Kulturë

Festivali i Teatrove në Ferizaj refuzon Ministrinë e “fiskulturës”

“...a s’është ky mësim që ministri i Kulturës besojmë se duhet ta ketë mësuar nga ato takimet e tija të fillimit me komunitetin artistik?’ Ja përse ‘fiskulturat’ e MKRS-së për njëlloj ‘memorandumi’ nuk i marrim seriozisht, madje i përbuzim, edhe atëherë kur ato paketohen e vijnë me tone ‘dashamirësie’”, ka reaguar Festivali i Teatrove në Ferizaj. Ministria e Kulturës ka rikujtuar se Festivali s’i ka plotësuar kriteret por, megjithatë, i është ofruar mbështetjen që s’e ka asnjë festival tjetër në Kosovë

Festivali i Teatrove në Ferizaj ka vendosur që të refuzojë synimin e Ministrisë së Kulturës që ta mbështesë këtë ngjarje nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit. Këtë vendim festivali e ka marrë si “si akt qëndrese e solidariteti”.

Pasditen e së enjtes organizatorët e Festivalit me traditën më të gjatë në Kosovë dhe jo vetëm, kanë dalë me reagim. Krejt kjo është bërë pasi Ministria e Kulturës nuk e ka përkrahur ngjarjen nëpërmjet “Thirrjes për projekt-propozimet kulturore 2023”. E në fillim të javës MKRS-ja, e pyetur nga KOHA, kishte deklaruar se mbështetja do të bëhet nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit. Por, për organizatorët e Teatrin e Ferizajt “Adriana” kjo është e papranueshme.

Pas refuzimit, MKRS-ja ka pasur një tjetër përgjigje. Ndër të tjera, ka shkruar se kësaj ngjarjeje i kanë ofruar mbështetjen që s’e ka asnjë festival tjetër në Kosovë.

“Qasja e zgjidhjeve të problemeve në kulturë, përmes improvizimeve e përmes ‘fiskulturave’ të llojit ‘Deux ex Machina’ jo vetëm që nuk është serioze, por është pa dyshim edhe e rrezikshme”, shkruhet në reagimin e Festivalit. “Deux ex Machina” është një pajisje komploti ku një problem në dukje i pazgjidhshëm në një histori zgjidhet befas nga një dukuri e papritur.

Sipas organizatorëve, në konkursin publik për mbështetje financiare, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me vetëdije të plotë ka refuzuar ta financojë mbajtjen e edicionit të 53-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

“Pas secilës fazë refuzimi organizatorët e FTF-së kanë pritur të hutuar, por me durim, një përgjigje zyrtare e një shpjegim logjik e bindës për këtë lëshim si duket të qëllimshëm të MKRS-së. Por, përgjigje nuk ka pasur”, shkruhet në reagimin që shoqërohet me një poster ku Ministria e Kulturës bëhet “Ministria e Fiskulturës”. Të hënën e kishte bërë “Ministri e Kuturusë”.

“Sigurisht që reagimi zyrtar nga FTF ka ndodhur pas një përpjekjeje që përmes ankimimit të gjejë mbështetjen e më se merituar nga MKRS-ja. Por, në vend të përgjigjeve zyrtare, nga MKRS vinin vetëm ca fjalë të thata, në formën e thashethemeve jozyrtare, për një ‘memorandum’, për diçka ‘afatgjate’... Fjalë boshe, të cilat jemi mësuar t’i dëgjojmë kaq shpesh, e më shpesh si forma të sofistikuara presioni e shantazhi. Pra, ‘silluni mirë, mos bëni zhurmë se ne po mendojmë për ju, po mendojmë të gjejmë zgjidhje afatgjate, përmes një memorandum-dum-dum... e kështu ngjashëm’”, shkruhet në reagim.

Aty bëhet e ditur se organizatorët e Festivalit të Teatrove e konsiderojnë jashtëzakonisht të dëmshme, shpërfillëse e jodemokratike qasjen e cilitdo autoritet, i cili në formë arbitrare, pa konsultimet e nevojshme, përpiqet të gjejë “zgjidhje” për probleme e çështje të caktuara, të cilat prekin komunitetin artistik, prekin të ardhmen e institucioneve të kulturës dhe prekin pavarësinë e këtyre institucioneve.

“Më në fund, a s’është ky mësim që ministri i Kulturës besojmë se duhet ta ketë mësuar nga ato takimet e tija të fillimit me komunitetin artistik?’ Ja përse ‘fiskulturat’ e MKRS-së për njëlloj ‘memorandumi’ nuk i marrim seriozisht, madje i përbuzim, edhe atëherë kur ato paketohen e vijnë me tone ‘dashamirësie’”, shkruhet në reagim. Aty bëhet me dije se FTF e asnjë institucion tjetër i kulturës nuk ka nevojë për ‘dashamirësi’, as për ‘engjëj shpëtues’ e ‘supermen kulturor’ që premtojnë karota për të sanuar problemet që vetë i krijojnë”, shkruhet aty. Bëhet e ditur se institucionet kulturore kanë nevojë për komunikim të sinqertë, për bashkëpunim dhe për mbështetje konkrete.

“Prandaj, ne e refuzojmë mbështetjen e vonuar (të supozuar) të MKRS-së, e cila u propozua të vijë përmes këtij ‘memorandumi’. Idetë e ‘zorit’, që synojnë ‘të kryejnë punë’ e sa për të shuar zjarre të përkohshme nuk janë të qëndrueshme. Prandaj, po, REFUZOJMË”, shkruhet në reagim.

E këtë akt refuzimi ata duan ta kthejnë në akt solidariteti.

“Duam të dëshmojmë që ky festival – në edicionin e tij të 53-të – do të mbahet, dhe mund të mbahet përmes solidaritetit të komunitetit artistik, përmes mbështetjes së sinqertë të artistëve tanë. Ky edicion do të jetë triumf i solidaritetit dhe i qëndresës sonë artistike përballë secilit institucion shpërfillës, secilit autoritet arbitrar që nuk ka shfaqur as interesimin minimal të komunikimit të nevojshëm e të sinqertë”, shkruhet në reagim.

Telashet e MKRS-së me subvencionimin e kësaj ngjarjeje kulturore zë fill prej listës preliminare të rezultateve.

Ashtu si për shumë ngjarje të tjera, MKRS-ja kur e kishte publikuar listën preliminare, mosfinancimin e këtij festivali e kishte arsyetuar me: “Nuk e plotëson kriterin e veçantë Kategoria 1; pika 4”. Por organizatorët kanë pasur shpresë se do të gjendeshin në listën përfundimtare. E kjo e fundit është histori më vete. E enjtja dhe e premtja e javës së kaluar ishin ditët e lojës me lista.

Të enjten e kaluar, në mbrëmje, e kishte publikuar një “listë përfundimtare...” e po ashtu e kishte fshirë pas nja një ore. Pa u bërë 24 orë, të premten kishte dalë me listë të re për përfituesit e “Thirrjes për projekt-propozimet kulturore 2023”. Të renë e kishte fryrë për fiks 283 mijë e 805 euro, ishin shtuar edhe 11 projekte. Me listën e “avulluar” nja një orë pas lansimit ishin 106 projekte. Tash janë 116, plus një pa numër rendor. Te fryrja e shumës futen projektet e reja dhe rritja e buxheteve për disa prej projekteve fituese.

Krejt kjo histori me tri lista është zhvilluar brenda dy javësh. Më 16 qershor protokolloi listën preliminare të organizatave joqeveritare përfituese nga thirrja publike “Art dhe trashëgimi kulturore”. Aty figuronin 36 projekte, përkrahur me 808 mijë e 510 euro, tek goditi ngjarje e organizata bartëse të skenës kulturore në vend, si: “DokuFesti”, “Artpolisi” e “Chopin Piano Fest” apo qendra “Multimedia”. La pesë ditë afat ankesash, deri më 26 qershor, e nuk iu deshën më shumë se tri ditë që t’i shqyrtonte ato dhe prej 36 projekteve të bëhen 106. Dallimi në buxhet: 1.7 milionë euro, kur prej 808 mijë eurosh u bë 2.5 milionë. Lista doli të enjten vonë në ueb-faqe dhe në profilin zyrtar të MKRS-së në Facebook. U hoq prej aty për t’u zëvendësuar të premten me listën e radhës me 11 projekte shtesë dhe mbi çerek milioni më shumë buxhet. Por, jo edhe për Festivalin e Teatrove në Ferizaj.

Por pas reagimit të organizatorëve të Festivalit në fillim të kësaj jave, MKRS-ja gjeti një zgjidhje.

“Festivali i Teatrove, si një ndër ngjarjet e rëndësishme kulturore në vendin tonë, organizimi i teatrit të qytetit të Ferizajt ‘Adriana’ do të mbështetet nga Ministria e Kulturës. Për të siguruar financim adekuat dhe të qëndrueshëm për këtë festival tradicional kemi propozuar që të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë, Komunës dhe teatrit ‘Adriana’. Përmes kësaj forme do të sigurohej mbështetje afatgjate (jo vetëm për edicionin e sivjetmë) dhe në të njëjtën kohë do të shmangeshin peripecitë e organizatorit që për çdo edicion të aplikojnë përmes një OJQ-je në thirrjet e institucioneve publike”, shkruhej në përgjigjen që KOHËS ia kishte dhënë të hënën Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Kurse pas refuzimit të festivalit për të pranuar këtë lloj financimi, Fetiu në një përgjigje për KOHËN ka folur fillimisht për atë se MKRS-ja ka rritur mbështetjen për skenën e pavarur kulturore. Ka thënë se kjo mbështetje madje dallon shumë pak nga shuma totale që u ndahet gjatë vitit të gjitha institucioneve kulturore nën varësi të MKRS-së. Ka përmendur se vetëm për OJQ-të në thirrjen e fundit për art dhe trashëgimi janë ndarë 2 milionë e 765 mijë e 400 euro, kurse për individë janë ndarë 864 mijë e 430 euro, dhe ende janë në proces të vlerësimin ankesat.

“Kur flasim në veçanti për Festivalin e Teatrove të Ferizajt, organizata aplikuese nuk i ka përmbushur kushtet për financim. Vitin e kaluar ky festival është mbështetur me 30 mijë euro nga Ministria, ndërsa organizata e njëjtë sivjet ka aplikuar në kategorinë tjetër me buxhet më të madh, në të cilën nuk i ka përmbushur kriteret”, ka thënë ajo. Sipas Fetiut, duke e konsideruar historinë që ka, MKRS-ja ka diskutuar me Komunën e Ferizajt dhe “ka propozuar gjetjen e një zgjidhjeje për mbështetje të këtij festivali, pasi ai organizohet nga Teatri i qytetit ‘Adriana’ që vepron si institucion kulturor i komunës”.

“Ne u angazhuam dhe ofruam zgjidhje për të siguruar financim afatgjatë, adekuat dhe të qëndrueshëm për festivalin në mënyrë që të shmangeshin peripecitë që për çdo edicion të aplikohet përmes një OJQ-je në thirrjet e institucioneve publike. Organizatorët e festivalit kanë refuzuar financimin me anë të marrëveshjes, e cila do të ofronte mbështetje institucionale shumëvjeçare për festivalin, ashtu siç nuk e ka asnjë festival tjetër në Kosovë”, ka thënë ajo nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Me apo pa mbështetjen e MKRS-së, Festivali i Teatrove sivjet do të mbahet prej 27 gusht deri më 4 shtator.