Orë muri e periudhës austro-hungareze, arka e pajës apo çejzit, bluda të drurit, kallëp opinge, enë dheu, shtizë për tjerrje të leshit e të tjera, janë në mesin e njëmbëdhjetë eksponateve që Ajet Kida nga Cermjani i Dushkajës së Gjakovës ia ka dhuruar Muzeut Etnologjik të Kosovës. Kida, i cili tani jeton në Holandë, i kishte trashëguar ato nga gjyshërit e tij. Dikur zinin vend në kullën që rezistoi 250 vjet, deri pas luftës së fundit në Kosovë.
“Në verën e vitit 2022, Ajet Kida me prejardhje nga Gjakova, me banim në Holandë, i ka dhuruar vullnetarisht 11 eksponate të (shek. XIX) familjes së tij Muzeut Etnologjik. Eksponatet i kanë takuar familjes Kida nga Cërmjani i Dushkajës së Gjakovës dhe kanë qenë pjesë e enëve dhe orendive të kullës së vjetër mbi 250-vjeçare”, ka njoftuar të martën me anë të një postimi në Facebook, Bekim Xhemili, etnolog në Muzeun Etnologjik të Kosovës.
Në një intervistë për KOHËN, dhuruesi i këtyre objekteve, Ajet Kida, ka treguar historinë e tyre, dashurinë e madhe që ka për to, si dhe arsyen se pse kishte vendosur që ato t’ia dorëzonte muzeut.
“Kulla është ndërtuar rreth viteve 1870 dhe ka ekzistuar deri pas luftës së fundit. Këto objekte janë trashëgimi e familjes Kida nga Cermjani i Gjakovës dhe kanë shërbyer në kullën e Kidës. Aty edhe jam rritur. Si i vogël jam mahnitë nga disa objekte që gjendeshin aty. I kam marrë dhe i kam ruajtur me fanatizëm, por në mungesë të hapësirës në banesën ku jetoj në Gjakovë e njoftova personelin e Muzeut se a mos kanë interes për objektet. Ata erdhën e i panë dhe ishin shumë entuziast rreth tyre”, ka bërë të ditur Kida, teksa ka shtuar se kulla e familjes së tij, për të cilën ai shprehet se ishte më e bukura në regjionin e Dushkajës, ishte shkatërruar si pasojë e vjetërsisë dhe mungesës së fondeve për renovimin e saj.

Në bisedë e sipër, Kida ka dhënë detaje edhe për disa nga njëmbëdhjetë eksponatet. Ndër to ai ka veçuar arkën e rrobave dhe “Itifajanë”, me të cilën gjyshi i tij e kishte matur kohën.
“Gjësendet u përkasin gjyshërve të mi. Arka është të paktën 140-vjeçare, ora e murit është e kohës së Austro-Hungarisë. Ka edhe enë të ndryshme ku kanë shërbyer për tu ushqyer në to, enë si çanak i dheut, shumë i vjetër, besoj mbi 150 vite, enë druri të ndryshme si lugë, shtizë për tjerrje, pjesë të një djepi shumë të vjetër e të tjera. Një gjë ndër to ka qenë edhe ‘Itifaja’, siç e quante gjyshi im, me te cilën ai, në mungesë të orëve në atë kohë, ka bërë matjen e kohës së saktë, ndërsa arkën e teshave e ka ndërtuar vetë gjyshi im, para 140 vjetëve”, ka shpjeguar Kida duke shtuar se trashëgiminë e krahason me rrënjët e lisit. “Pa rrënjë lisi rrëzohet. Pa trashëgimi një popull zhduket”, ka thënë ai.
Etnologu Bekim Xhemili ka folur për rëndësinë dhe vlerën e këtyre njëmbëdhjetë objekteve të cila ai i ka pranuar së bashku me etnologun tjetër të Muzeut Etnologjik të Kosovës, Ilir Sopjanin.
“Eksponatet janë shumë të rëndësishme për Muzeun, për arsye se e pasurojnë fondin, por njëkohësisht tregojnë edhe për kujtesën familjare, historinë e eksponateve, kur janë punuar-prodhuar, me çfarë materiali janë punuar e shumë detaje të tjera”, ka vlerësuar Xhemili.
Tutje Xhemili u ka bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë të Kosovës që të mos ngurrojnë t’i dhurojnë Muzeut gjësende të tilla të ngjashme, të vlefshme për edukimin e gjeneratave pasardhëse.
“T’ia dhurojnë Muzeut, si vend ideal për ruajtjen, konservimin, restaurimin, interpretimin, edukimin e gjeneratave të reja përmes ekspozimit në ekspozita të përkohshme dhe të përhershme”, ka thënë ai.
Xhemili ka thënë se njëmbëdhjetë eksponatet jenë ende në proces të pastrimit, trajtimit dhe konservimit, ndërsa planifikohet të ekspozohen tek në vitin 2023.