Kulturë

“FemArt” përgatitet për dekonstruktimin e seksizmit

I gjithë programi i sivjetmë i festivalit të parë dhe të vetëm feminist në Kosovë shtjellohet rreth temës që ka preokupuar ekipin: seksizmit. Besojnë në fuqinë e artit për të ndaluar këtë dukuri. Me kreativitet rebelues synojnë vetëdijesimin e njerëzve dhe reagimin e tyre përballë këtij fenomeni

“F*** seksizmit”, është tema e sivjetme e festivalit “FemArt”. Ekipi prapa atij që cilësohet si i pari dhe i vetmi festival feminist në Kosovë artin dhe kreativitetin është duke e përdorur për t’u luftuar pabarazitë mes njerëzve. Artistë dhe aktivistë nga komuniteti vendas, por edhe ndërkombëtar do të mblidhen për gjashtë ditë për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetin aktual seksist. Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste nga shfaqjet, poezitë, vallëzimet, diskutimet, konferenca deri te ndejat e punëtoritë për të mësuar vetëmbrojtjen, do të trajtojë të drejtat e grave, si dhe të drejtat e njeriut.

Venera Ismaili, pjesë e stafit të Festivalit, është në mesin e ekipit për edicionin e sivjetmë që ka nisur punën në mënyrë që gjithçka të jetë gati për të premten. E kanë parasysh edhe gjendjen me pandeminë, e cila si vitin e kaluar edhe sivjet ua ka ndërruar datat disa herë. Këtë vit “FemArtin” do ta mbajnë në formatin hibrid. Ismaili ka thënë se me ndihmën e të gjitha aktivisteve dhe artisteve feministe, “FemArt” do të demonstrojë fuqinë e veprimit kolektiv, të mendimit kritik dhe rebelimit krijues.

“Tema është shumë aktuale dhe rrallëherë është trajtuar përmes artit dhe kulturës. Sivjet ‘FemArt’, duke marrë parasysh trajtimet që bëhen gjithandej në rrugë, në institucione, në rrjete sociale dhe faktin se seksizmi është prezent në Kosovë dhe rajon dhe që shumë pak është trajtuar, ka bërë që ‘Artpolis’ përmes kulturës, artit e aktivitetet të tentojë të rrisë vetëdijesimin dhe t’i fuqizojë gratë dhe vajzat të cilat janë viktimë e kësaj dukurie dhe në këtë mënyrë të mund ta adresojmë dhe ta luftojmë këtë formë të veprimit në Kosovë”, ka thënë Ismaili, projekt-menaxhere dhe përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në qendrën për art dhe komunitet “Artpolis”, që organizon festivalin.

Ka shtuar se publiku duhet të përgatitet për të shikuar shfaqje, ekspozita, kërcime dhe këngë, panele diskutimi e “podkaste” me të cilat do të dekonstruktojnë seksizmin në të gjitha format e tij.

“Jemi në finalizim të organizimeve të tjera në lidhje me infrastrukturat apo me lokacionet, kështu që me siguri me një tetor ne do të startojmë. Kemi një program të larmishëm si çdoherë, shumë specifik, ku gjashtë ditë do të jenë të mbushura me aktivitete të ndryshme”, ka thënë ajo.

Disa nga ngjarjet që do të mbahen vetëm online tashmë janë incizuar të tilla si koncerti “Kthimi te rrënjët” i këngëtares Ceylan Taci, e cila ka bashkëpunuar me artistët kosovarë: pianistin Alzan Gashi, kitaristin Arbër Salihu dhe bateristin Drin Tashi. Të tjerat si “Nata e kabaresë franceze” tashmë janë në proces e sipër.

Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, disa metra larg zyrave të “Artpolisit” që gjenden në lagjen “Pejton”, po mbahen provat për këtë shfaqje nën regji të Zana Hoxhës e koreografi të Robert Nuhës. Përmes aktrimit e muzikës kjo kabare do të shtjellojë disa aspektet të temës së sivjetme.

Nuha ka treguar se i gjithë repertori që do të interpretohet nga Zana Berisha, studente e aktrimit në Akademinë e Arteve e që ka përfunduar edhe studimet për muzikë, përbëhet nga këngë franceze.

“Ideja kryesore është tek ajo që e trajton e për të cilën edhe njihet ‘FemArti’ e që është barazia gjinore. Pesha e rëndësisë së kësaj performance qëndron te prezantimi i një nate me shumë pozitivitet e dashamirësi, pra një natë që do të reflektojë vetëm gjëra pozitive, por që të cilat sigurisht trajtojnë temën e barazisë gjinore”, ka thënë Nuha.

Ai ka vite që është pjesë e “ArtPolisit” dhe një nga emrat kryesorë që bashkë me drejtoreshën e Festivalit, Zana Hoxha, janë duke sjellë qe disa vjet kombinime të tilla midis aktrimit dhe vallëzimit.

“Pritjet e mia janë të mëdha si çdoherë pasi që është një ndër festivalet më të rëndësishme në Kosovë, sjell diversitet kulturor dhe ndoshta prej festivaleve më të rëndësishme në këtë aspekt, pra të diversitetit dhe format e stilet që i prezanton”, ka thënë ai.

Kërcimtarja Erna Salihu, pjesë e ekipit që po ia jep formën kabaresë, ka thënë se për të kjo shfaqje po del të jetë një eksperiencë që nuk krahasohet me të mëparshmet për shkak të specifikave që ka.

“Jemi bërë bashkë aktorë që dinë edhe me këndu e me vallëzu bukur dhe kërcimtarë profesionistë, prandaj është duke dalë diçka tepër e veçantë për shkak se është bashkëpunim që nuk është bërë më herët dhe, në anën tjetër, edhe kabareja nuk është bërë më herët në Kosovë, kështu që, si diçka e re po është zbavitëse si proces, por edhe si eksperiencë frytdhënëse për ne”, ka thënë ajo. Sipas saj, për ta mbetet sfidë që përmes këtij formati të përcjellin edhe temën e festivalit.

“’FemArt’ e bart me vete një mesazh shumë të rëndësishëm e që është aktual në Kosovë e me të cilin përballen çdo ditë vajzat dhe gratë, por edhe djemtë e burrat, e me të cilin përballet edhe bota në përgjithësi. Kjo është vlerë e madhe edhe për mua, por edhe për gjithë grupin për të qenë pjesë e këtij edicioni”, ka shtuar Salihu.

“FemArt” është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë, duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave, si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon.