Këtu e 10 e 12 mijë vjet më parë, njerëzit e epokës së gurit filluan të kalojnë nga gjuetia në shoqëri bujqësore të qytetërimit të hershëm. Kultura njerëzore ndryshoi përgjithmonë me artin, muzikën dhe ritualet, të cilat zunë vend në zemër të këtij kapërcimi, duke ofruar mënyra të reja për t'i lidhur njerëzit me fenë dhe qëllimin e përbashkët.
Por, teksa pikturat simbolike nëpër shpella dhe stolitë zbukuruese mbijetuan që edhe ne t’i shihnim, muzika dhe kërcimi u venitën.
Tani, arkeologët në Izrael kanë zbuluar flaute eshtrash 12 mijë vjet të vjetra. I takojnë kulturës Natufiane nga periudha e paleolitit. Flautet imitojnë tingujt e fajkoit dhe mund të jenë përdorur për rituale muzikore në kohën e qytetërimit të hershëm.
“Ishte vërtet e bukur kur e dëgjuam për herë të parë – është një tingull i 12 mijë vjetëve më parë”, ka thënë për “Deutsche Wellen” autori kryesor i studimit, Laurent Davin, arkeolog në Qendrën Kërkimore Franceze në Jerusalem.
Nja 15 mijë deri në 10 mijë vjet më parë, populli i lashtë natufian ishte në krye të kapërcimit në agrikulturë.
Në kohët e hershme njerëzit kishin përcjellë stinët dhe rezervat e gjuetisë për qindra mijëra vjet, por natufianët ishin ndër njerëzit e parë që nisën të zinin vend në një hapësirë të caktuar duke formuar shoqëritë bujqësore dhe blegtorale.
“Jetonin nën qiell të hapur, por gjithashtu përdornin edhe shpellat për veprimtari specifike, më shumë gjasë kulturore e publike. Është shoqëria e parë që ka krijuar arkitekturë solide, me bazë prej guri, dhe jo më pak të rëndësishme, varrezat e para, me trajtim të veçantë të të vdekurve", ka thënë Anna Belfer-Cohen, arkeologe e periudhës së paleolitit në Universitetin Hebraik të Jerusalemit në Izrael.
Dëshmitë arkeologjike tregojnë se natufianët varrosën udhëheqësit dhe njerëzit e shenjtë në varre të përpunuara, të pasura me krahë shqiponjash të blatuara dhe mbetje të tjera kafshësh. Ky ritual e trajtim i veçantë i të vdekurve dhe varreve të tyre do të bëhej një nga zhvillimet më të rëndësishme në kulturën njerëzore si feja dhe spiritualiteti.
Studiuesit besojnë se muzika dhe arti lejuan që zërat e të vdekurve dhe të shpirtrave të kafshëve të dëgjoheshin dhe të ridëgjoheshin përmes ritualeve që kaluan nëpër breza.
Me kalimin e kohës, historitë e tyre u mitizuan, duke u përzier me përrallat e gjenezës dhe heroizmit, si dhe muzikën dhe simbolikën artistike që përdorej për të metaforizuar veprat dhe personazhet e njerëzve të mëdhenj.
Disa madje u bënë perëndi që lidhën shoqëritë së bashku rreth figurave qendrore autoritative.
“Muzika luajti rol dominues në jetën e njerëzve që nga fillimi, edhe kur gjetjet relevante për këtë janë fatkeqësisht të rralla”, ka thënë Belfer-Cohen.
Teksa rëndësia kulturore e muzikës ishte e mirëvendosur në shoqëritë e epokës së gurit, studimi i Davinit, i botuar në “Scientific Reports”, ofron dëshminë e parë konkrete se natufianët ishin muzikal.
Gërmimet në Eynan-Mallaha pranë detit të Galilesë zbuluan mbi 1 mijë e njëqind kocka shpezësh që datojnë diku mes viteve 10.730 dhe 9.760 p.e.s.
Davin dhe ekipi i tij rianalizuan kockat dhe zbuluan se në fakt shumë prej tyre ishin “aerofonë”, ose instrumente të vogla, të ngjashme me flautin.
Ndonëse jo instrumentet më të vjetra (flautet 40 mijë vjeçare janë gjetur dikur në Gjermani), ato janë më të vjetrat e zbuluara në Levant.
Flautet natufiane janë në tërësi prej kockave të krahëve të zogjve të vegjël si Teali Euroaziatik, Cooti euroaziatike apo rosave dhe patave. Flautet janë të vogla – 6 centimetra të gjata dhe 1 centimetra të gjera. Çdo flaut ka një deri në katër vrima si dhe një vend për t’i fryrë.
Kureshtarë për mënyrën se si dukeshin instrumentet, Davin dhe ekipi i tij riprodhuan tre nga instrumentet e bëra nga kockat e krahëve të dy rosave femra.
Toni i krijuar është një notë e lartë që tingëllon pothuajse si një zog grabitqar. Duke spekuluar se flautet mund të ishin përdorur për të imituar thirrjet e zogjve, ekipi luajti instrumentin dhe analizoi tingullin. Ata zbuluan se tingujt e prodhuar nga kopja e flautit ishin jashtëzakonisht të ngjashëm me thirrjet e sokolit dhe harabelave.
“Ishte e saktë. Pra, ideja është se flautet u bënë për të imituar thirrjet e skifterëve”, ka thënë Davin.
Autorët mendojnë se përdorimi i kockave të vogla të shpendëve ishte i qëllimshëm. Edhe pse më të vështira për t'u luajtur, kockat e krahëve me diametër më të ngushtë prodhuan tingullin e kërkuar të lartë.
“Mund të kishin përdorur kocka më të mëdha, por jo. Ndoshta sepse e dinin se sa më e hollë të ishte kocka, aq më i lartë do të ishte tingulli. Ata ndoshta kishin disa njohuri për akustikën”, ka thënë Davin për DW.
Flautet natufiane të gjitha kishin gjurmë rreth vrimave të gishtave, duke dëshmuar faktin se njerëzit kishin luajtur në këto instrumente. Por për çfarë përdoreshin flautet? Davin dhe ekipi i tij vetëm mund të spekulojnë, por është e mundur që flautet janë përdorur në ritualet me karakter shpirtëror ose fetar.
Indianët indigjenë në Amerikën e Veriut, për shembull, mbajtën ceremoni të përbashkëta fetare në të cilat frynin fishkëllima të ngjashme, të bëra nga kockat e shqiponjës e të zbukuruara me pupla. Në mënyrë të ngjashme, njerëzit kaluli në Papua të Guinesë së Re veshin pendë të zogjve të pyllit që konsiderohen të shenjtë.
“Indigjenët duan të komunikojnë me shqiponjat për të marrë forcën e tyre. Marrëdhënia është simbolike”, ka thënë Davin.
Një ide tjetër është se flautet përdoreshin për gjuetinë e fajkonjve, apo edhe gjuetinë me fajkoj duke përdorur vetë fajkonjtë.
“Këta janë njerëz që po ashtu ishin edhe gjuetarë. Një tjetër funksion i flauteve sipas autorëve të ndryshëm është se ata mund të ishin përdorur për të zënë në kurth ose për të gjuajtur zogjtë – ndoshta jo për mishin e tyre, por për pendët dhe kthetrat e tyre”, ka thënë Belfer-Cohen.
Është e qartë se kafshët kishin një rëndësi të jashtëzakonshme shpirtërore për shoqëritë e hershme të periudhës së neolitit dhe paleolitit. Muzika dhe arti u përdorën për të metaforizuar shpirtrat e kafshëve, të thërrisnin forcën e tyre, si në jetë, ashtu edhe në vdekje.
Dhe ende sot ne i shohim rrënjët e këtyre metaforave të kafshëve nëpër flamujt e vendeve dhe ekipeve sportive me shqiponja dhe luanë, në pseudoshkencën e shenjave të zodiakut të shkruara në gazetat e përditshme dhe në përshkrimet e njerëzve si majmunë të pacipë apo dhelpra dinake. (Marrë nga DW. Përktheu: Mirjetë Sadiku)