Kulturë

Gergely Kovács feston trashëgiminë e Cziffras dhe frymëzimin e pafundmë

Prishtina i është bashkuar botës në shënimin e 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit hungarez György Cziffra. “Chopin Piano Fest” shpalosi detaje rreth krijimtarisë muzikore të kompozitorit hungarez, si dhe ftoi për të mbajtur koncert pianistin premtues e talentin e vjetëm të “Cziffra Festival”, Gergely Kovács. Debutoi në Prishtinë me repertor që i gërsheton veprat e mjeshtërve të njohur si Bach, Liszt e Chopin

Si në gjithë botën ashtu edhe në Prishtinë është nderuar krijimtaria muzikore e kompozitorit hungarez, György Cziffra, që konsiderohet si një nga pianistët me të mëdhenj të shekullit XX. Kësisoj, 100-vjetori i lindjes së tij është përfshirë në listën e përvjetorëve të rekomanduar për t’u shënuar edhe nga UNESCO-ja.

Në Prishtinë opusi i tij muzikor është vënë në pah në kuadër të “Chopin Piano Fest”. Në natën e tretë të edicionit të 11-të Festivali, përveçse ka shpalosur në fillim detaje rreth krijimtarisë së Cziffras, ka ftuar si mysafir fituesin e çmimit për talente në edicionin e vitit të kaluar të “Cziffra Festival”, pianistin Gergely Kovács. Pos kësaj ai është fitues i disa çmimeve dhe ka mbajtur koncerte në Hungari dhe jashtë vendit. 26-vjeçari ka diplomuar në “Akademinë Liszt” në Budapest, në të njëjtën ku Cziffra nisi studimet në vitin 1930. Kovács erdhi në Prishtinë me një program që gërshetoi vepra të mjeshtërve të njohur si Bach, Liszt e Chopin.

Koncertin e nisi me veprën “Chaconne” të kompozitorit gjerman Johann Sebastian Bach, aranzhuar për piano nga F. Busoni, që në origjinal është kompozuar për violinë. Shumëkush e konsideron si jo shumë të mirë krahasuar me origjinalin, por që pianisti Kovács e ka shumë për zemër. E konsideron shumë dramatike e plot emocione një kompozim i shkruar gjatë një periudhe çliruese e kreative për kompozitorin. Më pas erdhi “Sonate b-mol S.178” e Franz Lisztit. U desh shumë kohë që kjo vepër të përfshihej në repertorët e koncerteve, për shkak të vështirësisë teknike dhe pritjes fillestare negative për shkak të statusit të saj si “muzikë e re”. Sidoqoftë, në fillim të shekullit XX vepra ishte në mesin e të interpretuarave nga opusi i Liszt dhe mbetet e tillë edhe në ditët e sotme. Mbrëmja vazhdoi me katër kompozime të kompozitorit Frédéric Chopin: “Scherzo b-mol Op.31”, “Grande valse brilante Es-dur Op.18”, “Valse As-dur Op.34. No.1” dhe “Valse e-mol Op. Posth”, për t’u përmbyllur me veprën “Mephisto – Waltz No.1” të Franz Liszt. Krejt janë të lidhura nga filli i padukshëm dhe i pafund i frymëzimit.

Pianisti Gergely Kovács ka thënë se të jesh pianist është një profesion kur asnjëherë nuk mund të thuash se dini gjithçka.

“Kemi një repertor aq të gjerë saqë e gjithë jeta nuk është e mjaftueshme dhe gjithmonë mund të luani më mirë, gjithmonë ka diçka për të mësuar, mund të zbuloni gjëra të reja. Nuk është asnjëherë e mërzitshme, është gjithmonë një sfidë e re”, ka thënë ai. Ka shtuar se qëllimi i tij është që të luajë në sa më shumë koncerte që mundet pasi që për të skena është vendi ku ai ndihet më së miri.

Ky është koncerti i parë jashtë Hungarisë që ka dhënë qëkur ra pandemia në mars të vitit të kaluar. Qëndrimin e tij njëditor përveç koncertit e ka shfrytëzuar edhe me masterklasën me studentë e nxënës, që është mbajtur në hapësirat e Fakultetit të Arteve.

“Është një qytet i mirë dhe vend i bukur dhe jam i lumtur që kam ardhur. Shpresoj të kthehem e të rri me gjatë”, ka thënë ai.

Image
“Kemi një repertor aq të gjerë saqë e gjithë jeta nuk është e mjaftueshme dhe gjithmonë mund të luani më mirë, gjithmonë ka diçka për të mësuar, mund të zbuloni gjëra të reja...”, ka thënë pianisti Gergely Kovács

Ishte ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze, veçoi krijimtarinë e kompozitorit György Cziffra krahas lojës së Gergely Kovács. Sipas tij, trashëgimia e kompozitorit Cziffra do të përmbushet duke ndjekur shembullin e tij, mbështetjen e gjeneratave të reja.

“Dëshiroj që të besoj se kemi mposhtur pandeminë me këtë Festival pasi që është i pari që mbahet që nga pandemia. Shenjë e fitores karshi virusit është fakti se sonte mund të jemi të gjithë së bashku këtu. Një shenjë shumë e mirë”, ka thënë ai, duke theksuar bashkëpunimin shumëvjeçar të tyre me festivalin “Chopin Piano Fest”.

Drejtoresha organizative e “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha, ka thënë se falë bashkëpunimit me Ambasadën e Hungarisë në Kosovë kanë arritur që të sjellin artistë të njohur e të dalluar nga Hungaria.

“Gergely Kovács është një pianist 26-vjecar, i ri, por shumë serioz dhe i përkushtuar. E patë edhe gjatë performancës, kur publiku e shpërbleu me duartrokitje. Është kënaqësi për ne pasi që përveç koncertimit ai e ndau përvojën e tij edhe me studentët tanë me mastërklasë. Këto bashkëpunime janë edhe ura takimi e bashkëpunim profesional”, ka thënë ajo. Ka shtuar se ky koncert shënon edhe bashkëpunimin me “Cziffra Festival”.

“Do të shohim që në të ardhmen edhe ne të dërgojmë dikë në ‘Cziffra Festival’ në Hungari ose të kemi edhe bashkëpunime të tjera. Pra, është një mënyrë shumë e mirë edhe për shkëmbim kulturor dhe diplomaci kulturore”, ka thënë ajo.

Koncerti i ardhshëm i “Chopin Piano Fest” do të jetë të hënën me mysafirë sopranon Marjana Leka dhe tenorin Armanldo Kalogjeri nga Shqipëria, në shoqërim të pianistes Lejla Pula.