Është bërë traditë tashmë që Filharmonia e Kosovës ta përmbyllë vitin ashtu siç i ka hije, me një koncert për të cilin përzgjedh vepra atraktive, që frymojnë në ritmin e festave. Kjo është dhurata që ia bën publikut. Kësaj radhe është zhvendosur në dalje të Prishtinës, rrugës për në Mitrovicë, në sallën “AMC”, ku ka gjetur kushte më të mira. Ka pasur tjetër pamje dhe koncerti – dirigjuar prej dirigjentit bullgar, Svilen Simeonov, me soliste violinisten Sihana Badivuku – ka ardhur më masiv edhe në skenë, edhe në publik
Tamam festiv ka qenë koncerti me të cilin Filharmonia e Kosovës ka përmbyllur vitin dhe për të është “zhvendosur” pak në dalje të Prishtinës dhe aty ka gjetur kushte më të mira. Krejt tjetër dukje ka pasur koncerti të enjten mbrëma, ka ardhur më masiv. Sapo dritat janë drejtuar te formacioni i Filharmonisë së Kosovës, instrumentistët kanë interpretimin e një programi atraktiv. Vitin e ka rrumbullakuar me 35 koncerte, numër rekord për Filharmoninë e Kosovës.
Salla private “AMC”, më dinjitoze nga ato ku interpreton rëndom, ka qenë dëshmi se sa rol luan ambienti në kualitetin e tingullit të përcjellë te publiku. Ovacione ka pasur veçmas te “William Tell Overture – Finale” të italianit Gioachino Rossini, “The Blue Danube Waltz” e austriakut Johann Strauss II, “CAN-CAN - Orpheus in the Underworld” e gjermanit Jacques Offenbach, si dhe në veprën “The Good, the Bad and the Ugly” të italianit Ennio Morricone. Mbi të gjitha ka qenë fryma festive që ka determinuar edhe koncertin nën dirigjimin e dirigjentit bullgar, Svilen Simeonov, i shquar për energjinë e tij. Është njëri nga dirigjentët kryesorë të Bullgarisë dhe dirigjent i rregullt i ftuar në sallat e koncerteve gjithandej botës. Energjinë e ka përcjellë fuqishëm jo vetëm tek instrumentistët, por edhe te publiku. Koncerti festiv i Filharmonisë ka qenë edhe dëshmi për interesimin e madh të publikut pa dallim moshe. Me veprën “Die Fledermaus Overture”, të Johann Strauss II, ka nisur koncerti, e cila është karakterizuar me tinguj të paparashikueshëm, të tillë që nga të gjitha instrumentet fillojnë dhe përfundojnë në një pikë, shpeshherë dinamike. Vepra të tij që janë interpretuar kanë qenë edhe “Persischer Marsch”, “Unter Donner une Blitz” e Radetzky March” e “Leichtes Blut”. Më e lehtë ka filluar pjesa “Gabriel’s oboe” e Morricones, duke shpërfaqur melankolinë e butësinë e tingullit. “Once upon a time in America – Amapola”, po nga mjeshtri italian i muzikës së filmit, ka qenë mbizotërim i tingujve të ksilofonit, të cilët sikur ndanin interpretimin në disa etapa, derisa veçohen edhe ata të klarinetës, të cilët – për dallim nga kjo pjesë – në pjesë të tjera kanë qenë më pasivë.
Kapitull i veçantë i koncertit festiv ka qenë interpretimi i Sihana Badivukut në përcjellje të harqeve të Filharmonisë. “Introduction et Bondo Capriccioso” për violinë dhe orkestër, e Camille Siant-Sawns ka nxjerrë në pah interpretimin mjeshtëror të kësaj vepre delikate, me tingull të lehtë që e gjen forcën e përhumbur në mjegullën e butësisë. Ka nisur me interpretim të lehtë e sensitiv. Duartrokitjet e gjata e kanë sjellë Badivukun në interpretim të një tjetër vepre.
Qe “Baresha” e famshme e orkestruar nga Gerti Druga që solli këngën shqiptare popullore në mes të rrugëtimit me vepra botërore.
“Më thanë të përzgjedh një vepër më efektive dhe kjo është një kryevepër virtuoze që luhet shpesh, jo vetëm në koncerte festive, por edhe në koncerte të rëndësishme. Ka ato finesat e veçanta. Prishtinës me të vërtetë i duhet një sallë e mirëfilltë koncertale me një mijë ulëse. Publiku ishte shumë i etur, është pak vështirë të luhet me mikrofona, me zërime kështu artificiale sepse ne luajmë me tingull dhe e kontrollojmë atë intonacionin tonë”, është shprehur Badivuku, e cila “Bareshën” e ka vlerësuar si emblemë të muzikës tradicionale shqiptare.

Pjesa “Feuerfest Polka” e austriakut Josef Strauss ka qenë interaktiviteti për publikun, ku për disa minuta kanë pauzuar perkusionet për t’u zëvendësuar me shuplakat e publikut. Vepër tjetër e luajtur e Josef Strauss ka qenë edhe “Auf der Jagd” me lojën intensive të harkorëve. Për tingujt e fishkëllimave të përshtatur në melodinë e veprës “The Good, the Bad and the Ugly”, kritikat e dirigjentit janë adresuar me shaka te publiku. “Në rregull, do ta përsërisim vitin tjetër”, ka thënë ai. Pjesën “The Blue Danube Waltz” e ka ndërprerë në gjysmë për të uruar festën e Vitit të Ri edhe në shqip.
Me rikthimin në luajtje të kësaj vepre ka sjellë tingujt përrallorë të lumturisë e qetësisë. Në disa pjesë të veprës, ku tingulli ishte më i zgjatur, violinistët i ka ftuar të ngrihen në këmbë. Madje ka lutur dy anëtarë të trupës për ta kthyer skenën në shesh vallëzimi për pak çaste. Për t’i testuar kapacitetet e trupës së Filharmonisë, Svilen Simeonov shpesh ka improvizuar me partitura për të parë përpikërinë e vëmendjen e tyre drejt tij. “Unter Donner une Blitz” ka qemë si himn i lumturisë me tingullin dinamik, të shpejtë e kulmues, përkundër se ka qenë e shkurtër si pjesë.
Nivelin Filharmonia e Kosovës e ka dëshmuar kudo ku formacioni i saj ka zënë vend. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është shprehur se mbështetja për të do të vazhdojë. Ndonëse salla koncertale është improvizuar edhe në koncertin e fundvitit, Çeku ka vlerësuar se trajtimi i temës së tillë në mbyllje të programit nuk është respekti i duhur ndaj trupës së muzikantëve.

“Angazhimi ynë për infrastrukturën e kulturës është i vazhdueshëm, data është vështirë të japim, pasi ato projekte duhet të bëhen mirë dhe në kohën e tyre, për ta bërë mirë duhet të mos e kemi presionin e kohës. Nëse në një ngjarje kaq të rëndësishme e kalojmë kohën më të madhe duke folur për infrastrukturë e ndërtesë, unë besoj që nuk po ua japim respektin e duhur artistëve e muzikantëve tanë. Besoj që për hir të respektit të tyre duhet të bisedojmë më shumë për atë që e kemi shijuar, për programin e përmbajtjen”, ka thënë ministri Çeku, derisa ka vlerësuar se infrastruktura e ka rëndësinë e saj, por asnjëherë nuk është arsye për të mos bërë program.
Mbështetjen për institucionin vartës të Ministrisë së Kulturës e ka konfirmuar, duke përmendur se përpos projekteve për sallën koncertale e atë të Teatrit të Operës dhe Baletit, do të angazhohen edhe në rinovimin e hapësirave ekzistuese.
“Do të ketë angazhim edhe vitin e ardhshëm, ku do të punohet në këtë drejtim, por edhe të rinovojmë hapësira ekzistuese, siç po bëjmë tani me atelienë në Pallatin e Rinisë dhe të krijojmë kushte më të mira pune për Filharmoninë. Shumë shpejt besoj se do të bëhet edhe rinovimi i Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë, sivjet kemi inauguruar disa qendra kulturore në komuna të ndryshme”, ka thënë Çeku më tej.

Gjatë këtij viti, Filharmonia e Kosovës kishte interpretuar në qytete të ndryshme të Kosovës, në rajon e më gjerë, me ç’ rast edhe motoja e saj kishte qenë “Harmonia në lëvizje”.
Drejtori i saj, Baki Jashari, është shprehur se me ritmin e mbajtjeve të koncerteve dhe zgjerimit të programit në qytete të tjera do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023. Ai ka treguar se risi e Filharmonisë do të jenë koncertet për fëmijë, derisa qysh në muajin mars, Filharmonia e Kosovës do të zbarkojë në Portugali, ndërsa në Selanik të Greqisë gjatë prillit. Me institucionin homolog do të ketë disa shkëmbime kulturore në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor.

“Natyrisht se ne i kemi bërë planet për vitin që vjen dhe patjetër se do të vazhdojmë se moton ‘Filharmonia në lëvizje’, pasi kjo është jo vetëm kërkesë e Ministrisë, por edhe synimi ynë që të decentralizohet aktiviteti i Filharmonisë nga Prishtina në qendrat e tjera. Muajt e fundit kemi lëvizur në qytete të Kosovës dhe kjo do të vazhdojë”, ka thënë Jashari.
Madhështia e Filharmonisë së Kosovës vihet çdoherë në pah, pavarësisht kushteve e skenës ku interpreton. Kapitulli tjetër në radhë pritet të shihet përgjatë vitit në ardhje.