Emrat e gjashtë regjisorëve shqiptarë – Blera Basholli, Dina Duma, Fisnik Maxville, Kaltrina Krasniqi, Luana Bajrami dhe Norika Sefa – janë pjesë e programit të sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sao Paulo, që do të mbahet në formatin hibrid prej 22 tetorit deri më 4 nëntor. Regjisorët kapin tema nga vendi, por që marrin dimension universal nëpërmjet gjuhës kinematografike. Janë sa pasqyrim i jetesës në Kosovë, por edhe i ndikimit që ka vendlindja edhe kur largohesh. Mbijetesa e krushianeve, e drejta e grave për pronë, rebelimi gjatë adoleshencës, jetesa e tri gjeneratave nën një kulm dhe dëshira për të lënë pas gjithçka duke jetuar vetëm janë veç copëza të rrëfimeve të regjisorëve shqiptarë që do të shpalosen në qytetin brazilian
Gjashtë regjisorë shqiptarë janë në garë për çmimin që u ndahet regjisorëve të rinj në “Mostra”, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në San Paulo. Blera Basholli, Dina Duma, Fisnik Maxville, Kaltrina Krasniqi, Luana Bajrami dhe Norika Sefa janë në mesin e filmbërësve nga e mbarë bota, filmat e të cilëve janë përzgjedhur për të qenë pjesë e edicionit të 45-të të festivalit që thekson projektet e pavarura. Përmes programit të tij, çdo vit mundohet të reflektojë diversitetin e filmbërjes bashkëkohore duke vënë në pah talentet e reja. Gara e filmbërësve të rinj, ku janë edhe regjisorët shqiptarë, u dedikohet vendasve, por edhe të huajve që realizojnë filma fiktivë a dokumentarë. Filmbërësit, pjesë e kësaj gare, zakonisht prezantojnë projektet e tyre të para apo të dyta të metrazhit të gjatë.
Edicioni i sivjetmë i “Mostras”, që edicionet e para i zhvilloi duke luftuar me komunizmin në Brazil për të pasur të drejtën për të shfaqur filmat pa censurë, tani bën bashkë filmbërës të rinj e të talentuar nga e gjithë bota. Nuk mungon as fryma e regjisorëve shqiptarë në edicionin që nis më 21 tetor e përfundon më 3 nëntor dhe do të mbahet në formatin hibird: me prezencë fizike dhe online. Programi përbëhet nga 264 filma, nga më shumë se 50 shtete që do të prezantohen në disa kategori: “Perspektiva Ndërkombëtare”, “Gara e regjisorëve të rinj”, “Mostra Basil”, Programi Special, si dhe “Retrospektiva e Paulo Rochas”.
Lista e sivjetme përfshin filma që janë shfaqur nëpër festivale me nam, si Festivali i Filmit në Cannes, Festivali i filmit në Berlin, Festivali i Filmit në Venecie, Festivali i Filmit në Toronto e “Sundance”. Në këtë të fundit, në shkurt të këtij viti pati premierën “Zgjoi” i Blerta Bashollit. Mori edhe tri çmime: Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës.
Kandidati i Kosovës për “Oscar”, që shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe gjatë këtij muaji – bashkë me “Mostra” – është pjesë e 10 festivaleve të ndryshme. Është drama e jashtëzakonshme e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, e të cilat luftojnë kundër patriarkatit. Filmi debutues i metrazhit të gjatë i regjisores Basholli tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe gratë e tjera.
Pjesë e këtij festivali është edhe projekti filmik “Sisterhood” i regjisores Dina Duma, ku Kosova është në bashkëprodhim minor. Filmi pati premierën botërore në gusht në festivalin e kategorisë A, “Karlovy Vary Film Festival”, në konkurrencën “East of the West”, ku e mori Çmimin Special të Jurisë.
Në debutimin e saj delikat, regjisorja ka kapur momentet formuese të rinisë, kur duhet të masë përgjegjësinë për veprimet.
“Pjesëmarrja e gjashtë regjisorëve shqiptarë mendoj se është një sukses pasi është një festival i madh. Unë jam shumë e lumtur që do të jem pjesë e festivalit dhe që më shumë njerëz do ta shohin filmin tim”, ka thënë regjisorja nga Maqedonia e Veriut.
Duma në filmin e saj si personazhe kryesore ka dy vajza adoleshente – Antonija Belazelkoska dhe Mia Giro – dhe miqësinë e tyre.
Në anën tjetër, filmi “Nostromo” i shqiptarit që jeton në Zvicër, Fisnik Maxville, nuk është se ka udhëtuar nëpër shumë festivale. Produksioni zviceran pas premierës në prill në “Visions du Reel”, ku mori Çmimin si filmi më i mirë zviceran, shfaqjen e tij të dytë do ta ketë në San Paulo. Sjell rrëfimin për një qytetar parisian, i cili dëshiron të jetë vetëm dhe kështu largohet drejt një ishulli kanadez. Filmi është xhiruar në fund të vitit 2019 e është përfunduar disa javë para se të niste pandemia.
“Është një reflektim se si njeriu ka nevojë me qenë vetëm larg nga problemet shoqërore e qyteti. E mendoj se tema e filmit lidhet shumë me atë çfarë po ndodh sot”, ka thënë ai për dokumentarin e tij.
Regjisorja Kaltrina Krasniqi, e cila garon me filmin e saj “Vera andrron detin” – që pati premierën botërore në shtator në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie – ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm për kinematografinë.
“Është kënaqësi që në një festival të tillë të dominojë Kosova dhe industria e saj, e cila po tregohet më vibrantja në rajon”, ka thënë ajo.
Rrëfimi me skenar të Doruntina Bashës ka në qendër Verën, gruan 64-vjeçare, interpretuese e gjuhës së shenjave, e cila duhet ta sfidojë burrin e saj patriarkal për ta mbrojtur vajzën e tyre, të cilën ai e ka zhbirësuar. “Vera...” zbërthen temën e trashëgimisë së pronës te femrat, që është problematikë jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion e më gjerë.
Emri i regjisores Luana Bajrami në “Mostra” figuron krahas filmit të saj “Luaneshat e kodrës”. Filmi që pati premierën në qershor në Festivalin e Filmit në Cannes sjell rrëfimin e gjallë e freskues për një treshe vajzash që shndërrohen në një bandë hajdutesh për t’i shpëtuar fatit të paracaktuar.
Në anën tjetër, Norika Sefa me filmin e saj “Në kërkim të Venerës” nuk ndalet vetëm të një gjeneratë, por sjell përplasjet e tri gjeneratave brenda një kulmi. Sefa u bë regjisorja e parë kosovare, filmi i së cilës u përfshi në festivalin e njohur të filmit në Rotterdam të Holandës dhe u shpërblye. Në shkurt, në Festivalin ku pati edhe premierën botërore, mori Çmimin Special të Jurisë në kategorinë “Tiger Competition”.
“Për ‘Në kërkim të Venerës’ kjo është një tjetër premierë, tash për territorin e Amerikës Latine. Sao Paulo është një festival shumë i mirë, me një histori shumë interesante. Programi i tyre është shumë më i gjerë se programet e zakonshme, ngase mbledhin filmat më të mirë të tërë vitit të shfaqur në festivale dhe u jep hapësira me i shfaqë atje”, ka thënë Sefa.
Është shprehur e lumtur që projektet filmike të gjashtë regjisorëve shqiptarë e që janë premiera të këtij viti po shfaqen në të njëjtin festival.
Kështu, mbijetesa e krushianeve, e drejta e grave për pronë, rebelimi gjatë adoleshencës, jetesa e tri gjeneratave nën një kulm dhe dëshira për të lënë pas gjithçka duke jetuar vetëm janë veç copëza të rrëfimeve të regjisorëve shqiptarë që do të shpalosen në qytetin brazilian.