Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Energjia shpërthyese e kërcimit tropojan

Janë katërmbëdhjetë interpretues të ndarë në çifte. Nën buçitjen e daulles, vajzat shamikuqe e djemtë plisbardhë hedhin hapat e bëjnë lëvizje kuptimplote.

Për një moment, çdo dyshe formon një qark me dyshen tjetër për t’u pasuar menjëherë nga rrathë të tjerë me katër kërcyes, transmeton KOHA.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fillon prapë nga e para pa e humbur asnjëherë dinamikën. Është kërcimi i koreografuar asisoj që çdo lëvizje shpreh shpirtin tropojan të Malësisë së Gjakovës.

Me të, Shqipëria synon që të kandidojë edhe me një vlerë tjetër në thesarin e kulturës shpirtërore të botës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë të premten se Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore jomateriale po e kandidon në UNESCO.

“Ritme marramendëse, energji shpërthyese, ngjyra… Ky është ‘Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës’, pjesë e folklorit tonë koreografik, një nga perlat e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare”, ka shkruar ministrja Margariti pranë videos njëminutëshe, me interpretimin e këtij kërcimi në qytetin e Bajram Currit.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale vendosi të çojë punën përpara për ta kandiduar atë, si ‘Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit’, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

“Kcimi i bjeshkës me tupan të Tropojës” është vetëm njëra nga vlerat e trashëgimisë jomateriale të kulturës shpirtërore, që do të kandidojë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.