Për gjashtë ditë, aq sa zgjati edicioni i sivjetmë, organizatorët e “FemArtit” ishin si në ajër. Pandemia dhe masat e Qeverisë që mund të pezullonin aktivitetet kulturore, ishin si një “bombë e kurdisur” për organizatorët. Programi i përpiluar mund të pësonte ndryshime në çdo kohë.
Ndryshime të vogla mund të ndodhin çdo herë, por këtë vit gjasat për ndryshime ishin më të mëdha. Në fakt, që në fillim u bënë ndryshime të tilla. Fillimisht u anulua i gjithë programi ndërkombëtar dhe Festivali ktheu vëmendjen nga artistët vendorë.
Ndryshoi temën e këtij viti nga “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!” te “Solidaritet dhe qëndrueshmëri”. Por ky nuk ishte transformimi i vetëm që pësoi Festivali gjatë këtij edicioni që u mbajt prej 15 deri më 20 tetor. Ndoshta më i madhi ishte se Qendra për Art dhe Komunitet – “Artpolis”, e cila e organizon festivalin u bë shtëpi prodhuese për gjashtë produksione. “Ti, jam unë” nga Natyrë Kallaba, “Çfarë duan burrat” nga Robert Nuha, “A je çikë a djalë!?...”, nga Arlinda Morina, “Gjuetarët e Artemidës” nën regji të Zana Hoxhës, “Lidhmë mua” nga Luljeta Braha dhe “T’u e marrë ‘fuqinë’ n’pyetje” nga Uresa Ahmeti, përbëjnë listën.