Kulturë

“Folklori: kujtesë e praktikë” përtej traditës, në kohën e internetit

Me krejt temat që trajton, libri i Arbnora Dushit e konfirmon atë që ka si nëntitull: “Një perspektivë e re njohëse për folkloristikën”. Studiuesja hap kapituj të rinj të kësaj fushe tek ndërron paradigma dhe dëshmon se folklori modern gjëllin në rrjete sociale e gjatë pandemisë. “Folklori: kujtesë e praktikë”, i përuruar të enjten në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka edhe një pikënisje të veçantë: historinë e familjes shqiptare që e ndau kufiri midis Shqipërisë e Jugosllavisë. Edhe kufiri është pjesë e librit, i cili thyen kufijtë e studimeve të deritanishme të folkloristikës shqipe. Folklorin e zbërthen përtej studimeve tradicionale dhe e gjen lindjen e tij edhe në kohën e internetit

Një familje e ndarë prej kufirit në kohën kur Jugosllavia bashkë me Kosovën e Shqipëria i prishën raportet, qe motivi kryesor që studiuesja e folklorit Arbnora Dushi t’i rrekej një vepre të re. E kjo ishte vetë familja e gjyshes së saj, e cila për sa kohë që kishte mbetur i mbyllur kufiri, kishte mundur të komunikonte me të afërmit e saj vetëm nëpërmjet letrave.

“Folklori: kujtesë e praktikë” është titulli i librit të saj, i përuruar të enjten në sallën e madhe të Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Studiues dhe njohës të shumtë të folkloristikës kanë vlerësuar lart punën dhe vullnetin e Dushit. Kanë çmuar posaçërisht mprehtësinë me anë të së cilës Dushi arrin të trajtojë tema të pazbërthyera më parë, si dhe faktin se librat e saj janë pasuri e fushës folkloristike shqipe.

Në mbi katërqind faqe sa ka ky libër – me nëntitullin “një perspektivë e re njohëse për folkloristikën”, i botuar vjet – Dushi trajton probleme të ndryshme të fushës folkloristike, përfshirë këngët dhe baladat e vjetra popullore dhe variantet e reja të sjella më vonë, kujtesën në kontekstin e folkloristikës e historisë gojore, folklorin e folkloristikën në kontekstin e sotëm praktik e tema e nëntema të tjera të rëndësishme të kësaj fushe.

Megjithatë, rasti i familjes qe pikënisja e Dushit për libër. Gjyshja e saj vinte nga Gjakova, por familja e saj më vonë ishte shpërngulur në Shqipëri. Siç rrëfen Dushi në këtë libër, pas prishjes së marrëdhënieve Kosovë- Shqipëri, gjyshja e saj kishte arritur vetëm dy herë të shkonte te familja e saj. E gjithë kjo kishte bërë që ajo vazhdimisht të shkruante letra dhe të bënte fotografi që t’ia dërgonte familjes së saj. Por, krejt njëjtë kishte vepruar edhe familja e saj matanë kufirit. Në librin “Folklori: kujtesë e praktikë”, Dushi ka ndarë edhe disa fotografi që gjyshja ia kishte dërguar familjes së saj.

“Kufiri ka krijuar një diçka si të them dramë të vërtetë kombëtare që është manifestuar me një rrafsh të ngushtë në familjen tonë. Në fakt drama kombëtare është një mikrodramë, sepse fakti që familja ime ka qenë e ndarë andej e këndej kufirit më ka bërë që unë të rritem me ato kujtime dhe të vazhdoj edhe më tutje”, ka thënë Dushi, e cila para të pranishmëve në pika të shkurtra ka treguar historinë e gjyshes së saj dhe faktin se si edhe sot, kur kanë kaluar disa breza, dy familjet vazhdojnë të mbajnë kontakt me njëra- tjetrën.

“Të mos harrojmë se kemi të bëjmë me ngjarje faktike e kujtime të njëmenda që në një formë ose në një tjetër çdo shqiptar i ka përjetuar. Kapitulli i emërtuar: ‘Triptik ose tri këndvështrime rreth një teme: kujtesa për kufirin me Shqipërinë’, merr në shqyrtim së pari kufirin e transmodeluar në mall për atdheun e munguar, sfondin historik, nostalgjinë si emocion për humbjen dhe të jetuarit ‘matanë vendlindjes’”, ka shpjeguar në rolin e njohëses së kësaj fushe Olimbi Velaj, shefe e Departamentit të Letërsisë, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Image

Velaj, e cila njëherësh është edhe recensente e librit, ka theksuar rëndësinë e madhe që ka fakti se vepra e Dushit ecën paralelisht me zhvillimet bashkëkohore folkloristike.

“Në monografi pasqyrohet me një saktësi mjaft të madhe prirja e sotme e folklorit dhe kapet në bashkëkohësi çdo zhvillim i ndodhur në harkun kohor të dy dekadave. Sqarohet katërcipërisht gjendja aktuale e folklorit në gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan e më gjerë dhe një nga risitë e mëdha të saj është se në çdo hap të vëzhgimit e interpretimit mbahet parasysh edhe prirja botërore e folkloristikës si disiplinë, edhe diskutimet e nxehta për definimin aktual të kësaj fushe të dijes”, ka thënë Velaj.

Sipas saj, si gati asnjëherë në librat e folkloristikës Dushi flet edhe për folklorin e ditëve të sotme, një lloj të folkloristikës që ajo e gjen edhe në rrjetet sociale.

“Dushi arrin të na bindë me fakte se folklori modern, ai i kohëve të internetit dhe posaçërisht ai i kohëve të pandemisë po lind e po jeton njëlloj si në do paralele që tregon se ne nuk jemi më në epokën e folklorit tradicional, të rapsodëve të fundit në Evropë, por njëherësh me këta rapsodë ndër ne po qarkullojnë edhe format më bashkëkohore të folklorit me larminë e tyre të madhe dhe me rrokjen e fashave të gjera të grupmoshave, që mbërrihet nga kushdo që arrin të përdorë teknologjinë dhe rrjetet sociale”, ka shpjeguar Velaj.

Leontina Musa, hulumtuese në Departamentin e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka folur për punën tejet të vlefshme të Dushit.

“Edhe në këtë libër të botuar së fundmi studiuesja dëshmon seriozitetin e saj në studimin e folklorit, sidomos me qasjen që bën drejt ridefinimit të nevojshëm të folkloristikës brenda niveleve tona studimore akademike, mbështetur dhe arsyetuar nga ripërcaktimi që i është bërë kësaj disipline në qendrat studimore ndërkombëtare, në të cilat ky proces mund të quhet i pranuar”, ka vlerësuar Musa.

Teksa ka folur për strukturën dhe temat që Dushi trajton në këtë libër, Musa ka vënë theksin te nevoja e ndërrimit të paradigmës.

“Ky botim është strukturuar në pesë kapituj sipas temave të trajtuara, që shpërfaqen me një rrjedhë kapitujsh kuptimorë mirë të organizuar. Që në fillim autorja u përqaset problematikave hulumtuese në folkloristikë, të cilat i analizon dhe arsyeton nga aspekti teorik e praktik, duke trajtuar nevojën e ndërrimit të paradigmës, e cila edhe sprovon autenticitetin e elementit tradicional, për të vazhduar me pasqyrimin e rrugëtimit që merr deri në konsolidim rrëfimi personal gojor, si zhanër i definuar i historisë gojore nga prizmi i folkloristikës”, ka konstatuar ajo.

Arbnora Dushi u lind në Mitrovicë, ndërsa studimet universitare i ka kryer në Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Në po këtë fakultet përfundoi edhe studimet e magjistraturës dhe të doktoratës.

Prej vitit 1997 punon në Degën e Folklorit në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë, ku gradualisht i ka arritur të gjithë titujt profesionalë. Merret me studimin e vlerave të trashëgimisë gojore sipas metodave hulumtuese të folkloristikës moderne. “Elemente të epikës gojore në prozën e Ismail Kadaresë” (monografi), “Folkloristikë, koncepte moderne” (përmbledhje me studime teorike të përzgjedhura dhe të përkthyera nga autorja). “HOMO NARRANS: Rrëfimi personal gojor” (monografi) dhe “Folklori përtej kufijve” (përmbledhje me studime teorike), janë disa prej veprave të saj.

Ka përfunduar studimet pasdoktorate në Universitetin e Turkut në Finlandë, ku është specializuar në integrimin e metodës së historisë gojore në studimet e folklorit. Është anëtare e disa asociacioneve ndërkombëtare, në disa prej të cilave me status të anëtarit të zgjedhur e të koordinatorit për Kosovën. Në vitin 2017 është zgjedhur nënkryetare e Komisionit ndërkombëtar për studimin e baladës.