Artur de Gobino (Arthur de Gobineau), diplomat i lartë francez në Teheran në mesin e shekullit të 19të, në veprën e tij “Fetë dhe filozofitë e Azisë Qendrore” flet për institucionin e Ketmanit, i cili është praktikuar që në kohën e Persisë së lashtë. Sipas Gobinoit, Ketmani është mekanizëm me anë të të cilit njeriu në Persinë e lashtë e mbronte veten nga mendimet dhe ndjenjat e fshehta që ndrynte brenda vetes kundrejt fuqisë së pushtetit.
Praktika ketmane është metodë me anë të së cilës një individ apo një shoqëri, përmes shprehjes së jashtme të devotshmërisë, e fsheh qëndrimin e brendshëm kundërshtues ndaj pikëpamjeve apo autoriteteve, të cilat përbëjnë kërcënim për mbijetesën e tij/saj.
Përkufizimin e konceptit të ketmanit Gobinoi e ilustron, ndër të tjerash, me shembullin nga jeta e një dishepulli racionalist të Avicenës, me emrin Sadra, i cili, derisa ishte i pafuqishëm, i vëzhgon me kujdes të gjitha dogmat e shiizmit, i përpunon detajet më të vogla të besimit Islam dhe i afirmon ato me qëllim të fitimit të besimit nga ana e mullahëve dhe imamëve. Por, posa e kupton se nuk përbën ndonjë rrezik zbulimi i qëndrimit të tij të fshehtë, menjëherë e hedh poshtë Islamin dhe e shfaq veten si logjicien e metafizikan, ashtu siç edhe ishte në të vërtetë, dhe i hyn punës për përhapjen e avicenizmit. Shkrimtari polak Çesllav Millosh (Czeslav Milosz), në librin e tij “Mendja e robëruar”, nga leximi reflektues që i bën veprës së Gobinoit, vëren ngjashmëri ndërmjet Ketmanit të Persisë së lashtë dhe Ketmanit të diktaturës komuniste, shkruan KOHA.
Morali ketmanist
Filozofia e moralit ketmanist – si tërësi e strukturuar mbi parimin egoist të motiveve, të funksioneve dhe qëllimeve të veprimeve të një individi apo një shoqërie – nuk është e pranishme vetëm në sistemin e qeverisjes perandorake. Filozofia e moralit ketmanist gjen terren veprimi si në shtetet perandorake, ashtu edhe në ato monarkiste; si në diktaturën komuniste, ashtu edhe në diktaturën fashiste; si në sistemet e qeverisjes autokratike, ashtu edhe në sistemet e qeverisjes liberale. Pse? Në thelbin e moralit ketmanist qëndron egoizmi dhe ligësia. Për shkak se janë tipare të natyrës njerëzore, egoizmi dhe ligësia nuk janë të kufizuara në kohë.
Si tipare të natyrës njerëzore, varësisht prej kushteve dhe rrethanave, varësisht tipologjisë së strukturave që ushtrojnë presion mbi individin, ligësia dhe egoizmi marrin forma, funksione, përcaktime, orientime dhe nivele të ndryshme shtrirjesh duke u shndërruar në parime të filozofisë morale brenda një sistemi të caktuar politik, brenda një hapësire vendore e kohore. Kështu, bie fjala, për shkak se burim dhe qëllim të vetin do ta ketë akumulimin e fuqisë së pushtetit të monarkut, ketmanizmi, si filozofi morale në sistemin e qeverisjes monarkiste feudale, nuk do të jetë i njëjtë me ketmanizmin si filozofi morale në sistemin e qeverisjes autokratike liberale (siç është rasti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë), i cili – duke përdorur e keqpërdorur konceptin liberal të ekonomisë së tregut – qëllim të vetin e ka fuqizimin e pushtetit të elitave të ngushta politike e ekonomike.
Për shkak se drejtohet prej filozofisë së moralit ketmanist, sistemi i qeverisjes autokratike liberale është strukturë e hapur, e gatshme për të hyrë në ndërveprim me përbërës të sistemit të qeverisjes plutokratike (si formë e qeverisjes oligarkike), me ç’rast kompanitë ekonomike bëhen “mecenët” e subjekteve politike. Ndërsa në sistemin e qeverisjes monarkiste feudale, qëllimi i moralit ketmanist është maksimizimi i fuqisë së pushtetit të monarkut, në sistemin e qeverisjes autokratike liberale qëllimi i moralit ketmanist buron nga nevoja për mbijetesë të forcave politike dhe të të gjithë agjentëve (të subordinuar ndaj politikes) që e përbëjnë socialen