Kulturë

Festivali i Këngës rilidh historinë në ritmin e këngës shqipe

Midis “Akordeve të Kosovës” dhe Festivalit të Këngës në RTK është një kapitull prej gati tri dekadash me premtime, synime e zotime, për ta rikthyer një festival të mirëfilltë. Ajo që është parë në skenë në natën e parë, është kontrasti i realitetit. Mënjanë sfidave a telasheve teknike, skena gjigante, shumëngjyrëshe e me shkëlqim është ana tjetër e asaj që tash e gati një gjysmëshekull nuk ndërtohet dot sallë adekuate për një ngjarje të tillë, e aq më tepër nuk rregullohet pjesa e djegur e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve të cilën Festivali e maskon. Megjithatë, historik është ky edicion dhe kësisoj, e kanë përjetuar edhe pjesëmarrësit e publiku

Spektakël qe hapja e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Nata e parë e edicionit të parë është po aq historike. Qe një lloj regjistrimi i këngës së mirëfilltë shqipe, e si një version i ri i “Akordeve të Kosovës” që e organizonte dikur RTP-ja.

Tri dekada prej ndërprerjes së ngjarjes, Festivali i Këngës qe vazhdimësia dhe shpresa për ta depërtuar këngën shqipe në garat evropiane. Më 18 këngë të prezantuara të enjten mbrëma dhe organizimin madhështor, Kosova po synon bindjen e institucionit evropian për profesionalizëm dhe përkushtim si hap nismëtar drejt “Eurovisionit”.

Ndonëse edicioni i parë i Festivalit u organizua pa anëtarësimin e Radiotelevizionit të Kosovës në Unionin e Transmetuesve Evropianë (EBU), që i mundëson Kosovës pjesëmarrjen në Garën Evropiane të Këngës ngjarja zgjoi mjaft interesim e entuziazëm te publiku.

Salla e sporteve në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytet qe adresa. Tepihu i kuq ka mirëpritur mysafirët që disa orë para nisjes së ngjarjes. Publiku ka nisur të mbush sallën gradualisht, veçmas dy hyrjet janë vërshuar kur kishin mbetur veç një orë para hapjes historike. Hapësira ku është mbajtur koncerti ishte transformuar krejtësisht. Orkestra po bënte përgatitjet e fundit pak para debutimit të parë si Orkestra e RTK-së.

Muret ishin mbuluar krejtësisht me material me ngjyrë të zezë, sikurse ishin shtruar edhe tepihët në pjesën e tribunave të sallës. Ishin mbuluar krejtësisht shenjat e hapësirës krejtësisht të djegur. Në pjesën pranë skenës, publiku është akomoduar në karrige. Përballë u ka qëndruar imazhi gjigant – fytyra e Festivalit.

Orkestra nisi të pozicionohet në shkallët e dekoruara me drita, prapa të cilëve qëndronte shenja gjigande e Festivalit. Fiks në orën 21:00 u paralajmërua hapja. Introja e Festivalit ka qenë dedikimi për artistët e hershëm krijues dhe ata të kohës. Logoja u përgjysmua ngadalë dhe nisi të zbulohet skena madhështore, të paktën për kushtet e sallës.

Për ata që ishin prezentë, imazhet flisnin. Ka ngjarë se një punë e gjatë i ka paraprirë mbajtjes së Festivalit të Këngës. Në mungesë të ambientit adekuat ishte dashur të mbuloheshin gjurmët e shkatërrimit dhe degradimit të një pjesë të Pallatit ikonik më shumë se dy dekada më parë.

Drejtori i Festivalit, Adi Krasta, ka njoftuar edhe shikuesit nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut ku ngjarja po transmetohej drejtpërdrejt. Rrjedhjet e ujit në sallë, kaplimi i saj nga zjarri e imazhi përplot mbeturina qenë prej atyre që u përmendën në nisje të ngjarjes.

Krasta ka thënë se janë dashur dy ditë pastrimi me ujë me presion i mureve për t’ua hequr blozën. Fillimisht ngjarjen e ka prezantuar ai bashkë me moderatorin Besim Dina. Jo krejt rastësisht, pasi në skenën e Festivalit të Këngës është sjellë edhe mozaiku i historisë së institucionit dhe eksperiencës së punonjësve aty. Por ka pasur kritika se historia e RTP-së mbetet në hije. Pasi është zbuluar edhe kupa e Festivalit për fituesin e edicionit të parë, programi artistik është hapur me një performancë nga trupa e Baletit të Kosovës. Nën ritmet e klarinetës e të perkusioneve ngjarjen e rrëfimit nëpërmjet vallëzimit e kanë vendosur në një “stacion treni”.

Image
Me 18 këngë të prezantuara të enjten mbrëma dhe organizimin madhështor, Kosova po synon bindjen e institucionit evropian për profesionalizëm dhe përkushtim si hap nismëtar drejt “Eurovisionit”

Kënga “Shumë herë më nervozojnë” e Agron Hajdarit me emrin artistik Inorga, qe e para prej së cilës rrodhën vargjet e ritmet e këngës së Festivalit. Nisi të jepej imazhi i një Festivali të Këngës së mirëfilltë shqipe. Kënga e parë pati hapje të fuqishme, projektoi përshtypjen e fatin e tillë të Festivalit. Një skenar që ka gërshetuar historitë e Radiotelevizionit të Kosovës me ritmet e këngës, e ka sjellë në skenë Flora Durmishin, ish-punonjësen e radios “Blue Sky” që më pas ishte kthyer në Radio Kosova 2. E ka prezantuar këngën “Dukat” të interpretuar nga Arbana Zahiti. Nis me ritmet e lehta që transformohen në këngën tejet ritmike që me vokal shpërthen dhe përfundon me uljen të intonacionit.

Albin Nikprelaj me “Ajo” ka sjellë ca ritme elektronike para se të nisë t’i këndojë dashurisë. Fjala me të cilën emërtohet kënga është dedikimi. Agnus Dei me “Një zemër për dy” i ka dedikuar gruas me fjalët e buta e të pastra të këngës. “Emri grua” nga Ariela Krasniqi ngjan në një ngjarje mistike në hyrje. Po në nisje vihet në pah bukuria e zërit të saj. Kur ndërhyjnë bateritë, e bëjnë interpretimin më intensiv. Gradualisht bëhet më dinamike gjersa pjesa me vokal vjen edhe më e ngarkuar.

Në cilësinë e mysafirëve kanë interpretuar Naim Bunjaku, i njohur në skenën muzikore si Xuxi që ka interpretuar një pjesë të këngës “Bensonhurst Blues” të Oscar Benton, Alban Nimani me këngën “Bijtë e shekullit të ri” të grupit “Gjurmët” dhe Dafina Zeqiri me këngën “Veç ti”. Genc Salihu gjithashtu ka sjell anën e tij artistike në skenë me interpretim që ka ngjarë tejet improvizues.

Në anën tjetër, kënga tjetër garuese “Çmimi i dashnisë” i Auron Devës përfshin ca ritme folklori në këngën tejet të fuqishme e ritmike me orkestrën e vokalin mbështetës që bëhet një me atë të Devës në refrenin e këngës. Kënga është përcjellë edhe me koreografi të balerinëve.

Këngëtarja Fitnete Tuda ka thirrur këngën e radhës, “Merri” të Ermal Demirit. Bashkë me këngën dhe efektet vizuale në prapaskenë, performanca fut në një ngjarje të pafund që flet për kujtimet dhe shpresat e venitura. Arbër Salihu me “Oj Kosovë” ka sjellë këngën tejet atraktive me ritme hip-hopi që në refren përmbyset dhe dominon dashuria për Kosovën me ngjyrat e folklorit në vokal.

Image
Me 18 këngë të prezantuara të enjten mbrëma dhe organizimin madhështor, Kosova po synon bindjen e institucionit evropian për profesionalizëm dhe përkushtim si hap nismëtar drejt “Eurovisionit”

Një ëndërr e kahershme

Ish-redaktorja e muzikës në Radio Kosova, Minire Fetahu, e ka vlerësuar ëndërr të dikurshme Festivalin, të cilën sot po e jetojnë. “Për mua ka qenë ëndërr të bëhet një festival i tillë, por asnjëherë nuk u realizua. Ëndrrën time dhe të gjithë tjerëve po e realizoni ju. Është diçka e veçantë, diçka e bukur pasi pas shumë viteve po vëmë në skenë diçka madhështore me gjithë vlerat që i duhen një festivali”, ka thënë ajo në skenë.

Kuptimplotë ka qenë kënga tjetër garuese “Heroi im” e Neki Emrës. I këndon babait të tij ku nëpërmjet vargjeve e përshkruan karakterin e tij në këngë. Këngëtari Emra e ka konsideruar këtë këngë prej më të mirave të tij të realizuara deri më tash.

“Sot ka qenë një ndjenjë shumë e bukur. Duke e ndërlidhur me këngën që e pata, në momentet e fundit aq jam emocionuar sa nuk desha të dorëzohem komplet, e mbajta veten në momentet e fundit. Ka qenë një emocion i paparë. Jam shumë i lumtur që më në fund Kosova ka një festival të nivelit kaq të lartë dhe shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi. Ka qenë natë e papërshkruar emocionalisht. Unë këndoj shumë, tash e shumë vjet kam interpretuar në shumë skena, mirëpo sonte ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Ne artistët jetojmë për skena të tilla”, ka thënë Emra.

Sipas tij, kënga ka qenë edhe më emocionalja që ka interpretuar. “Kënga thirret ‘Heroi im’, një këngë që ia kam dedikuar një njeriu, falë të cilit unë jam ku jam. Ai është një dirigjent, profesor i muzikës, kompozitor. Është një njeri i jashtëzakonshëm, është babai im. Ka qenë një prej këngëve të mia të kompozuara dhe të shkruara, ndoshta më emocionale dhe për shijen time, prej më të mirave në karrierën time”, ka thënë ai derisa është shprehur i lumtur dhe krenar që ka marrë pjesë në edicionin e parë të Festivalit të Këngës.

Përcjellja me muzikë origjinale nga Orkestra e ka bërë këngën të tingëllojë tejet bukur dhe pastër. Pak prej këngëve kanë pasur elemente të muzikës që shkojnë përtej atyre që luhen me instrumente. Alfred Kaçinari, Edon Ramadani dhe Valton Beqiri kanë qenë drejtuesit e Orkestrës.

Image
Introja e Festivalit ka qenë dedikimi për artistët e hershëm krijues dhe ata të kohës. Logoja u përgjysmua ngadalë dhe nisi të zbulohet skena madhështore, të paktën për kushtet e sallës

Test dhe shembull

Sipas Valton Beqirit, Festivali i Këngës është shembull se si duhet të ketë organizime të ngjashme në të ardhmen. Pas përfundimit të natës së parë të Festivalit ka thënë se ngjarja është kurorëzim i një pune të gjatë që është bërë.

“Mendoj se ky festival ka mbërritur të ketë laramani të stileve, kjo vlen për orkestruesit, këngëtarët dhe kompozitorët. Në anën tjetër mendoj se ka qenë një test i kaluar si duhet, pavarësisht që është një kurorëzim i një pune të gjatë të koncerteve që kemi pasur më parë. Fatmirësisht më në fund është vendosur të investohet më shumë edhe për nga aspekti material në mënyrë që të kemi një kualitet të tillë dhe të kemi nivel më të lartë edhe për nga aspekti teknik”, ka thënë orkestruesi e kompozitori Beqiri.

Në shkurt të këtij vitit nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit, Ministria e Kulturës kishte zotuar për RTK-në 750 mijë euro për tre vjet. Sivjet janë dhënë 300 mijë euro që kanë shkuar për Festivalin, ani pse në Memorandum përmendet edhe themelimi i një kanali televiziv për art dhe kulturë. Dy ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se si kryeqytet bashkë me Pallatin e Rinisë dhe Ndërmarrjen Publike banesore kanë ndarë 350 mijë euro investim “për ta jetësuar këtë projekt të ringjalljes së ikonës së kryeqytetit”.

“Vetes” e Vjosa Shehut ka qenë kryesisht me interpretim të butë në vokal me dhe pjesë më të theksuar muzikore. “Shqip” e Franc Korunit ka qenë tejet harmonike. Kanë interpretuar gjithashtu edhe Teuta Statovci me këngën “Sekreti i tij”, Klea Dina me “Trenat”, Mentor Mripa me “Po ju rrëfehem”, Saranda Alija me “Mendoj ku je”, Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet”e Nita Latifi me “Marrëzi”. Krejt në fund ka interpretuar edhe “Urban Band”, këngën “Ëndrrat s’kanë faj” tejet e veçantë që nis me tingujt e çiftelisë.

Lindja e një mundësie të re

Me muzikë origjinale nga Orkestra dhe interpretim të drejtpërdrejtë, skena muzikore iu rikthye vargjeve te pastra të këngës shqipe.

Festivali zhvilloi natën e parë ani pse fituesi nuk do të ketë për adresë skenën e garës evropiane të muzikës "Eurovision" që organizohet nga Unioni i Transmetuesve Evropian. Drejtori i saj, Noel Curran, i është drejtuar publikut nëpërmjet një video- mesazhi.

“Së pari desha të përgëzoj RTK-në për organizimin e Festivalit të Këngës. Ngjarje fantastike që shpresoj të sjellë shumë gëzim e lumturi, argëtim për të gjithë. E di që po mbahet në një ndërtesë që është djegur para shumë vjetësh dhe është bukur të shohësh atë ringjallje kulturore që bëhet në atë objekt dhe jam i bindur që po bën jehonë në gjithë Prishtinën”, ka thënë ai në video-mesazh.

Në të njëjtën formë me një mesazh është drejtuar edhe drejtori i Radiotelevizionit Shqiptar, Albert Peza. Festivalin e Këngës në RTK e ka konsideruar festë të madhe.

“Festa e madhe në Pallatin e Rinisë është e mirëpritur për të gjithë pasi shënon lindjen e një mundësie të re për artin shqiptar. Ky festival është një ngjarje e gëzueshme për muzikën dhe fjalën, identitetin dhe trashëgiminë e kulturës sonë kombëtare”, ka thënë Peza, derisa ngjarjes i është referuar si “vëlla i vogël” i Festivalit të Këngës në RTSH. “Ne jemi duke u përgatitur për të realizuar Festivalin e 62-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar dhe jemi shumë të lumtur, pasi jemi bërë me një vëlla të vogël. Me ju në krah, do të shkojmë së bashku edhe më larg’, ka thënë Peza më tej.

Image
Trofetë e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK

Shpresa për “Eurosong”

Drejtori artistik i Festivalit të Këngës në RTK, Florent Boshnjaku, është shprehur falënderues për të gjithë pjesëmarrësit dhe ekipin punues që krejt bashkë e kanë bërë ngjarjen madhështore. Sipas tij, motivi për pjesëmarrje në garë ka qenë përkundër asaj se fituesi nuk do të marrë pjesë në “Eurovision”.

“Shpresa është që shumë shpejt kënga fituese të shkojë në ‘Eurosong’. Kishte me qenë diçka fantastike nëse shumë shpejt ndodh ajo por se për momentin duket se nuk ka mundësi të bëhet ajo. Shpresojmë se do të bëhet shumë shpejt. Nuk është krejt ‘Eurosongu’, është një platformë. Kjo skenë, kjo orkestër, është e mahnitshme dhe është mëkat të mos shfrytëzohet një mundësi e tillë, të dalin në një skenë të tillë të organizuar në këtë formë”, ka thënë Boshnjaku për KOHËN.

Ka thënë gjithashtu se promovimi i këngës së mirëfilltë shqipe është misioni i festivalit.

“Ky është misioni, të sjellim sa më shumë kualitet, diçka më të veçantë që mbetet në arkiv që njerëzit do ta dëgjojnë. Shpresoj të ketë jetë të gjatë dhe t’i shërbejë së pari komunitetit artistik e më pas edhe krejt Kosovës”, ka thënë ai më tej.

Juria vlerësuese e Festivalit është e përbërë nga këngëtarja Alma Bektashi, artistja Zake Prelvukaj, kantautori Alban Nimani, kompozitori Adi Hila dhe këngëtarja suedeze, Ulja Sjostrom.

Hapja e natës së parë të Festivalit të Këngës ka sjellë në mendje “Akordet e Kosovës”, një prej ngjarjeve më të vjetra kulturore të organizuara në vend. Kishte qenë njëri prej festivaleve më të shquara në Kosovë që rrugëtimin e nisi në vitin 1963. Vitet ‘90 qenë kohë sfidash për ngjarjen që përkundër tentativave për ta mbajtur në nivel, më 1995 dështoi.

E vazhdimësia e tij, Festivali i Këngës që ka nisur të lulëzojë, vazhdon me gjysmëfinale të premten, ndërsa nata finale zhvillohet të shtunën mbrëma kur edhe mbyllet edicioni i parë.