Kulturë

Festivali i Filmit në Venecia me yje, por pa barazi gjinore

Për Festivalin e Filmit në Venecia 75- vjetori është kulmi i jetëgjatësisë. Derisa perdet bëhen gati të ngrihen në edicionin jubilar, festivali e gjen veten të shëndetshëm, me një formacion me yje të mëdha, regjisorë të rëndësishëm dhe filma që duket se do të dominojnë në sezonin e çmimeve.

I përshkruar nga drejtori artistik Alberto Barbera si “edicion që bëhet një herë në një dekadë”, programi përfshin premiera të filmave të Mike Leigh, Paul Greengrass, vëllezërve Coen, Luca Guadagnino dhe Orson Welles. Dhe vetëm një grua: regjisorja australiane Jennifer Kent, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e The Guardian.

Edicioni i 75-të do të nisë sot (e mërkurë) e do të vazhdojë deri më 8 shtator. Këtë vit, ceremonia e hapjes është rezervuar – viteve të kaluara e mbajtur me fitues të “Oscar” si “Gravity”, “Birdman” dhe “La La Land” – për filmin e Neil Armstrongut, “First Man”, i cili ka ribashkuar regjisorin e “La La Land” Damien Chazelle me yllin Ryan Gosling. Premton tension, skena hapësinore kinetike dhe momente prekëse me gruan e Armstorngut, e cila portretizohet nga Claire Foy, performanca e së cilës tashmë ka nisur të përflitet.

Alfonso Cuarón, filmi i fundit i të cilit ishte “Gravity”, rikthehet me “Roma”, një përshkrim për Meksikën e fëmijërisë së tij në vitet ’70. Ky është filmi i tij i parë që nuk është në gjuhën angleze, që kur në vitin 2001 realizoi “Y Tu Mama Tambien” dhe është thënë se është po aq intim dhe mahnitës në aspektin vizual si “Gravity”. Përfshirja e tij në festival pjesërisht është falë një grindjeje midis shpërndarësit të saj, “Netflix” dhe drejtorit të Festivalit të Cannes, Thierry Fremeux, i cili dekretoi që filmat e prodhuar nga shërbimi i transmetimit nuk do të kualifikoheshin për çmime. “Netflix” menjëherë tërhoqi titujt e tij nga shqyrtimi në Cannes. Disa prej titujve më të mirë që do të shfaqen në Venecia kanë përfituar nga kjo zënkë, përfshirë edhe “The Other Side of the Wind”, drama e Orson Welles në vitet ’70 dhe së fundmi e përfunduar nga Frank Marshall.

Ndërkohë, pjesëmarrës të tjerë të rregullt të Cannes i janë bashkuar alternativës italiane. Vesterni i Jacques Audiard, “The Sisters Brothers”, ku luajnë Joaquin Phenix dhe Jake Gyllenhall, është imagjinuar më shumë që të shfaqet në Croisette në muajin maj. Filmi i kaluar i Audiard, “Dheepan”, mori çmimet kryesore në festival në vitin 2015, që i parapriu ngrohtë për filmat e tij të tjerë “Rust and Bone” (2012) dhe “A Prophet” (2009). Por “The Sisters Brothers” do të shfaqet për herë të parë në Venecia.

Filmi “Juliette Binoche” nga regjisori francez Olivier Assaya, po ashtu do të debutojë në Venecia. E njëjta strukturë do të jetë edhe për filmat nga regjisori meksikan Carlos Reygadas dhe ai grek Yorgos Lanthimos. Venecia e para do ta shfaqë “The Favourite” të Lanthimos, filmin që flet për Mbretëreshën Anne, ku luajnë Livia Colman, Emma Stone dhe Rachel Weisz.

Regjisorët britanikë kanë filma konkurrues të fortë këtë vit. Mike Leigh, i cili fitoi “Luanin e Artë” me “Vera Drake” në vitin 2004, rikthehet me “Peterloo”, një storie epike e masakrës së vitit 1819 në Manchester.

Filmi “22 July” i Paul Greengrass trajton vrasjet masive të jetës reale: Vrasja e 77 personave nga Andres Behring Breivik, përfshirë edhe fëmijë në kampin veror në Norvegji në vitin 2011. Një tjetër titull i “Netflix” tregon storien prej perspektivës së të mbijetuarit.

Ndërkohë sajti rival i transmetimit “Amazon” është prapa “The Ballad of Buster Scruggs”, një antologji vestern nga vëllezërit Coen, i cili është realizuar si serial televiziv dhe më pas është kthyer në film të metrazhit të gjatë.

I freskët nga suksesi me “Call Me By Your Name”, Guadagnino kthehet në vendlindje për të dhënë premierën e “Suspiria”, një ribërje e horronit “Dario Argento”, ku luajtën Tilda Swinton dhe Dakota Johnson. Glamuri hollywoodian kësaj radhe vjen edhe me Lady Gaga dhe Bradly Cooper, yjet e ribërjes së katërt të “A Star Is Born”. Filmi do të jepet premierë jashtë garës në Venecia dhe njëherësh shënon debutimin e Cooperit si regjisor.

Emocionet mbi një program të tillë janë pritur me skepticizëm nëse Barbera ka bërë mjaftueshëm që të shfaqë filma kineastës. Rreth 45 për qind e programerëve të kinemasë në festival janë gra. Sidoqoftë, vetëm një prej 21 filmave në garë është nën regji të një gruaje: “The Nightingale”, nga regjisorja australiane Jennifer Kent, horrori i së cilës, “The Babadook”, ka qenë hit nga kritika para katër vjetësh.

“Të vendosësh një film në garën kryesore vetëm për shkak se është i realizuar nga një grua mund të jetë shumë fyese për një regjisor...do të preferoja ta ndërroja punën nëse do të detyrohesha të zgjidhja një film vetëm se është i realizuar nga një grua dhe jo duke u bazuar në kualitetin e filmit”, ka thënë Barbera. Ai, po ashtu, ka thënë se ndryshimi duhet të bëhet më herët në procesin e filmbërjes.

“Nuk na takon neve ta ndryshojmë situatën”, ka shtuar ai.

Këtë vit në Cannes proporcioni ka qenë goxha i lartë, tri prej 17 vendeve të garës u janë dhënë regjisoreve. Ndërkohë, Festivali i Filmit në Toronto, që pjesërisht mbulon festivalin e Venecias, përfshin filma të rinj nga Claire Denis, Nicole Holofcener, Elizabeth Chomko, Patricia Rozema, Nadine Labaki dhe Mia Hansen-Løve. Po ashtu, do të jetë premierë edhe filmi i Steve McQueen, “Widows”, filmi i të cilit është i pari pas atij që realizoi në vitin 2013, “12 Years a Slave”. Në garë është edhe kolegu i tij, po ashtu fitues i çmimit “Oscar”, Barry Jenkins. Drama e tij “Moonlight”, në vitin 2017 mundi “La La Land”, dhe kësaj radhe ai kthehet me “If Beale Street Could Talk”.