.

Procesi

Pasi kishte arritur famë në poezi, ku konsiderohej prijatar i poetëve që përkrahnin format novatore, Kadare mendonte të kalonte në prozë. Siç dëshmon bashkëshortja e tij, në letrën që shkrimtari i kishte nisur asaj shkruante se ndodhej “i vetmuar dhe i lumtur” në një kohë me shi në “Hotel Turizmi” në Shkodër, ku “drita, duke hyrë nga grilat e dritareve, sajonte në mure ca brinjë të vdekurish, që i shkonte aq mirë asaj që po shkruante” (H. Kadare 2011: 61). Diçka e ngjashme paraqitet edhe në roman: “Dritat shumëngjyrëshe hynin të prera rripa-rripa nëpërmjet flegrave dhe rrotulloheshin në të katër muret e dhomës. Dhe atij prapë iu kujtua ajo dhoma e madhe në kuartierin ushtarak, njëzet e ca vjet më parë, kur ai rrinte bashkë me të tjerët në tryezën e gjatë të komisionit mjekësor ushtarak. Shpesh qëllonte që nëpër duart e anëtarëve të komisionit kalonin radiografitë e rekrutëve. Ata i kthenin drejt dritës dhe brinjët e errëta rrotulloheshin, ja, kështu, mbi kokat e tyre dhe pastaj dëgjohej vetëm një fjalë, e thënë me një tingull të lodhur e të mërzitshëm: ‘i aftë’. Ata thoshin, zakonisht, ‘i aftë’ edhe atëherë kur midis brinjëve kishte ndonjë njollë të vogël”.

“Gjenerali” është një fiksim fëmijërie që nuk i është shqitur nga mendja Kadaresë as në pleqëri. Kjo tregon që autori gjatë gjithë jetës është marrë me këtë roman që do t’i sillte lavdinë botërore atij vetë dhe letërsisë shqipe, në përgjithësi

Ndonëse nuk përcaktohet koha e asaj letre, mund të supozojmë se ka qenë pranvera e vitit 1962, ngaqë në maj të atij viti tregimi “me të vdekur e me shi” botohet në revistën “Nëndori”. Në atë letër dëshmohet alternimi i kohës (shiu) dhe vendit (hoteli me grila) me temën (zhvarrimi i ushtrisë pushtuese), si dhe theksohet gjendja e autorit (i vetmuar dhe i lumtur).

Si mund të ishte i lumtur derisa shkruante një tregim aq të zymtë?

Për këtë pyetje mund të jepen tri përgjigje: e para, ishte i lumtur, ngaqë ishte i vetmuar (vetmia është kusht sine qua non për shkrimtarin); e dyta, ishte i lumtur sepse shkruante; e treta, ishte i lumtur sepse shkruante për disfatën e pushtuesve (një lumturi të tillë do ta ketë përjetuar edhe Eskili derisa shkruante “Persët”).

Tregimi

Ismail Kadare debuton në prozë me tregimin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të cilin e boton në maj të vitit 1962, në numrin e pestë të revistës “Nëndori”. Tregimi ka gjithsej 24 faqe me gjithsej nëntë kapituj të shkurtër (të shënuar me tre yje: * * *), nga të cilat kapitulli i fundit është më i gjati. Tregimi shoqërohet edhe nga dy ilustrime pa ngjyra.

Në tregim rrëfehen qartë konturet e romanit të ardhshëm. Në të mungon epigrafi i famshëm që hap romanin (“Merrini, jua solla! Ishte terren i vështirë dhe vazhdimisht bënte mot i keq”), por fillimi është i njëjtë, vetëm se dëbora mungon. Fjalia e parë e tregimit është: “Mbi tokën e huaj binte shi”. Fjalia e parë e romanit është: “Mbi tokën e huaj binte shi dhe dëborë përzier bashkë”.

Tregimi edhe pse e ka temën e njëjtë me romanin, dallon prej tij për disa motive. Po për ta parë zhvillimin e temës dhe praninë e motiveve, duhet t’i shohim të veçuar nëntë kapitujt e tregimit.

Tregimi i Kadaresë është ekzemplar i zhanrit, i cili në letërsinë shqipe kohën e artë e jetoi në vitet ’30- ‘40 të shekullit të njëzetë, me tregimet sociale (Migjeni), politike (Konica), etnografike (Koliqi) dhe folklorike (Kuteli), të gjitha herë-herë të përshkuara nga një fill psikologjik

Kapitulli i parë. Rrëfimi në fillim ka tipare klimatike (shiu, vjeshta), pastaj alternohet me gjendjen psikologjike të gjeneralit (melankolia, trishtimi, mendimet e zymta). Kështu, nga ambienti kalohet në shpirtin dhe mendjen e gjeneralit, me trishtimin e të cilit përzihej edhe ndjenja e krenarisë për misionin e tij. Gjatë rrugës me veturë, që shoqërohet nga mjegulla, shiu dhe, në fund, terri, gjenerali dhe prifti shohin pallate të pambaruara, vinça, një kishë, një xhami dhe njerëz me ombrella. Pastaj vendosen në hotel “Dajti”. Pas një heshtjeje të gjatë dhe pas një dileme të vazhdueshme të gjeneralit për të folur apo për të heshtur, më në fund heshtjen në tregim e thyen një zë i paidentifikuar: “Zoti gjeneral, telefoni…” Gjenerali shkon e kthehet me hapa madhështorë dhe nis një bisedë të ngrohtë me dy shqiptarët (një deputet dhe një përfaqësues ministrie), ndërsa “akoma i tingëllonte në vesh zëri i ngrohtë i së shoqes në telefon dhe zërat e dy fëmijëve” (Kadare, “Nëndori”, 1962/nr. 5: 54). Pas konjakut, bisedës së ngrohtë me shqiptarët dhe bisedës telefonike me familjen, gjenerali vjen në qejf dhe është gati të vërshëllejë ndonjë melodi, “sikur të mos ishte gjeneral”. Kështu mbaron ky kapitull i shkurtër.

Kapitulli i dytë fillon me fjalinë: “Pas dy javësh ata u kthyen në mbrëmje”. Kjo fjali, që shënjon një elipsë kohore, paralajmëron rrëfimin analeptik, pjesë e të cilit është historia e ushtarit të varrosur në kalanë e qytetit. Ndërkohë, paraqitet mllefi i gjeneralit për shkak të endjeve të shumta nëpër baltë, dëshira e madhe për vallëzim, dehja e tij dhe racizmi i priftit, që shqiptarët i quan “të egër, të rrezikshëm”. Edhe ky kapitull, ashtu si edhe i pari, mbaron me gjeneralin duke pirë.

Kapitulli i tretë i gjen në rrugë gjeneralin e priftin, të cilët nën shiun e imtë kërkojnë nëpër “ca krahina të ashpëra, me fshatra të rralla” eshtrat e ushtarëve të vdekur. Edhe këtu prifti flet për nivelet e popujve, duke u munduar ta arsyetojë racizmin e vet, por si gjithmonë, kundërshtohet nga gjenerali që është më racional, ndonëse më nevrik. Në një varrezë partizanësh, ata zbulojnë edhe shtatë varreza të dezertorëve fashistë. Andej kalon një plakë që, pasi kërkon të mos përzihen dezertorët me eshtrat e fashistëve të tjerë, largohet: “Mos i përzieni këta me të tjerët, biro, tha plaka. I kemi qarë me ligje si bijtë tanë”. Gjenerali shikon priftin, i cili “rrinte si i nemitur”, kurse fshatarët heshtin dhe vështrojnë varrmihësit që enden nga njëri varr te tjetri.

Kapitulli i katërt përmban historinë e prostitutës të rrëfyer nga kafexhiu me insistimin e gjeneralit, i cili pasi ka parë emrin e saj në një pllakë varri është bërë kureshtar për historinë e saj. Kështu “embrioni i romanit” (hapja e shtëpisë publike) këtu shtjellohet pothuajse si në roman, vetëm se këtu mungon shprehja “rënë për atdhe”, si dhe disa paragrafë e retushime stilistike që janë në roman (në tregim kjo histori zë pak më shumë se dy faqe, ndërsa në botimin e parë të romanit ka dymbëdhjetë faqe). Rrëfimi (dhe kapitulli) mbaron me pamjen e një kortezhi që përcjell makinën në të cilën ndodhet arkivoli me prostitutën e vrarë nga dora e Hasan Bekshiut (në roman Ramiz Kurti), djali i të cilit kishte lënë të fejuarën për të.

Kapitulli i pestë vendoset në sallonin e hotel “Dajtit”. Gjenerali dhe prifti janë në një tavolinë përballë njëri-tjetrit. Gjenerali pi konjak, kurse prifti çaj me limon. I lodhur nga endjet nëpër varreza dhe i dehur nga konjaku, gjenerali nis të mendojë për ushtrinë e tij të vdekur. Shkarravit mbi paketën e cigareve, cakton pozicionet e ushtarëve, vijat e sulmit dhe goditjen kryesore, “fiton” shumë beteja, pastaj tërhiqet, kur kujton që të gjitha ato eshtra që po i mbledh janë pasoja të një lufte më të rreptë se ajo që mendon ai. Përballë tij sheh një gjeneral tjetër (në roman këtë gjeneral e shohim si gjenerallejtënant gjerman me një dorë), i cili nuk shoqërohet nga një prift, por nga një civil: “Po ku e ka priftin ky gjeneral? Aha, ky ka me vehte një civil. Tani mungon një gjeneral me hoxhë”. Gjenerali në tavolinën përballë bisedon plot gjallëri, ndërsa këtij befas i kujtohet një betejë që mund ta fitojë me ushtrinë e tij të vdekur dhe nxjerr lapsin me dy maja për të shkarravitur në paketën e cigareve.

Kapitulli i gjashtë. Pas natës që përshkruhet në kapitullin e pestë, gjenerali dhe prifti dalin për të shëtitur në bulevard dhe bisedojnë për shqiptarët, për luftën e tmerrshme në Shqipëri, për malësorët që deri dje jetonin si në epokën e gurit, ndërsa në krahë mbanin armë moderne. Këtu prifti, për të shpjeguar lidhjen e shqiptarit me armën, duke parafrazuar Oscar Wilde-in, thotë se “klasat e varfëra kanë nevojë të bëjnë krime ashtu si klasat e pasura që kanë nevojë për art”. Mandej, edhe komunizmin e lidh me flamurin kuq e zi: “Fakti që Shqipëria përqafoi me aq zjarr komunizmin, vazhdoi prifti, tregon se atyre iu pëlqen vdekja e kuqe, siç e simbolizon edhe flamuri i tyre kuqe e zi”.

Kapitulli i shtatë përshkohet vetëm nga zëri narratorial, pa ndërhyrjen e personazheve. Këtu flitet për turneun e fundit të gjeneralit për t’i mbledhur eshtrat nëpër krahina të largëta. Ai pasi mbledh eshtra për dhjetë ditë me radhë gjatë turneut të fundit, vendos ta kalojë natën e fundit në një fshat e të nesërmen në mëngjes të nisej për Tiranë dhe pastaj për Itali. Por, diku në fshat dëgjohet një daulle dhe prifti detyrohet ta ndjekë pas gjeneralin që niset për në dasmë.

Kapitulli i tetë përmban historinë e njohur të dasmës, ku plaka Nicë ia përplas gjeneralit para këmbëve eshtrat e një oficeri fashist (atëherë ende nuk quhej Koloneli Z) që ia kishte varur të shoqin dhe ia kishte dhunuar të bijën katërmbëdhjetë vjeçare. Gjenerali përkulet, mbledh eshtrat e derdhura në dysheme dhe i fut në thes, ndërsa dasmorët e shikojnë. Pastaj ai vesh kapotën, hedh thesin në krah dhe del jashtë i kërrusur, sikur të mbante mbi supe turpin dhe peshën e gjithë botës.

Kapitulli i nëntë e zbulon narratorin, i cili deri këtu mund të quhej heterodiegjetik (omniscient, apo i gjithëdijshëm), ndërsa këtu del si homodiegjetik (narrator personazh), pra nga rrëfim në vetën e tretë, e kthen tregimin në rrëfim në vetën e parë. Ja si nis ky kapitull: “Unë e pashë gjeneralin për herë të parë dhe të fundit, një ditë para se të largohej nga Shqipërija. Unë nuk e dija se ai ndodhej në sallonin e hotel ‘Dajtit’ kur shkova të blej cigare diamant në bufe. Dhe ndoshta nuk do ta kisha parë asnjëherë sikur mos ma tregonte kamarjeri. Kamarjeri më tha se në sallon ishte ai gjenerali për të cilin unë kisha pyetur një ditë. Ai më tregoi vëndin ku rrinte, sepse i dukej vetëm shpina dhe unë porosita një kafe dhe u ula përballë tij, megjithëse hyra rastësisht në “Dajti”. Gjenerali ishte krejt i zbehtë në fytyrë, si i sëmurë. Ai dukej akoma më i zbetë dhe më i vrarë, sepse ishte i parruar. Kamarjeri më tha me zë të ultë kur më solli kafenë se gjenerali gjithë mëngjesin kishte pirë konjak dhe nuk kishte lëvizur fare nga tavolina. Ahere unë e pyeta për priftin dhe ai tha se kish dy ditë që nuk rrinin më bashkë. Kështu që unë nuk e pashë dot kurrë priftin. Piva kafenë dhe ika”.

Si roman me temperaturë të lartë, që ngërthente në vete kujtimet e autorit, politikën e kohës së autorit, historinë e kombit të tij, traditën dhe bashkëkohësinë e atdheut të tij, ky ishte romani më shqiptar në letërsinë shqipe dhe, si i tillë, bartte barrën e përfaqësimit jo vetëm të një letërsie, por edhe të një historie të një kombi

Tashmë nuk dihet a narratori është autor, apo gjenerali është qenie reale. Sidoqoftë, ky paragraf e forcon besueshmërinë, duke treguar se narratori (ashtu si edhe autori) e kishte parë me sytë e tij gjeneralin. Autori s’e kishte parë kurrë priftin, por e kishte shpikur atë, meqë gjenerali i vërtetë ishte njëkohësisht edhe prift. Duket sikur narratori këtu njëjtësohet me autorin, si prifti me gjeneralin. Narratori dhe prifti janë shpikje. Autori dhe gjenerali janë të vërtetë.

Mirëpo tregimi nuk përfundon me kaq. Narratori pi kafenë dhe ik, por tregimi vazhdon: “Piva kafenë dhe ika. Gjenerali ndënji edhe shumë orë në sallonin e hotelit, fare vetëm. Ai ndoshta do të kish qëndruar kështu deri në mbrëmje, bile edhe më vonë, sepse biletën e aeroplanit e kishte në xhep dhe s’kishte më asnjë punë për të bërë”.

Kush është ky që e di edhe çka ka në xhep personazhi i tij? Narrator homodiegjetik nuk mund të jetë. Narrator heterodiegjetik nuk mund të jetë pas paragrafit fillestar të këtij kapitulli ku ai shfaqet haptazi, madje edhe pi kafe. Krejt kjo ka një shpjegim: rrëfimi është prodhim mendor i autorit, ashtu siç janë edhe narratorët dhe personazhet. Prandaj autorit që i lejohet të shpikë dy personazhe fiktive nga një gjeneral real, pse të mos i lejohet që të shpikë edhe dy narratorë, që në fakt janë një autor? Fundja, ai mund të shfaqet e të zhduket kur të dojë, ngaqë e ka krijuar krejt universin narrativ të tregimit.

Në anën tjetër, pjesa që mbetet pas paragrafit problematik në këtë kapitull paraqet takimin e gjeneralit me gjeneralin tjetër, të cilin, siç e pamë në kapitullin e pestë, për herë të parë e sheh në hotel “Dajti”, por me të cilin njihet, siç thotë autori, “në restorantin e një hoteli të vogël provincial, në jugë”. Dy gjeneralët flasin për luftën, për eshtrat, pranojnë disfatën dhe pinë konjak deri në mesnatë. Kalon mesnata ndërsa ata ende pinë e flasin. Teksa agon dita, ata vendosin të luftojnë kundër njëri-tjetrit, duke simuluar beteja mbi tavolinën e tyre, derisa njëri gjeneral e zë peng prostitutën, kurse tjetri i lutet në gjunjë t’ia lirojë. Atëherë të dy e kuptojnë që janë të humbur, të vrarë sikur ushtarët eshtrat e të cilëve i mbledhin dhe tregimi përfundon me konstatimin “nga ne vjen era vdekje”, pas të cilit ata “filluan të nuhatnin njëri tjetrin”.

Zhanri

“Gjenerali”, i shkruar në formë të prozës së shkurtër, ka temë të lartë (serioze) dhe diskurs të ulët (përqeshës), rrjedhimisht është tregim parodik, sepse kategoritë modale e tematike nuk kanë mes vete asnjë relacion varshmërie, domethënë mënyra nuk e përfshin, as e implikon temën, ashtu si edhe tema nuk e përfshin, as e implikon mënyrën, mirëpo mënyrat dhe temat të alternuara me njëra-tjetrën përfshijnë dhe i përcaktojnë zhanret (Genette 1979: 78). Po ta thjeshtësojmë, kombinimi i temës me diskursin prodhon zhanrin.

Konturet e zhanrit të tregimit i krijojnë: forma e shkurtër në prozë, një bosht ideor, një personazh qendror dhe një kompozicion dramatik me fillim, mes e fund. Sipas E. A. Poe-s, parimet bazë të këtij zhanri janë: efekti i vetëm, skicimi, selektimi dhe ekonomizmi. Tregimi efektin e arrin me temën e madhe, formën e vogël, kompozicionin e ngjeshur dhe me klimaksin dramatik. Gjithashtu, tregimi duhet të përfillë edhe këto parime: të krijojë botë në miniaturë, të japë ndjenjën e totalitetit, ta lidhë ngjarjen fort për karakteri, të përqendrohet në një ose dy karaktere, të ketë një ide dominuese, ngjarjet të krijojnë emocione, mos të krijojë rrjet motivesh; pastaj: t’i shmangë digresionet, përsëritjet dhe flashback-un, asnjëra nga të cilat nuk e ndihmon dramaticitetin e tregimit.

Tregimi i Kadaresë është ekzemplar i zhanrit, i cili në letërsinë shqipe kohën e artë e jetoi në vitet ’30- ‘40 të shekullit të njëzetë, me tregimet sociale (Migjeni), politike (Konica), etnografike (Koliqi) dhe folklorike (Kuteli), të gjitha herë-herë të përshkuara nga një fill psikologjik. “Gjenerali” vjen si një sintezë e këtyre modeleve paraprake. Kadare e përfshin aktualitetin social e politik, si dhe realitetin etnografik e folklorik, duke e mbitheksuar komponentën psikologjike. Fryma gogoliane që ia zë frymën prozës së Kutelit, është e pranishme edhe te tregimi i Kadaresë. Madje implikimi i narratorit brenda rrëfimit, siç ndodh në kapitullin e fundit të tregimit, ndjek haptazi shkollën gogoliane. Duket se autori e ka ndjerë rrezikun e imitimit të implikimit narratorial, prandaj në versionin roman e heq atë pjesë dhe, kështu, rrëfimin ia lë në dorë narratorit heterodiegjetik, që nuk arrin ta mbulojë gjithkund autorin e, si rrjedhojë, më shumë se për narrator, në roman mund të flitet për autor të implikuar.

Alternimi i temës së lartë (serioze) me stilin e ulët (përqeshës) prodhon parodi. Kësisoj, gjinia e “Gjeneralit është tregim”, kurse tipi është parodi. Parodia nënkupton presionin e autorit mbi objektin, çka do të thotë se ajo shndërrohet në mjet që zbulon qëllimin e veprës dhe qëndrimin e autorit. Parodia, duke qenë kontrapunkt i temës, mund të shihet si tonaliteti i subjektit mbi absurditetin e objektit. Tregimi i Kadaresë synon krijimin e iluzionit të rrëfimit nga perspektiva e të huajit, mirëpo është zëri ironik që na e zbulon këtë mashtrim optik dhe e vë autorin tonë ballë për ballë me personazhet e huaja.

“Gjenerali” është shkruar sipas parimeve të tregimit dhe ka status autonom. Por pasi botohet romani, ai merr status skice dhe mund të merret si version i parë. “Gjenerali” ndërron gjininë, porse tipi (toni) mbetet i njëjtë, parodi. Nga një tekst total ai kthehet në skelet romani. Nga tekst shndërrohet në hipotekst mbi të cilin ngrihen versionet e mëvonshme.