Mentor Haliti u lind, më 1975, në Tërnoc të Bujanocit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, përkatësisht në Bujanoc.
Pas vitit 1999, në Prishtinë, ndoqi studimet e dramaturgjisë, në Fakultetin e Artit Dramatik.
Nga viti 1999 punoi si gazetar në të përditshmet ”Zëri” dhe “Lajm”. Mes viteve 2001 dhe 2006 si redaktor i kulturës në “Koha ditore” dhe “Express”. Krijimtaria: “Të thella janë rrënjët”, (poezi, 1996), “Uluni, ju lutem”, (komedi, 2001), “Një udhëtim në Unmikistan”, (bashkautor, 2002), “Caffe”, (komedi, 2008), “Fabrika e kukullave”, (komedi, 2009). Tani merret me teatër.
Haliti është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Humanizëm: Nuk janë vetëm termat religjiozë myslimanë që përdoren si mantra motivuese, por ekzistojnë edhe shprehje nga religjionet e tjera që individët i përdorin si "haleluja" në formën e shqiptimeve magjike për të motivuar suksesin apo për të dëbuar ogurin e keq.
Mijëra religjione e sekte duke treguar pak tolerancë ndërmjet tyre e kanë bërë lëmsh aftësinë e individit për të qenë konsekuent me zhvillimet njerëzore. Shënjestrohet humanizmi që i toleron të gjitha ato shprehje besëtytnie të zhveshjes së identitetit nga çdo karakteristikë përkatësie përveç asaj religjioze. Ky religjiozitet e ka adresën e vet në histori dhe është mjaft kanosës. Do të kishte kuptim sikur të mos ishte tendenca për ta shitur këtë koncept si një ide filozofike, materiale e humane, duke qenë se kundërshtohet me burimin e vet spiritual. Sidomos ai besim që imponohet dhe që ofrohet jo falas, por shumë shtrenjtë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”)