Kulturë

Ekspozita që gjurmon suksesin e artistëve të epokës naziste pas luftës

Një ekspozitë e re, që vë në pah se si disa nga artistët vizualë të preferuar të nazistëve ishin në gjendje të vazhdonin suksesin e tyre edhe në Gjermaninë e pasluftës, do të hapet në Berlin këtë javë.

"Talentet hyjnore. Artistët e preferuar të nacional-socializmit në Republikën Federale”, hapet të premten në Muzeun Historik Gjerman. Ekspozita gjurmon karrierën dhe veprat e shumë njerëzve që u paraqitën në një listë të artistëve me “talent hyjnor", të përpiluar në vitin 1944 në emër të Adolf Hitlerit dhe Joseph Goebbelsit.

Në anën tjetër, artistët hebrenj dhe ata kritikë ndaj nazistëve u diskredituan dhe u persekutuan, ndërsa veprat e tyre u ndaluan për t’u shfaqur në muze, pasi u quajtën "art i degjeneruar".

Lista e "talenteve hyjnore” përmbante emrat e më shumë se 100 piktorëve dhe skulptorëve. Ato u konsideruan aq të dobishme për përpjekjet propagandistike të nazistëve, saqë u kursyen nga rekrutimi në forcat e armatosura.

Pavarësisht fillimit të ri të aspiruar të Gjermanisë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945 dhe procesit të denazifikimit, shumë prej këtyre artistëve u rehabilituan dhe vazhduan me sukses karrierën e tyre për dekada të tëra.

Ata morën honorare fitimprurëse nga qeveria, industria dhe organizatat kishtare, mësuan në akademitë e artit dhe hapën ekspozita.

Dizajnët e tyre, statujat, relievet dhe sixhadetë në sheshe apo teatro publike lanë gjurmët e tyre deri më sot në shumë qendra të qyteteve gjermane. Kuratori i ekspozitës, Wolfgang Brauneis, ka thënë se fakti që shumë nga protagonistët e njohur të botës së artit nacional-socialist vazhduan të punojnë me sukses në dekadat e pasluftës ndikoi në fillimin e ri.

"Ne po hedhim dritë mbi këtë temë të veçantë nga pikëpamja historike bashkëkohore dhe shpresojmë në këtë mënyrë të kontribuojmë në një rishikim të kanonit historik të artit dhe artit modern të pasluftës", ka thënë Brauneis.

Nuk është vetëm në botën e artit që njerëzit që gëzonin pushtet dhe ndikim nën regjimin nazist ishin në gjendje ta vazhdonin karrierën e tyre pas luftës në Gjermani. Ndodhi gjithashtu në gjyqësor, ministritë qeveritare, arsimin, akademinë dhe gjetkë.

Në Muzeun Historik Gjerman, rreth 300 skulptura, piktura, sixhade, modele, fotografi, film dhe dokumente të padëmtuara, të shoqëruara me shpjegime dhe analiza, përpiqen të hedhin dritë mbi karrierën e epokës naziste dhe të pasluftës të artistëve, si skulptorët Arno Breker dhe Willy Meller.

Deri në rënien e Rajhut të Tretë, Breker ishte profesor i arteve pamore në Berlin dhe skulptor zyrtar shtetëror i Hitlerit. Përkundër lidhjeve të tij të ngushta me nazistët, Brekerit iu lejua pas luftës të bënte skulptura për bashkinë e qytetit perëndimor të Duesseldorfit, ose kompaninë e sigurimeve Gerling në Këln.

Meller krijoi skulptura për stadiumin olimpik të Berlinit në vitin 1935 dhe projektoi të tjera për kompleksin e ndërtimit të nazistëve në bregdetin Baltik “Prora” - një vendpushim gjigant për punëtorët gjermanë, i cili nuk u përfundua kurrë.

Pas luftës, Melleri u ngarkua të krijonte skulptura për shërbimin postar gjerman “Deutsche Post” dhe madje bëri një memorial para qendrës së parë të dokumentacionit gjerman për nazistët në qytetin perëndimor të Oberhausen.

Shpesh, prezantimi i vazhdueshëm i punës nga artistët e preferuar të nazistëve u ndesh me asnjë ose pak rezistencë nga publiku në vitet e para të pasluftës. Ky perceptim ndryshoi ngadalë duke filluar në vitet 1960, kur brezat e rinj gjermanë filluan publikisht t’i vinin në dyshim mizoritë e kryera nën Rajhun e Tretë.

Shfaqja "Talentet Hyjnore..." zgjat deri më 5 dhjetor dhe shoqërohet me turne në Berlin, Mynih, Duseldorf dhe Vjenë, duke u ndalur te disa nga veprat e artistëve në këto qytete.