Kulturë

Emigranti në gjetje të identitetit rrëfehet në Muzeun Arkeologjik

Në natën e dytë të festivalit ndërkombëtar të teatrit, në ambient të hapur – “Prizrenfest”, publiku ka pasur rastin që t’i shikojë dy shfaqje: njërën në Muzeun Arkeologjik e tjetrën në Burgun e qytetit. Në monumentin e trashëgimisë kulturore është luajtur monodrama “PPP ti presento l’Albania” (PPP po ju prezantoj Shqipërinë) e autorit dhe regjisorit Klaus Martini, ku edhe roli i vetëm është interpretuar nga ai, me ç’rast është shpalosur një histori autobiografike, me fragmente të shkruara nga Pasolini dhe me ripunime autoriale, të cilat kanë ngjallur emocione të përziera te publiku, prej dhembshurisë deri te hareja

Oborri i Muzeut Arkeologjik të Prizrenit, është transformuar në ambient teatri me monodramën “PPP ti presento l’Albania” (PPP po ju prezantoj Shqipërinë) të autorit dhe regjisorit Klaus Martini, të hënën mbrëma, në kuadër të natës së dytë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur – “Prizrenfest”.

Në këtë shfaqje, ku edhe roli i vetëm është interpretuar nga Klaus Martini është shpalosur historia autobiografike, me fragmente të shkruara nga Pasolini dhe me ripunime autoriale, të cilat kanë ngjallur emocione të përziera te publiku, prej dhembshurisë e deri te hareja.

Skenografia – në oborrin ku janë të vendosura edhe disa nga gjetjet arkeologjike nga rajoni i Prizrenit – ka qenë e thjeshtë, me një tavolinë dhe karrige të bardhë, një libër, si dhe një varg poçesh, në të cilin janë varur disa fotografi bardhezi të vendeve dhe personave të rëndësishëm për protagonistin.

Sipas autorit, “PPP po ju prezantoj Shqipërinë” shfaq takimin në midis njëzetvjeçarit, të birit të emigrantëve shqiptarë dhe romanit “Ëndrra e një gjëje” të Pier Paolo Pasolini. Teksa e lexon këtë roman, djaloshi kërcen shpejt në këmbë dhe vrapon te ditari i tij, në të cilin shkruan me entuziazëm: “I nderuari P.P.P. para së gjithash po ju shkruaj që të ju falënderoj…”.

Kështu nis një korrespodencë imagjinare, që e shtyn djaloshin të rrëfejë për emigrimin e prindërve, për legjendat, që ia kanë përcjellë gjyshërit, për vallet e ritualet, qe i japin ritëm jetës në fshat. Kësisoj, protagonisti respektivisht Iliri pak nga pak fillon ta zbërthejë ndjenjën e përkatësisë së origjinës së tij, duke e rigjetur atë në fjalët e shkrimtarit të madh.

“PPP po ju prezantoj Shqipërinë” e shoqëron shikuesin nëpër një sërë situatash të një pasqyrimi, ku nga njëra anë është Friuli i Pasolinit ndërsa në anën tjetër është Shqipëria e Ilirit. Edhe monodrama para publikut në Prizren është prezantuar në dy gjuhë, italisht dhe shqip.

Martini ka bërë të ditur se në aspektin e gjuhëve ka eksperimentuar, meqë është hera e parë që e luan para një audience, që e kupton shqipen.

“Këtë shfaqje e kam bërë në Itali edhe kam fituar çmim në Itali me këtë shfaqje. Kjo vjen si shfaqje në italisht me disa pjesë në shqip. Sot i kam shtuar ca pjesë në shqip, sepse është 60 për qind në shqip dhe 40 në italisht atë, që keni parë sot, edhe ka qenë shumë i bukur si eksperiment, me shumë ndjenja, me shumë emocione. Shpresoj se mund ta bëj edhe herët tjera, kam kuptuar se kjo është një rrugë, që duhet me e marrë, me e çua edhe në Shqipëri ndoshta, edhe në Kosovë në ndonjë vend tjetër se është patjetër një moment, për mua, rritjeje e madhe me publikun”, ka thënë artisti.

Image
“PPP po ju prezantoj Shqipërinë” e shoqëron shikuesin nëpër një sërë situatash të një pasqyrimi, ku nga njëra anë është Friuli i Pasolinit ndërsa në anën tjetër është Shqipëria e Ilirit

Ka thënë ta ketë pyetur shpeshherë veten për identitetin e tij, derisa ka ardhur në përfundimin se ai mund të jetë i përzier.

“Nuk është e rëndësishme ku do ta vësh veten, e rëndësishme me e ditë se të dyja të bëjnë njeriu që je, domethënë s’ke nevojë me vendos ose kjo, ose ajo tjetra. Ke nevojë me i vendos bashkë, s'duhet me pas frikë me e ditë se je i përzier dhe rrënjët i ke në një vend, por jeta jote është në një vend tjetër, jemi të përzier, dhe kjo besoj se është mendimi i fundit”, ka deklaruar Martini.

Ndonëse paraqet pjesë biografike të ndërthurura me pjesë imagjinare e legjenda, ai ka theksuar se ka krijuar distancën e nevojshme për punë artistike larg emocioneve personale.

“Patjetër është e vështirë me shku në skenë kur ballafaqohesh me një ngjarje aq të afërt me ty, por atë, që jam munduar ta bëj me këtë shfaqje prej fillimit ka qenë me e gjetë një distancë pune, sidomos te pjesa e parë e shfaqjes. Vetëm nga fundi e lë veten me hy pak në emocion, deri në atë moment për mua është me rëndësi që të emocionohet publiku”, është shprehur Martini.

Publiku është emocionuar dhe kësaj i ka ndihmuar mjaft ambienti intim i krijuar në oborrin e monumentit historik. Sipas Martinit, ky ambient i veçantë, i ka dhënë forcë më të madhe shfaqjes.

“Unë besoj se është një shfaqje, që rritet kur ka këto ambiente kaq intime, besoj se edhe teatri është i bukur kur i ke njerëzit afër se është një gjë, që ndodh në atë moment me të vërtetë”, ka thënë ai.

Në natën e dytë të festivalit, në Burgun e Qytetit të Prizrenit është dhënë edhe shfaqja “Ora e vdekjes” në regji të Ilir Bokshit, dramë kjo që trajton fatin e të burgosurve politikë në Kosovë dhe Shqipëri. Premiera botërore e saj qe dhënë më 24 qershor, në ish-objektin e Burgut të Prishtinës, të shndërruar në muze, e shfaqja sjell histori të vërteta, andej e këndej kufirit, tek e përball publikun me disa prej rrëfimeve të të burgosurve. Ajo vjen si homazh për vuajtjet e fatet njerëzore.

Në kuadër të edicionit të parë të “Prizrenfestit” prezantohen shfaqjet teatrale nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia, Rumania dhe Italia, në ambiente të hapura.

Image
“Këtë shfaqje e kam bërë në Itali edhe kam fituar çmim në Itali me këtë shfaqje. Kjo vjen si shfaqje në italisht me disa pjesë në shqip. Sot i kam shtuar ca pjesë në shqip, sepse është 60 për qind në shqip dhe 40 në italisht, atë që keni parë sot, edhe ka qenë shumë i bukur si eksperiment, me shumë ndjenja, me shumë emocione”, ka thënë Klaus Martini