Qysh prej shkurtit të vitit 2018, kur është themeluar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, ky organ nuk i ka pasur të qarta kompetencat e veta.
Gati tre vjet pas themelimit të Inspektoratit, të hënën është miratuar Rregullorja për kompetencat, autorizimet dhe procedurat e inspektimit dhe të ankesave të Inspektoratit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, Rregullorja përpos që përcakton kompetencat dhe autorizimet e Inspektoratit, ajo rregullon edhe të drejtën e ankimit në rast të vendimeve të caktuara të institucionit. Në njoftim sqarohet se ndër të tjera Rregullorja përcakton përbërjen dhe funksionimin e Inspektoratit si shërbim përbrenda MKRS-së, kompetencat e drejtorit të ITK-së, detyrat dhe përgjegjësitë e inspektorëve të trashëgimisë, procedurat dhe veprimet e ITK-së në zonat e mbrojtura të aseteve, inicimin e procedurave të inspektimit, caktimin e inspektorit, vizitat inspektuese, procesverbalin e inspektimit, zbatimin e vendimit, të drejtën e ankimit dhe një varg çështjesh të tjera.
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, pas nënshkrimit të Rregullores ka thënë se që nga themelimi i këtij institucioni në vitin 2018, ka pasur mangësi të kornizës ligjore dhe me nënshkrimin e këtij akti normativ po definohen saktë kompetencat e ITK-së.
“Paqartësia e kompetencave ndërmjet institucioneve të trashëgimisë kulturore, Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorive të Inspektoratit dhe të Urbanizmit në Komuna tash e tutje do të jenë të qarta pasi rregullorja që është nënshkruar i saktëson këto aspekte. Si ministre ndihem mirë që një institucioni kaq të rëndësishëm si ITK-ja po ia plotësojmë rregullativën ligjore, sepse në mungesë të ligjit sekondar ka pasur mungesë të kryerjes së inspektimeve në terren. Madje, kjo rregullore do të mundësojë edhe një koordinim më të madh ndërinstitucional”, citohet të ketë thënë Dumoshi. Sipas komunikatës, ajo po ashtu ka thënë se si ministre gjatë mandatit do të angazhohet maksimalisht në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës.
Shteti ishte vonuar 12 vjet për të themeluar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, që përcaktohet me Ligjin e trashëgimisë kulturore të miratuar më 2006.
“Inspektorët e caktuar nga Ministria, në pajtim me një akt nënligjor bazuar në këtë ligj, vlerësojnë kushtet dhe gjendjen e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe ndërmarrin masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, përcakton Ligji. Aty po ashtu ceket se pronari, poseduesi ose shfrytëzuesi i trashëgimisë kulturore të mbrojtur është i obliguar të mos pengojë inspektimin.