Në një epokë të përcaktuar nga përparimet e shpejta teknologjike dhe ngjarjet shpesh të çuditshme që ndodhin për ditë nëpër botë, fotografia ka forcuar rolin e saj si një medium i fuqishëm për dokumentimin, komunikimin dhe ruajtjen e thelbit të kohës sonë. Nga platformat e mediave sociale te galeritë dhe muzetë, ndikimi i fotografisë po bëhet gjithnjë e më i gjerë, duke shërbyer si një pasqyrë e përvojave kolektive të shoqërisë dhe një kanal për shprehjen individuale.
Roli i fotografisë në historinë ka evoluar që nga fillimi i saj. Sot, imazhet e kapura nga fotografët në mbarë botën ofrojnë informata për ngjarjet aktuale, ndryshimet kulturore dhe ndryshimet shoqërore. E mbi të gjitha ofrojnë një rrëfim vizual që plotëson të dhënat tradicionale të shkruara, duke pikturuar një pamje më gjithëpërfshirëse të çështjeve me të cilat sot ballafaqohet bota. Pavarësisht nëse është realiteti i zymtë, urgjenca e ndryshimeve klimatike ose mimikat e sinqerta të fytyrës së një fëmije, fotografitë përfshijnë emocione, momente dhe histori që rezonojnë universalisht.
E një festival i tërë kushtuar fotografisë është hapur zyrtarisht mbrëmjen e së premtes në Prishtinë. Është Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Fotoist” themeluar nga fotografi i njohur Burim Myftiu, i cili para të pranishmëve në sheshin “Zahir Pajaziti” e ka hapur edicionin e parë të “Fotoistit”.
“Sonte lind ‘Fotoisti’ një festival i fotografisë i sapokrijuar. Është një bebe e cila do të lindë sonte me këtë ekspozitën e autorit Paul Lowe, një anglez i cili vjen me tematikën e rrethimit të Sarajevës, një ekspozitë të cilën ai e krijoi pikërisht gjatë asaj kohe, pra rrethimit të Sarajevës. Jam i lumtur që Paul kthehet sonte pas shumë vjetësh me një ekspozitë duke na sjellë paqe, por me fotografi të luftës. ‘Ne mund të falim, por nuk duhet të harrojmë’ është mesazhi i kësaj ekspozite sonte për mua”, ka thënë Myftiu.
Fotografia është një gjuhë universale që kapërcen kufijtë dhe barrierat gjuhësore. Për më tepër, fotografia e bën të mundur gjetjen e të përbashkëtave midis njerëzve, kulturave e popujve. Një fotografi ka fuqinë të ngjallë ndjeshmëri, të lidhë me realitete të largëta dhe të frymëzojë veprimin kolektiv. Një efekt të tillë e ka ekspozita “The Siege of Sarajevo” nga fotografi Paul Lowe.
“Mua si gazetar qyteti i Sarajevës më ka tërhequr me historinë e mrekullueshme se çfarë u ndodhë njerëzve të zakonshëm në situata të jashtëzakonshme. Qëndrueshmëria, guximi e kreativiteti e qytetarëve të Sarajevës dhe angazhimi i tyre për të mbrojtur të drejtat dhe vlerat e shoqërisë civile. Me ardhjen time këtu në Prishtinë po ndihem njësoj, po e marr të njëjtën ndjenjë me anë të një mikpritjeje të ngrohtë”, ka thënë Lowe. Ka bërë thirrje që imazhet e përjetësuara nga ai të shërbejnë që të mos harrohet ajo që ka ndodhur para tri dekadash.
“Këto fotografi i kam shkrepur para 30 vjetëve dhe është interesante se kur mendoj se çka ka ndodhur me këta njerëz është para një gjenerate por po vazhdon të ndodhë edhe sot dhe për këtë është e rëndësishme që ne të mos harrojmë”, ka thënë Lowe.
Imazhet bardhezi të kësaj ekspozite dëshmojnë për përditshmërinë e tmerrshme të qytetarëve të Sarajevës, por edhe për frymën e rezistencës. Rrethimi i Sarajevës, më i gjatë i një kryeqyteti në historinë moderne, filloi në prill 1992 dhe përfundoi në shkurt 1996. Pasojat e rrethimit janë: më shumë se 10 mijë të vrarë, mbi 60 mijë të plagosur dhe mbi 500 fëmijë të vrarë. Çdo i pesti qytetar i Sarajevës ishte në rrezik nga snajperët ose ndonjë armë tjetër. Me një përkushtim të madh Lowe e ka realizuar këtë seri fotografish të cilat kapin thelbin e emocionit njerëzor.
Lowe ka thënë se për herë të fundit ekspozita “The Siege of Sarajevo” është prezantuar në Beograd dhe ka nxitur diskutim midis tij dhe të rinjve të cilët i kanë thënë se vonë kanë kuptuar për këtë pjesë të historisë.
“Mendoj se secili këtu e di se ne ende jemi duke u ballafaquar me të kaluarën dhe ende jemi duke luftuar për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë. Kjo ekspozitë për herë të fundit ka qenë në Beograd ku erdhën shumë të rinj e të reja, shumë organizata. M’u afruan dhe më tregonin se as që kanë qenë të informuar për rrethimin e Sarajevës deri vonë dhe kjo njëmend na tregon se nuk duhet asnjëherë të lëmë në harresë të kaluarën”, ka thënë Lowe.
I pranishëm në hapjen e “Fotoist” ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili e ka vlerësuar të barabartë fotografinë me mediumet e tjera të artit. Për ekspozitën e fotografit nga Britania e Madhe, ka thënë se është një përjetësim i momenteve nëpër të cilat ka kaluar rajoni në përgjithësi.
“Trajtimi i fotografisë si medium i barabartë me mediumet e tjera dhe padyshim përjetësimi i çasteve të jashtëzakonshme në vend të rajonit tonë i cili ka vuajtur shumë nën rrethimin e forcave armike të organizuara nga Serbia, padyshim që bëhen bashkë në këto fotografi të cilat teksa janë të paharrueshme, gjithashtu na mësojnë se mënyra më e mirë për të mos harruar është duke kujtuar e përkujtuar”, ka thënë Kurti.
Mbrëmja ka vazhduar në katin e katërt të hotelit “Grand” ku në qendrën e artit “Barabar” janë të paraqitura edhe ekspozita të tjera, ndër to “IMAGINE: Reflections on Peace” dhe “Her Take: (Re)Thinking Masculinity”.
“IMAGINE: Reflections on Peace”, vjen si një ekspozitë multimediale që eksploron temat dhe sfidat e ndërtimit të paqes përmes një vështrimi gjithëpërfshirës në shoqëritë që kanë vuajtur dhe u kanë mbijetuar konflikteve të dhunshme. Ekspozita paraqet copëza të punës nga fotografë, jetët e të cilëve i janë kushtuar mbulimit të luftërave dhe pasojave të saj, si: Ron Haviv, Gary Knight, Gilles Peress, Stephen Ferry, Don McCullin, Nichole Sobecki, Jack Picone, Roland Neveu dhe Nicole Tung. Duke përdorur foto historike, tekste, profile video dhe mundësi interaktive, ekspozita “Imagine...” i sjell vizitorët ballë për ballë me realitetet e konfliktit të dhunshëm dhe shtron pyetjen: “Pse është kaq e vështirë të arrihet paqe kur është kaq e lehtë të imagjinohet?”,
Në kuadër të edicionit të parë të “Fotoist” vjen “Her Take: (Re)Thinking Masculinity”, një ekspozitë ekskluzive nga shtatë gra fotografe: Anush Babajanyan, Jessica Dimmock, Linda Bourne Engelberth, Ilvy Njiokiktjien, Nichole Sobecki, Maggie Steber, Sarah Terry.
“Her Take: (Re)Thinking Masculinity” është një vazhdim i bisedës së nisur nga shtatë fotografet e grupit “VII” kur u takuan për herë të parë gati një vit më parë, pasi Grupi votoi për gjashtë anëtarë të reja femra. Ekspozita përbëhet nga shtatë projekte të veçanta, secili duke eksploruar temën e maskulinitetit. Ekspozita është një reflektim i angazhimit të tyre, me mbështetjen e agjencisë, për të ndihmuar në avancimin e bisedave gjithëpërfshirëse rreth gjinisë, pushtetit dhe përfaqësimit.
Emra të njohur globalisht janë pjesë e “Fotoist” që në fillet e tij si festival. Do të vazhdojë me “The hollow of the hand”. Nga viti 2011 deri në vitin 2014, këngëtarja dhe kompozitorja e njohur Pj Harvey dhe fotografi Seamus Murphy udhëtuan nëpër Kosovë, Afganistan dhe Washington D.C., duke vazhduar një bashkëpunim të filluar me albumin “Let England Shake”. Atje Seamus Murphy mblodhi foto dhe video të shënuara nga një estetikë e zhvilluar që nga vitet 1990 në punën e tij si fotoreporter; PJ Harvey mblodhi fjalë në poezi dhe këngë.
Sipas ekipit të Festivalit, ato shkojnë përtej raportimit të thjeshtë; vendosin konflikte në një kontekst, të gjerë dhe të shumanshëm, i cili përfshin regjistrimin e realitetit, përfaqësimin e tij dhe vënien e tij në perspektivë përmes teksteve poetike. Janë gjeste, mënyra për të eksploruar realitetin dhe për ta ndarë atë me pjesën tjetër të botës.
Krahas fotografëve nga vendet e ndryshme të botës, në “Fotoist” marrin pjesë edhe shumë fotografë vendorë. Me punën e tij më të fundit vjen edhe Ferdi Limani i cili faktin se festivali mbahet në kryeqytet, ka thënë se e sheh si përparësi.
“Festivali është iniciativë vetanake e Burim Myftiut, i cili erdhi me këtë ide dhe gjëja e parë që i thashë ishte se duhet të bënte diçka në Prishtinë, sepse këtu është edhe mundësia që publiku të jetë më afër edhe hapësira është më e përshtatshme. Mandej Burimi ma ofroi mundësinë ta ekspozoj një punë timen dhe unë e propozova punën time të fundit që e kam bërë me lumin Drini i Bardhë”, ka thënë Limani.
Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Fotoist”, do të vazhdojë deri më datë 28 gusht dhe do të shtrihet në lokacione të ndryshme si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, qendra “Barabar” e sheshi “Zahir Pajaziti”.