Kulturë

Frymë e re për perlat shqiptare me “New Bornin” në “DAM”

Vepra që kaherë janë bërë trashëgimi e muzikës shqipe kanë qenë kryefjala e koncertit të parë të programit qendror të “DAM”-it, me orkestrën kamertale “New Born”. Por muzikantë të zot e organizatorë të dëshmuar festivalesh nuk mjaftohen me kaq. Me sopranon Zana Abazi-Ramadani, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, po këtyre veprave u jepet një tjetër ngjyrim mjeshtëror, në interpretim e aranzhim. Veprat e literaturës së huaj janë vetëm dëshmi shtesë e profesionalizmit

Misionin për promovimin e literaturës muzikore të Ballkanit, festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” e filloi nga vendi. Kompozitorëve shqiptarë ua dha stafetën për nisjen e maratonës së programit qendror. Zgjodhi orkestrën kamertale “New Born”, që në fokus ka pikërisht perlat e kulturës muzikore shqiptare. Interpretimi i tyre erdhi në një format që e bën muzikën klasike të qasshme për të gjithë, duke gërshetuar kështu këngët tradicionale me interpretimin klasik.

“Asaman”, “O moj bukuroshe”, ishin këngët që nisën koncertin, që u pasurua tutje edhe me “Mallëngjimin” e Rashid Krasniqit, “Bareshën” e Rexho Mulliqit, “Vet ke mbet” të Gjergj Kaçinarit, “Valsin e Lumturisë” të Avni Mulës dhe “Lamtumirë” të Muahrrem Qenës dhe “Unë biri yt Kosovë”.

Ansambli po ashtu solli edhe literaturë botërore muzikore, si “Share my yoke” të Joy Weeb, “O luce di quest: anima” të Gaetano Donizzetit – që i dha më shumë hapësirë për të dëshmuar potencialin solistik sopranos së mbrëmjes – si dhe “Concierto de Aranjuez – Adagio” e Joaquin Rodrigo.

Solistja e mbrëmjes Zana Abazi – Ramadani dhe dirigjenti Edon Ramadani edhe më herët ishin mysafirë të “DAM”-it. Së bashku patën interpretuar edhe në edicionin e parë të festivalit. E rikthimi kanë thënë se u jep çdoherë kënaqësi.

Image
Zana Abazi - Ramadani që u dha hiteve tradicionale një finesë klasike përmes vokalit të saj të ëmbël ka thënë se “DAM”-i është një vend i veçantë për ta pikërisht për shkak të bujës që ka bërë në vend dhe përkrahjes që ka treguar ndaj muzikantëve

Abazi - Ramadani që u dha hiteve tradicionale një finesë klasike përmes vokalit të saj të ëmbël ka thënë se “DAM”-i është një vend i veçantë për ta pikërisht për shkak të bujës që ka bërë në vend dhe përkrahjes që ka treguar ndaj muzikantëve.

“Këto vepra erdhën për arsye se kemi mungesë të aranzhimeve të veprave shqiptare që janë të njohura dhe ne mundohemi që këto vepra t’i promovojmë edhe jashtë vendit”, ka thënë Abazi - Ramadani.

Gjersa dirigjenti i mbrëmjes ka shtuar se po mundohen nga pak ta pasurojnë literaturën e aranzhimeve dhe orkestrimeve.

“Në këtë rast për këtë lloj formacioni edhe pse jo standard, por sadopak po mundohemi që përmes programit që kemi zgjedhur me orkestrën kamertale ‘New Born’, e që është kryesisht shqiptare, këngët prej më të mirave tonat që mendojmë ne se janë, t’i sjellim me një frymë pak më, le të themi, klasike”, ka thënë ai.

Numri më i madh i aranzhimeve të krijuara enkas për këtë orkestër u realizua pikërisht nga dirigjenti i ansamblit dhe nga dy anëtarët: kornisti Avni Krasniqi dhe trombetisti Betim Krasniqi. Pjesë e “New Bornit”, përveç tyre, janë edhe Flautistja Kaltrina Krasniqi, klarinisti Shkumbin Bajraktari, violonçelisti Arian Zherka e kontrabasisti Lulzim Lushtaku, si dhe violinistët Gëzim Latifi, Erlinda Gashi dhe Vjosa Hoxha në violë.

Mes veprave të interpretuara ishte edhe “E kujtoj atë takim” e kompozitores Pranvera Badivuku. Sipas kompozitores Badivuku, skena muzikore ka një plejadë muzikantësh.

“Ishte një mbrëmje tepër e bukur, e mrekullueshme, interpretimet e Zanës ishin fantastike, secila këngë me karakter dhe veçanti të posaçme nga zëri i saj i ëmbël. Edhe kënga ime që u interpretua nga Zana me orkestrim të Edonit me formacion të ‘ New Bornit’ ishte pa vërejtje në çdo pikëpamje dhe më duket se e ngriti edhe më lart nivelin e këngës sime”, ka thënë ajo. Sipas saj, jo vetëm për të, por për të gjithë të pranishmit koncerti ofroi kënaqësi, pasi që veprat janë të njohura.

“Për vite të tëra i kemi në zemër këto këngë, posaçërisht pse janë të traditës sonë dhe janë të autorëve shqiptarë”, ka thënë ajo.

Image
“Asaman”, “O moj bukuroshe”, ishin këngët që nisën koncertin, që u pasurua tutje edhe me “Mallëngjimin” e Rashid Krasniqit, “Bareshën” e Rexho Mulliqit, “Vet ke mbet” të Gjergj Kaçinarit, “Valsin e Lumturisë” të Avni Mulës dhe “Lamtumirë” të Muahrrem Qenës dhe “Unë biri yt Kosovë”. Ansambli po ashtu solli edhe literaturë botërore muzikore (Foto: Agon Mehmeti)

Rreze Kryeziu, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit “DAM”, ka thënë se koncertet e parapara për këtë edicion kanë në fokus artistët nga rajoni dhe mbajtjen e publikut afër vetes.

“Filluam me ansamblin ‘New Born’, pasi që vetë edicioni i festivalit ka qenë i planifikuar si i tillë të hapet me këtë ansambël. Për dy herë radhazi nga muaji mars ne e kemi shtyrë festivalin dhe çuditërisht sa liroheshin masat dhe në momentin që ne caktonim data dhe një ditë para ktheheshin masat kundër COVID-19 dhe ne obligoheshim që ta shtynim festivalin. E gjithë kjo si tendencë e vazhdueshme që ta rikthejmë këtë format për ta pasur më afër publikun”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se kanë kthyer sytë kah literatura e Ballkanit për shkak të kufizimeve pandemike e që e bën më të lehtë qasjen e artistëve nga rajoni, por edhe për shkak të potencialit vendas që çdoherë duhet shpalosur para publikut.

“Unë po besoj që fillimisht ne duhet të nisemi nga rajoni, t’i promovojmë muziktarët tanë e tutje të rezervojmë programin tonë ashtu siç kemi bërë zakonisht për lidhje me botën, të cilën e kemi evidentuar edicion pas edicioni”, ka shtuar ajo.

Rruga nuk ka qenë aspak e lehtë as për këtë festival muzikor për shkak të pandemisë, që në një formë ua përcaktoi edhe datat e sivjetme, prej 11 deri më 26 nëntor.

Për një dekadë e gjysmë “DAM” tashmë është bërë festival me nam. E, kushtet mbesin të njëjta. Edhe ky përvjetor i gjeti në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.