Qendra “Libart” në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, të premten mbrëma, është shndërruar në skenë të këngëtarit Petrit Çarkaxhiu dhe aktores Sheqerie Buqaj. Një mbrëmje e bukur e mbushur me muzikë, poezi dhe një gotë verë. Mbrëmje me tis melankolie për dashurinë dhe dhimbjen si tema kryesore, përçim i bukur mesazhesh nëpërmjet vargjeve e këngës, në atë që u titullua “Folè n’ letër”.
Organizuar nga ETEA, organizatë joqeveritare që ka për qëllim themelor edukimin publik, organizon mbrëmje të tilla tash e një vit. Është një mënyrë për t’i kthyer lexuesit në bibliotekë.
“Qendra ‘Libart’ është një projekt i krijuar në kuadër të ETEA-s, e njohur si një qendër e aktiviteteve, e cila u themelua në maj të vitit të kaluar, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe bibliotekën “Hivzi Sylejmani” për të përdorur një hapësirë që më herët ka qenë e pashfrytëzuar nga biblioteka. Të krijojmë një qasje më të afërt dhe aktive për lexuesin nëpërmjet këtyre aktiviteteve, për t’i tërhequr ata të vijnë në bibliotekë për diçka tjetër përveç për shërbime të bibliotekës, siç janë huazimi i librave dhe leximi në objekt të bibliotekës”, ka thënë për KOHËN, drejtori dhe themeluesi i ETEA-s, Agon Ahmeti.
Poezia nuk konsiderohet të jetë edhe aq e vlerësuar në Kosovë. Shpeshherë nuk merr vëmendjen e duhur nga publiku dhe fillon edhe të anashkalohet. Shumë njerëz e quajnë poezinë edhe si një formë arti më vete, e cila në një mënyrë kthehet edhe në performancë. Kompleksiteti i të shkruarit të vargut poetik dhe pastaj deklamimi i saj kërkon shumë kreativitet.
“Vendosa të hulumtoja rreth poezive të dashurisë, dhe vendosa që natën ta filloja me Sapphon, i cili 2500 vjet më herët i ka kënduar dashurisë. Desha të filloja që nga një kohë shumë e vjetër, ku atëherë dashuria ishte kulmi. Pastaj vazhdova edhe me autorët tanë si Ali Podrimja e vazhdova deri te Syvlia Plath, e cila nuk e ka fundin e mirë, po gjithsesi ndërlidhet me një dashuri të humbur me një dhimbje, dhe e përfundova me një autore të re, regjisoren Iliriana Arifi. Të gjitha këto duke u ndërlidhur rreth temës së dashurisë me vuajtje dhe dhimbje”, ka thënë Sheqerie Buqaj për KOHËN.
{gallery}
Publikun e mbuloi atmosfera melankolike e dashurisë me pikëllim, ku kënga dhe poezia arritën të tërhiqnin vëmendjen e të gjithë publikut duke krijuar një qetësi dhe një lidhje më të thellë rreth performuesve dhe shikuesve.
“Poezia është një art më vete. Nga një varg i poezisë mund të krijohet një performancë e pastaj edhe një alamet shfaqje. Kjo, shumë pak te ne është e promovuar e sidomos në performancë. Përçon mesazhe të hatashme përmes poezive dhe kjo gjë u pa edhe sonte nga reagimet e personave që ishin këtu sonte. Për mua nuk është me rëndësi sa është e mbushur salla, por njerëzit që janë presin ta pranojnë atë performancë. Ne duhet të edukojmë dhe kultivojmë publikun me cilësinë e artit të krijuar dalëngadalë”, ka shtuar Buqaj.
Petrit Çarkaxhiu, frontman i rock-grupit të njohur, “Jericho”, performoi një seri këngësh të grupit, si: “Kur do të pushojë kjo kangë”, “Vajza e tokave të diellit”, “Natë e gatë” e të tjera, këngë të cilat në një formë apo tjetrën i referohen dashurisë. Erdhën në formatin akustik dhe krijon një raport më intim me audiencën.
“Kam marrë një ftesë nga Agoni dhe kam pasur shumë dëshirë të marr pjesë në një ngjarje si kjo. Ishte një ambient shumë interesant dhe shumë më ndryshe dhe më vështirë se ai me të cilin jam mësuar në koncerte me grup, ku energjia është më ndryshe dhe më e zhurmshme. Ndërsa sonte ishte një natë shumë e qetë, ku edhe fokusi ishte më i madh dhe trema ishte më e madhe. Përzgjedhja e këngëve ishte shumë spontane dhe u mirëpritën nga publiku, sigurisht duke iu përshtatur temës së natës, e cila ishte dashuria”, ka thënë Çarkaxhiu për KOHËN.
Nata përfundoi nën tingujt e kitarës dhe vargjeve të këngëve të Çarkaxhiut.
ETEA do të vazhdojë me mbrëmje si kjo, në promovim të qëllimit parësor të organizatës.
“Kemi filluar gjatë pandemisë kur edhe numri i personave të pranishëm ishte shumë më i limituar, dhe kemi ofruar një laramani të aktiviteteve. Qëllim ynë është të realizojmë një aktivitet së paku një herë në javë apo në dhjetë ditë, ku përmes arteve si drama muzika e të tjera të promovojmë të lexuarit dhe rëndësinë e kulturës letrare”, ka thënë Ahmeti.