“Tani, 36 vjet më vonë, është koha për t’u ndalur dhe për të reflektuar mbi atë që ka ndodhur gjatë asaj kohe”, shkruan gazetari gjerman, Erich Rathfelder, reporter nga Kosova qysh nga fundi i viteve ‘80 e në kohë lufte. Pikërisht ai e bën një gjë të tillë. Reflekton në librin e tij “Kosova – historia e një konflikti”, botimi në shqip i të cilit e ka rikthyer në Prishtinë. Në kohë lufte u bë zë i Kosovës, u shpall non grata nga Serbia, por ky është veç një detaj i rrugëtimit të tij
Ka qenë viti 1987 kur nga qyteti jugor serb i Nishit do të vinte në “mjegullën e vjeshtës në Prishtinën e atëhershme të shëmtuar dhe të errët”. Do të shihte figura të dëshpëruara. Gazetari gjerman, Erich Rathfelder, te shumica do të ndiente frikën e të jetuarit në një shtet policor, i cili, ndryshe nga republikat veriore të Jugosllavisë, këtu ishte i kudondodhur, në çdo cep.
“Tani, 36 vjet më vonë, është koha për t’u ndalur dhe për të reflektuar mbi atë që ka ndodhur gjatë asaj kohe. Libri im mund të ndihmojë në këtë. Për shkak se kam qenë shumë afër ngjarjeve me dekada, kam përjetuar shumë gjëra, si gazetar kam mundur të marr pjesë në fatet e popullit në të mirë e në të keq…”, shkruan Rathfelder (76) në parathënien e librit të tij, “Kosova – historia e një konflikti”.
Është pikërisht ky libër që e ka rikthyer në Kosovë, të enjten mbrëma në bashkëbisedim në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, e cila e ka organizuar këtë ngjarje mbështetur prej Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kosova është fort e njohur për Rathfelderin, korrespondent në rajonin e Ballkanit prej vitit 1987, siç shkruhet në biografinë e tij, dëshmitar nga afër i ngjarjeve në Kosovë – heqjes së statusit të saj autonom në vitin 1989, protestave paqësore të shqiptarëve, luftës së armatosur të UÇK-së, ndërhyrjes së NATO-s dhe më pas i fazës së administrimit të përkohshëm civil. Por lidhja e tij me këto anë nuk përfundon me kaq. Gazetari gjerman, i cili ka studiuar për shkenca politike dhe filozofi para se të vazhdonte karrierën e tij si gazetar për gazetën gjermane “Taz” (Die Tageszeitung), ku ishte fillimisht redaktor për Evropën Perëndimore, pastaj dhe për Evropën Lindore, prej nga edhe filloi interesimi i tij për Ballkanin përgjithësisht dhe veçanërisht për Jugosllavinë. Pas vitit 1983 ai u bë redaktor në po këtë gazetë dhe prej vitit 1987 vizitoi shumë shpesh Jugosllavinë e sidomos Kosovën e Serbinë. Prej vitit 1991 ka raportuar vazhdimisht për luftërat në Slloveni, Kroaci, për një periudhë trevjeçare edhe nga Bosnja, ndërsa nga viti 1997 e deri nga mesi i vitit 1998 raportoi edhe nga Kosova, deri në qershorin e vitit 1998 , kur u shpall persona non grata nga Qeveria e Serbisë dhe u dëbua.
Një lidhje si kjo, e bën atë kompetent të tërheqë paralele me Kosovën e atëhershme dhe të tashmen.
“Kushdo që e njeh Kosovën nga e kaluara dhe sot vozit nga Mitrovica në Prishtinë do të befasohet jashtëzakonisht. Aty ku delet kullosnin të qeta në livadhet e gjera, sot ndërtesat me dyqanet e tyre, pikat e karburantit dhe banesat e dëshmojnë zhvillimin dinamik të vendit. Sa më shumë i afrohesh Prishtinës, kryeqytetit, trafiku në rrugën e re me katër korsi intensifikohet, duke hapur më në fund pamjen e panoramës mbresëlënëse të qendrës së sotme. Qyteti dikur i përgjumur e provincial i Prishtinës është bëre një kryeqytet i vërtetë dhe i gjallë”, shkruan ai në parathënien e librit, në të cilin ai shpalos përvojat e tij si raportues gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe krejt situatën politike para saj. Në shqip vjen i përkthyer nga Rexhep Bajrami, 13 vjet pas botimit në gjermanisht.
Në bashkëbisedimin e udhëhequr prej historianit Durim Abdullahu, ka sjellë jo vetëm detaje nga libri.
Ka rikthyer kohën kur më 1987 do të vinte në Kosovë dhe për ftesën që i ishte bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Faktin se ka ndier presion të hatashëm nuk e mohon asnjëherë.
“Sipas tyre, unë isha i obliguar të raportoja në mënyrë korrekte, vetëm sipas direktivave të tyre”, ka kujtuar ai.
Të parin shqiptar që do të takonte në Kosovë qe filozofi e kritiku Shkëlzen Maliqi, me të cilin kujton se do të ndihej në duar të sigurta.
“Shkëlzeni e kishte kuptuar menjëherë që po vinte dikush që ka interes të merrej me situatën politike në Kosovë. Ai e kishte parë se si nacionalizmi në Serbi po zhvillohej dhe kishte nuhatur mirë diferencimin e lëvizjeve politike atëbotë”, ka thënë Rathfelder.
Në “Grand” i rrethuar nga sigurimi serb
Ka kujtuar vështirësitë që kishte gjatë qëndrimit në Kosovë dhe për kontrollin që i bëhej çdo hapësire duke filluar nga hyrja e hotelit “Grand”, ku “qëndronin dhjetë burra të veshur me xhaketa lëkure të zeza” që, sipas tij, vëreheshin fare lehtë se ishin persona të sigurimit serb. Vizitat e tij të para në terren ishin mundësuar krah Shkëlzen Maliqit, në disa fshatra të Kosovës, mirëpo jo aq lehtë.
“Më është vendosur një tip fashoje në sy për të mos e parë rrugën se nga po shkonim”, ka kujtuar ai. “Më kanë dërguar në një vend ku ishin së paku 150 burra, të gjithë me plisa në kokë. Ata më tregonin se si ishte situate njëmend në Kosovë, për shembull edhe pse fëmijët shqiptarë dhe serbë ndiqnin mësimin në shkolla të njëjta, fëmijët shqiptarë shkonin në shkolla me një autobus të shkatërruar, ndërsa ata serbë me një autobus të ri”, ka thënë ajo.
Kjo duket se i ofroi Rathefelderit takimin e parë me realitetin e të qenit shqiptar në Kosovën e asaj kohe.
Bisedën e ka vazhduar me rrëfimin e përpjekjeve të Rathfelder për të gjetur se kush ishin organizatorët e protestës së grave serbe në Prishtinë.
“Provova disa ditë që të kontaktoja me këta organizatorë dhe si përfundim u ftova në një takim me tre burra. Aty më pritën me kafe e raki, gratë dolën nga dhoma dhe mbeta vetëm me ata të tre. Kuptova se kishim të bënim me një manipulim, në mënyrë indirekte kuptova dhe emrin e njërit prej tyre, i cili ishte Kosta Bulatoviq, një nacionalist serb, ndërsa emrat e dy të tjerëve nuk i mësova kurrë. Ata filluan të më bënin pyetje dhe të më kërcënonin se duhej të zhdukesha nga Kosova në rast se nuk do të raportoja ashtu siç donin ata”, ka kujtuar gazetari gjerman.
“Kosova – historia e një konflikti” në pjesën e parë merret me propagandën e medias në Kosovë dhe faktin se si ajo nuk ishte e lirë dhe duhej të vepronte sipas direktivave të pushtetit serb. Në 100 faqet e para të librit flet edhe për një lidhje që ndien me Kosovën. Ndërkaq diskutohet dhe për faktin nëse ai, në fundin e viteve ’80, do ta ndiente fillimin e një konflikti të armatosur në Kosovë.
“Nuk kam besuar se do të fillonte ndonjëherë ndonjë luftë në Jugosllavi, deri në vitin 1990, por ky konkluzion rezultoi si i ngutshëm. Mund të ndieje dhe të shihje lehtësisht se në Serbi po zhvillohej një lëvizje e ashpër fashiste, e cila paralajmëronte diçka”, ka thënë Rathfelder. Në punën si reporter kishte mundësi të shihte nga afër trajtimin e shqiptarëve në Kosovë, mënyrën se si shkeleshin të drejtat e njeriut. I ka ilustruar me atë
se si gratë shqiptare nuk mund të shkonin nëpër spitale, se si arriti të identifikonte një ndarje nga shoqëria dhe institucionet.
Si ndihmë kyç për sigurimin e informacioneve rreth gjendjes në Kosovë ai përmend disa figura politike të rëndësishme kosovare.
“Në atë kohë pata takuar Bujar Bukoshin, me të cilin kam pasur kontakt të ngushtë, e njëjtë dhe me Ibrahim Rugovën, nga të cilët merrja informacionet se çfarë ngjante në Kosovë”, ka thënë ai.
Në një pikë të diskutimit rreth kohës së tij në Kosovë ka përmendur dhe vlerësuar përpjekjet e disa akterëve rreth gjetjes së fondeve e donacioneve të cilat siguronin vazhdimësinë e institucioneve paralele të shqiptarëve të Kosovës. Do ta ndiente se jo të gjithë ishin dakord me politikën paqësore të Ibrahim Rugovës.
“Banorët që intervistoja nëpër fshatra të Kosovës thoshin se ‘ne do të respektohemi vetëm me armë në duar’”, ka kujtuar ai.
Takimi me UÇK-në
Interesant ka qenë edhe rrëfimi i tij për kontaktin e parë me UÇK-në.
“Tashmë si një reporter lufte, unë doja të takohesha me ushtarët e UÇK-së dhe të bëja intervistë me ta. Por askush në Prishtinë nuk më tregonte se ku të drejtohesha, ose nuk dinin, ose nuk dëshironin që unë të takohesha me krerët e UÇK-së. Mirëpo në muajin e ftohtë të shkurtit unë shkova në Drenicë, fillimisht u ndala në një kafene dhe pyeta burrat aty se si mund të takohesha me UÇK-në, me shumë gjasë ata mendonin se kush janë këta idiotë që dëshirojnë të takohen me UÇK-në?!”, ka kujtuar ai. Dhe takimi nuk qe i zakonshëm. Do të ndalohej me makinë, do të rrethohej nga të katër anët prej personave të armatosur, derisa kishte komunikuar me njërin nga ta në gjuhën suedeze tek i kishte treguar që është gazetar nga Berlini dhe se kishte ardhur për të raportuar për gjendjen në Kosovë. Do t’i këshillonte qasje tjetër ndaj mediumeve botërore dhe një takim si ky do të përfundonte me shtrëngim duarsh. Sipas tij, Shkëlzen Maliqi kishte rol të rëndësishëm ndërmjetësues me mediat botërore rreth tregimit të lajmeve të dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova për në Maqedoni e Mal të Zi.
“Ku ishin politikanët e asaj kohe, LDK-ja, ku ishte Ibrahim Rugova, kur kosovarët ishin nëpër kampe dhe u duheshin kurajë dhe forcë”, ka thënë Rathfelder, duke kujtuar rolin e “Kohës Ditore” në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar.
Krejt afër fundit të këtij bashkëbisedimi ai ka ndarë diçka edhe për vizitën e tij në Prekaz dhe takimin me disa anëtarë të familjes Jashari.
“Familja Jashari ishte një rast unik dhe unë kam kuptuar për rrethimin e shtëpisë së tyre edhe me makinën time xhip ‘Pajero’, me të cilën ngjitesha në lartësi që më lejonin të shihja se çfarë po ndodhte”, ka kujtuar Rathfelder.
Rrugës për në Rahovec me rusët
Detaj me peshë i punës së Rathfelderit si gazetar në Kosovë ishte dokumentimi i masakrës së Rahovecit në korrikun e 1998-s.
”Kur kam dëgjuar për masakrën e Rahovecit, atë natë në ‘Grand Hotel’ kam qenë në një tavolinë me zëvendësministrin e Punëve të jashtme të Rusisë, të cilët po përgatiteshin që të nesërmen të shkonin në Rahovec. Iu afrova atij dhe i tregova që isha mik me një redaktor të gazetës ruse, dhe i pyeta se a mund të shkoja me ta në Rahovec. Ata pranuan dhe në mëngjes u nisëm nga ‘Grand Hoteli’ për në Rahovec, unë me makinën time pas tyre duke i përcjellë”, ka thënë ai.
Pritjen në Rahovec të rusëve Rathfelder e përshkruan si euforike dhe të përcjellë nga të shtëna nga një grup çetnikësh serbë.
“Vizituam Rahovecin dhe gjenim njerëz në bodrume të shtëpive të frikësuar të na hapnin dyert. Atje pashë dhe një varrezë masive, në të cilën, sipas një dëshmitari, aty ishin të vrarë dhe disa fëmijë”, ka thënë ai. Kështu e përshkruan terrenin në Rahovec, ndërsa kthimin në Prishtinë e tregon me shkrimin e raportit të detajuar rreth masakrës së Rahovecit.
“Pasi që unë e informova redaktorin rreth lajmit dhe lajmi u publikua, të nesërmen disa serbë erdhën te ‘Grand Hotel’ dhe filluan të bërtisnin ‘Do ta vrasim Erich Rathfelder’. Isha çuditërisht shumë i qetë ani pse isha vetëm në hotel, pasi që të gjithë gazetarët e tjerë ndërkombëtarë ishin larguar atë mëngjes. Por pastaj ministri i informacionit serb të Kosovës erdhi dhe më nxori nga aty, dhe ditën tjetër kam shkuar në Sarajevë”, ka kujtuar ai.
Do të pasonte shpallja non grata nga autoritetet serbe.
“U shpalla si gazetar i rremë, dhe shumë njerëz vinin në pyetje profesionalizmin tim dhe autoriteti im u lëkund dhe humba shumë miq në atë periudhë”, ka thënë Rathfelder. Për ta kuptuar edhe më mirë kontributin e tij ka treguar se si bashkë me djalin e shehut të Rahovecit kishe bërë identifikimin e kufomave duke krijuar kështu një listë emrash, të cilën ia kishte dorëzuar ushtrisë gjermane, por ai shton se kjo listë nuk arriti të bëhej publike.
Në përmbylljen e këtij diskutimi Rathfelder ka folur edhe për këndvështrimet e tij për të ardhmen e politikës kosovare, duke nënvizuar se imazhi nuk është dhe aq pozitiv, ka pozicione të komplikuara duke marrë parasysh konfliktin e Izraelit dhe Palestinës, luftën në Ukrainë, përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin duke përdorur Serbinë.
“Situata politike në botë në përgjithësi është shumë e vështirë momentalisht, e njëjtë edhe Evropa është e sulmuar nga forca dhe lëvizje radikale duke lënë kështu përshtypje se fuqia e BE-së po zbehet, duke e humbur influencën e saj”, ka thënë ai. Por Kosova për të qëndron në një pozicion të palëkundur drejt integrimit. Dhe Kosovën e njeh mirë: në luftë, e tash edhe në paqe.