Kulturë

“Eye of the chicken” në oborrin e artistes lidh kohë e proteston

Artistja nga Ulqini, Emina Nimanbegu, për ekspozitën e saj “Eye of chicken” e ka të definuar publikun: pulat. Duke shfrytëzuar oborrin e saj, gjallesat si dhe dy fotografi, ajo vë në pah të kaluarën dhe të ardhmen e vendlindjes dhe jo vetëm. Ekspozita e saj vjen si revoltë edhe ndaj pandemisë e si një tërheqje paraleleje midis të shkuarës dhe së ardhmes

Për shkak të situatës me pandeminë artistja ulqinake Emina Nimanbegu ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të hapur ekspozitën e saj të fundit. Në kohën kur muzetë dhe galeritë më shumë janë të mbyllura, ajo e ka kthyer oborrin e saj në hapësirë ekspozuese. Krejt eksperiencën për atë që e ka titulluar “Eye of the chicken” e ka dokumentuar edhe në një video, të cilën e ka shpërndarë më pas në rrjetet sociale.

Në pamundësi për të shfaqur artin e saj për publikun, kishte zgjedhur që si revoltë të prezantonte veprat e fundit duke shfrytëzuar natyrën përreth saj dhe gjallesat. 22-vjeçarja në video shihet duke ngjitur dy fotografi në murin që rrethon pronën e saj të shtëpisë, gjersa lëvizjet e saj në një formë “observohen” nga pulat. Aty-këtu nga distanca, edhe komshinjtë e familjarët kthejnë sytë për të parë se çfarë është duke bërë Nimanbegu.

Megjithatë, për “Eye of chicken” artistja e ka të definuar publikun: pulat. Për to mban edhe një fjalim në fund. Pasi që i shpërblen me korra misri në mënyrë që ato të afrohen drejt Nimanbegut, ajo e shpalos vetë “fjalën e rastit”.

“Të nderuara zonja dhe zotërinj, miq të dashur! Dëshiroj që t’ju falënderoj që jeni prezentë në hapjen e kësaj ekspozite. Posaçërisht më bëhet qejfi që po ju shoh në numër kaq të madh. Kam nderin dhe kënaqësinë ta shpall këtë ekspozitë të hapur”, dëgjohet duke thënë artistja.

Image

Një fjalë rasti ia ka mbajtur edhe publikut – pulave

Në një bisedë për KOHËN ajo ka treguar më shumë për zanafillën e kësaj ekspozite.

Emina Nimanbegu ka thënë se pasi që me paraqitjen e këtij virusi u shkatërrua i gjithë funksionimi normal i aktiviteteve të njerëzimit, kjo u reflektua edhe në fushën e artit. Sipas saj, edhe pse ekspozitat vazhduan të mbahen online, kjo nuk ka përçuar emocionet që artisti përjeton kur qëndron para publikut duke prezantuar krijimet e veta. E gjithë kjo situatë kishte ndikuar emocionalisht edhe te Nimanbegu.

“Në fillim nuk gjeja inspirim shkaku i gjendjes dhe lajmeve që dëgjoja ditë përditë, mirëpo në një moment vendosa t’u kushtohesha punimeve ku nëpërmjet krijimeve të mia të gjeja qetësinë e cila ato ditë nuk ishte mjaft e pranishme. Mund të them që ana pozitive e gjithë kësaj ishte koha e pakufishme që lejonte të veprosh dhe të jesh produktive”, ka thënë ajo. Si artiste e re, ka thënë se, ajo sapo kishte nisur të depërtonte në botën e artit dhe ekspozitave, por gjithë kjo u ndërpre duke mbjellë frikë për ekzistencë e jo më dhe për të krijuar.

“Mirëpo pasioni dhe dëshira për t’u shprehur më inspiruan që si revoltë ekspozitat tona nuk mund t’i vizitojnë njerëzit, më lindi ideja të bëj diçka ndryshe, të shfrytëzoj natyrën dhe gjallesat që e kanë të lejuar prezencën në numër edhe pa maska”, ka thënë ajo sa i përket ekspozitës "Eye of the chicken".

Në këtë ekspozitë, aspak të zakontë, shihen dy fotografi të cilat i ka realizuar vetë artistja në shkurt të këtij vitit me modelisten Leudrita Mustafa.

Nëpërmjet tyre Nimanbegu ka thënë se ka bashkuar dy dimensione të kohës.

“Njëra fotografi paraqet vitet ’60, ndërsa tjetra paraqet shikimin në të ardhmen. Dimensioni i dytë është ‘ajo e ardhmja’, pra të sotmen e kam paraqitur nëpërmjet mënyrës së ekspozimit, pra një ekspozitë me publik të pazakontë. Një e ardhme e papritur, një e ardhme që asnjëri nga ne nuk do ta kishte paramenduar...”, ka thënë ajo.

Image

Me dy fotografi bardhezi, nëpërmjet portreteve femërore, me njërën e kthen kohën në vitet ‘60 ndërsa tjetra paraqet shikimin në të ardhmen. Nimanbegu pos hulumtimit të së kaluarës dhe pikëpyetjeve të së ardhmes, nëpërmjet imazheve sjell diptikun e vendlindjes. Aty fshihet Ulqini dikur në zhvillim, sot përditë i lënë pas dore

Tek lidh kohët nëpërmjet figurës së femrës, vë në pah ndryshimet prej atëherë e deri më sot.

“E vërteta është e hidhur, sepse vendi im sot gjendet në shkatërrim ku shihen pasojat e objekteve hoteliere të lëna me vite pas dore, kurse në të kaluarën ato ishin perla e bregdetit tonë”, ka thënë artistja nga Ulqini. Ajo ka përdorur teknikën bardhezi e që, sipas saj, thekson atë që të sotmes për fat të keq i mungojnë ngjyrat.

“Me këtë dëshiroj të paraqes diçka jonormale, sepse bota çdo ditë tenton nga zhvillimi, kurse ne para 60 vjetësh ishim më në zhvillim sesa sot”, ka thënë Nimanbegu.

Emina Nimanbegu është lindur në Mal të Zi më 12 shkurt të vitit 1999. Ka diplomuar për dizajn dhe multimedia në universitetin “Donja Gorica” në Podgoricë. Aty po vazhdon studimet master. Deri tani ka hapur dy ekspozita personale, në Ulqin dhe në Podgoricë, si dhe ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive në Ulqin, Sarandë, Podgoricë dhe Cetinë. Së shpejti pritet që punimet e saj t’i ekspozojë edhe në Kiev, Ukrainë. Kryesisht punon në pëlhurë natyrore të papërpunuar – lino, me teknikë të kombinuar.