Në komunikimin e saj me Qeverinë e Kosovës, organizata që në prill bëri publikimin e listës së 7 monumenteve më të rrezikuara, ka bërë të ditur se mund të rishikohet pozicionimi i rrezikshmërisë në raport me ndërtesën e shekullit të 14-të. Organizata e themeluar në Paris më 1963, kishte marrë për bazë raportet e shtetit serb, duke bërë që Manastirin të cilin institucionet e Kosovës e konsiderojnë si monumentin më të sigurt në Evropë, ta bëjë pjesë të listës nëpërmjet së cilës alarmon për asetet e trashëgimisë kulturore që rrezikohen
Organizata “Europa Nostra” do ta shqyrtojë mundësinë që Manastiri i Deçanit të largohet nga lista e monumenteve më të rrezikuara në Evropë. Në komunikimin e saj me Qeverinë e Kosovës, Organizata që në prill bëri publikimin e listës së 7 monumenteve më të rrezikuara, ka bërë të ditur se mund të rishikohet pozicionimi i rrezikshmërisë në raport me ndërtesën e shekullit të 14-të.
Organizata e themeluar në Paris më 1963, kishte marrë për bazë raportet e shtetit serb duke bërë që Manastirin të cilin institucionet e Kosovës e konsiderojnë si monumentin më të sigurt në Evropë, ta bëjë pjesë të listës nëpërmjet të cilës alarmon për asetet e trashëgimisë kulturore që rrezikohen.
“Europa Nostra” nëpërmjet një letre drejtuar ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz dhe ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, u është përgjigjur disa shkresave të Qeverisë së Kosovës. Ka sqaruar se duke marrë parasysh se Qeveria e Kosovës nuk e sheh Manastirin si aset të rrezikuar, procesi ende nuk ka përfunduar.
“Ne do të dëshironim të theksonim se përfshirja e një aseti në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara nuk është fundi i procesit; kjo shënon fillimin e konsultave të duhura me të gjitha palët e interesuara. Si rezultat, do të përgatit një raport gjithëpërfshirës, me rekomandime për veprim adekuat, i cili përfundimisht çon në largimin e rrezikut me të cilin përballet një aset i trashëgimisë kulturore dhe si pasojë, në heqjen e asetit nga lista e 7 monumenteve më të rrezikuara. Kjo metodë është aplikuar në të gjitha asetet që janë përfshirë në listë”, shkruhet në përgjigjen e 1 qershorit. Në letër po ashtu shkruhet se “Europa Nostra” ka për qëllim që të lehtësojë procese dhe të jetë sa më gjithëpërfshirëse sa i përket bashkëpunimit me të gjitha palët. Po ashtu është paralajmëruar edhe një vizitë në Kosovë.
“Kjo vizitë do të bëhet sa më shpejtë që situata epidemiologjike të lejojë udhëtimin, gjasshmërisht pas verës”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga Hermann Parzinger, president ekzekutiv i “Europa Nostra” dhe Pilar Bahaonde, president i organizatës “Future for Religious Heritage”. Në letër përmendet edhe një takim online me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë për KOHË-n se në bashkëbisedim me përfaqësuesit e “Europa Nostra” kanë kërkuar që në pajtim me faktet e sigurisë në terren, sa më parë të bëjnë largimin e Manastirit të Deçanit nga lista e 7 monumenteve më të rrezikuara.
“Është e qartë që vendimi ka qenë i ngutshëm, i pabazuar dhe i ndikuar politikisht. Ne kemi propozuar që në vend të Manastirit të Deçanit në këtë listë të përfshihet një tjetër monument i Kosovës, që realisht është i rrezikuar dhe për këtë kemi shprehur gatishmërinë tonë që t'i bëjmë 2-3 propozime”, ka thënë Çeku. Sa u përket propozimeve potenciale për përfshirjen e ndonjë monumenti tjetër në listë, Kosova do të vepronte sikurse shumë shtete të tjera, përfshirë Kroacinë. Shtetet nëpërmjet këtyre propozimeve fusin në listë monumente në mënyrë që “Europa Nostra” t’u ndihmojë në mirëmbajtjen e funksionalizimin e monumenteve. Një prej shembujve është kërkesa e Qeverisë së Kroacisë, që Kompleksi i Varrezave Historike në Mirigoj të jetë pjesë e listës së 7 monumenteve më të rrezikuara.
Ministri Hajrulla Çeku ka paralajmëruar veprime të tjera të Qeverisë, nëse “Europa Nostra” nuk përfill kërkesat.
“Nëse ‘Europa Nostra’ nuk vepron, ne do të ftojmë një ekip ekspertësh ndërkombëtarë që të bëjë vlerësimin profesional të gjendjes së Manastirit të Deçanit dhe të prodhojnë një raport kredibil të ekspertizës ndërkombëtare. Kishat ortodokse në Kosovë janë të sigurta. Ne po vazhdojmë të bëjmë restaurimin e disa kishave ortodokse, ndërsa vazhdojmë të besojmë që dialogu i brendshëm është rruga e vetme për paqe të qëndrueshme”, ka thënë ai. Ka shtuar se trashëgimia kulturore është lart në prioritetet e Qeverisë së Kosovës. “Ne angazhohemi që monumentet tona të jenë të mbrojtura, të hapura e të qasshme për të gjithë dhe t'u shërbejnë të gjitha komuniteteve për nevoja kulturore, sociale dhe ekonomike”, ka thënë ai.
Se Manastiri i Deçanit nuk është i rrezikuar, këtë e ka konfirmuar edhe KFOR-i, si përgjegjës për sigurinë e monumentit.
“Në Manastirin e Deçanit dhe përreth tij situata është stabile”, ka thënë për dokumentarin e KTV-së, “Zonat e veçanta”, Antonio Minutella, zëdhënës i NATO-s në Kosovë.
Në përgjigjet që ia kishte kthyer KOHËS kur shpalli listën me 12 monumentet e rrezikuara, “Europa Nostra” kishte bërë të ditur se nominimi i Manastirit të Deçanit për listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara është bërë nga rrjeti evropian “Future for Religious Heritage”. Aty ishte sqaruar se për bazë janë marrë raportet shtetërore të Serbisë, të cilat i përcillen UNESCO-s çdo vit. Në “Raportin shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës shkruhej se në vazhdimësi të kërcënimeve që i bëhen Manastirit, Ministria e Infrastrukturës s’hoqi dorë nga ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë. Në raportin e vitit 2020 ceket se ministri i Kulturës i Serbisë në vitin 2018 për këtë çështje i ishte drejtuar UNESCO-s. Aty po ashtu ceket se Manastiri vazhdimisht ruhet nga forcat e KFOR-it. Në raportet e viteve paraprake përmenden edhe “kërcënime” të vazhdueshme që i janë bërë Manastirit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje për KOHËN në dhjetor ishte treguar krejt neutrale ndaj publikimit të organizatës evropiane.
“BE-ja e konsideron mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kosovës si të një rëndësie të madhe për të gjithë njerëzit e saj. Kjo vlen edhe për të gjitha vendet e mbrojtura nga Ligji për zonat e veçanta që ekzistojnë për të mbrojtur trashëgiminë fetare, kulturore dhe natyrore, përfshirë Manastirin e Deçanit”, shkruhej në përgjigjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë
Manastiri i Deçanit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2004. Më 2006 ky status u shtri edhe në tri monumente të tjera të Kosovës. Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren po ashtu kanë hyrë në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik si “Monumente Mesjetare në Kosovë”, e të cilat në këtë organizatë botërore janë nën emrin e Serbisë.
E “Europa Nostra”, që për sekretare të përgjithshme ka juristen beogradase Sneshka Quaedvlieg-Mihailoviq, do të ndajë nga 10 mijë euro për secilin prej shtatë monumenteve në rrezik.