Ishte koha e transformimeve të mëdha, e kthesave historike, kur John Hodgson do të bëhej banor i përkohshëm i Kosovës. Kujtimeve u rikthehet katër dekada më pas për t’i ndarë ato me lexuesin e për t’ua shfaqur imazhin e tij për vitet 1980-1984. Por, ka një veçanti libri i tij: gjuhën e folur e qëmton në një mënyrë unike. E quan gjuhë të pashkruar, e cila shkruan historinë e pashkruar. Dhe ka një shpjegim për këtë
Kanë kaluar dyzet vjet qëkur përkthyesi i veprave shqipe në anglisht, John Hodgson, kishte jetuar në Prishtinë. Megjithatë, është ajo periudhë që Hodgsonin e ka frymëzuar për të shkruar librin e tij të parë në shqip “E ardhmja në të kaluarën: kujtime të Kosovës”, në të cilin në mënyrë objektive shpalos jo vetëm kujtimet e tij për Kosovën e viteve 1980-84, si edhe për përvojën e tij me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Por, ka një veçanti libri i tij: gjuhën e folur e qëmton në një mënyrë unike. E quan gjuhë të pashkruar, e cila shkruan historinë e pashkruar. Dhe ka një shpjegim për këtë.
Përurimi i librit “E ardhmja në të kaluarën: kujtime të Kosovës” të martën mbrëma në librarinë “Dukagjini” e ka rikthyer në Kosovë. Gjatë viteve në Kosovë ai ka qenë ligjërues i anglishtes në Universitetin e Prishtinës. Ishte koha kur Kosova pati një kapërcim politik, i cili mori hov veçanërisht me demonstratat studentore të 81-tës. E mu kjo ngjarje është njëra ndër çështjet kryesore për të cilën Hodgson e shtjellon në librin e tij.
“I kam shkruar këto kujtime të Kosovës që, ndonëse për Kosovën ishin vite të vështira, për mua ishin vite të paharrueshme të jetës sime dhe ndonëse unë kam dhënë mësim në Universitet, vlerësoj se unë isha vetë student, sepse më shumë kam mësuar sesa kam dhënë mësim”, ka shpjeguar në shqipe tejet të pastër.
Gjatë diskutimeve Hodgson, i cili ka përkthyer disa nga veprat e Kadaresë dhe që ka punuar edhe si përkthyes në Tribunalin e Hagës, ka thënë se studentët shqiptarë të viteve ‘80 ishin të sigurt se po bënin një hap tejet të rëndësishëm për shtetin e tyre, Kosovën.
“Demostratat e 80-shit që i kam parë dhe e kam përshkruar në libër ishin një lëvizje kryesisht studentore dhe besoj se ishte brezi i parë i rinisë kosovare që kishte shkuar në Universitet. Do të thotë se ata ishin shumë të vetëdijshëm se po bënin një hap shumë përpara për Kosovën, për brezin e tyre, për jetën e tyre edhe besoj se ishin tejet të entuziazmuar dhe se oreksi i tyre ishte gjithmonë duke u shtuar”, ka shpjeguar Hodgson.
Ndër të tjera ai kujtoi se si studentët e asaj kohe synonin që të punonin kryesisht si mësues e kjo lidhej posaçërisht me numrin e madh të fëmijëve, në një kohë kur nataliteti në Kosovë ishte në rritje. Sipas tij, Universiteti i Prishtinës ishte njëri ndër më të mëdhenjtë sa i përket numrit të studentëve. Por, nuk shkoi shumë e ata mbetën të dëshpëruar. Për shkak të situatës që u krijua në Kosovë, Hodgson kujton se studentët mbetën pa punë dhe se të vetmit që arritën ta gjenin veten ishin ata që punonin në gjuhën angleze me ndërkombëtarët.
“Studentët ishin gati për të shpërthyer në atë kohë, qoftë në gjuhën angleze, qoftë në gjuhën amtare, por situata në atë kohë ishte shumë e brishtë dhe vendi ishte në krizë”, ka thënë Hodgson.
Në “E ardhmja në të kaluarën: kujtime të Kosovës” Hodgson trajton edhe një çështje tejet të rëndësishme, e cila ka të bëjë me gjuhën letrare dhe gjuhën që flitej në përgjithësi në Kosovë. Si i sapoardhur në Kosovë, ai fillimisht kishte tentuar ta mësonte gjuhën dhe kulturën shqipe nëpërmjet librave. Por, meqenëse shumica nga librat e asaj kohe kishin karakter ideologjik, Hodgeson iu drejtua masës. Këtu ai u përball me një të vërtetë: gjuha që ai kishte mësuar nga librat dallonte shumë nga ajo që flitej në masë.
Si njeri i cili kishte studiuar gjuhën angleze në Cambridge dhe New Castle e që merrej me studimin e letërsisë dhe të gjuhës, Hodgson e kishte vlerësuar më shumë gjuhën që flitej në popull sesa atë letrare. Kësaj të fundit në librin e tij ia jep epitetin “gjuhë e asfaltuar” me anë të së cilës nënkupton një gjuhë artificiale, e cila është ndërtuar mbi një gjuhë tjetër më të pasur dhe që shpjegonte më shumë për kulturën dhe historinë e vendit ku flitej.
“Më interesonte shumë historia e pashkruar e Kosovës. Gjuha ishte disi e pashkruar, sepse në fakt ishte pak a shumë e braktisur për komunikim zyrtar. Do të thotë se gjuha ishte e pashkruar dhe m’u duk se kjo gjuhë, e pashkruar, ishte një pjesë e historisë së pashkruar të Kosovës”, ka shpjeguar Hodgson.
Librin “E ardhmja...” Hodgson e kishte shkruar gjatë periudhës së pandemisë. Por, për t’i shkruar këto kujtime autori nuk është se kishte pasur ndonjë ditar që kishte mbajtur kur jetonte në Kosovë. E vetmja gjë që kishte nga ajo kohë ishin letrat, të cilat ai ua kishte dërguar miqve të tij e të cilat kishte arritur t’i gjente e t’i merrte përsëri.
Lidhur me mënyrën si është shkruar kjo vepër profesori i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Arsim Canolli, ka thënë se ajo i ngjan shumë një vepre antropologjike.
“Johni ndoshta s’ka qenë një sociolog apo antropolog që shkon të bëjë punë në terren, të mbledhë evidenca. Vizitat e tij te miqtë e tij, te studentët e tij nëpër Kosovë e përmbushin mjaft mirë rolin e antropologut dhe janë të rrëfyera me mjeshtëri të tillë, me stil dhe të shkurtra. Sepse ndonjëherë antropologët dinë të zgjaten, ndërsa ato janë të shkurtra por të këndshme”, ka vlerësuar Arsim Canolli, i cili gjithashtu është edhe drejtor i shtëpisë botuese “Cuneus” që e ka botuar këtë libër.
Për librin ka folur edhe profesori i gjuhës angleze në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Hamiti, i cili për një kohë tejet të shkurtër e kishte pasur edhe profesor Hodgsonin.
“Përveç kujtimeve që bëhen edhe kujtime të miat dhe jam i sigurt që gjenerata të ndryshme të njerëzve do ta lexojnë ndryshe, sepse një pjesë e tyre, e kam fjalën për studentët e mi këtu, do ta lexojnë si histori të moçme, madje të mileniumit të kaluar, ndërsa gjeneratës sime në njëfarë mënyre këto kujtime i bëhet edhe si një kullojse e kujtimeve”, ka thënë ai.
Nisur nga një shkrim të cilin profesor Hamiti e kishte shkruar disa muaj më herët ai ka konstatuar se vepra ka një karakter syzheik.
“Unë shoh këtu një kontekst syzheik. Lexuesi i kujdesshëm me një dhunti letrare e heton shpejt që libri ka ndërtim syzheik të një rrëfenje, të një vepre të njëmendtë narrative. Ka një kontroll, të mos them një manipulim narrativ, të lehtë. Ka edhe një element të humorit që është shumë i këndshëm”, ka vlerësuar Hamiti.
John Hodgson u lind në Angli në vitin 1951 dhe studioi anglisht në Cambridge dhe New Castle. Në vitet 1980 kishte dhënë mësim të gjuhës angleze në disa vende tashmë të zhdukura të Evropës Lindore si: Republika Demokratike Gjermane, Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia. Ishte Këshilli Britanik ai që e kishte dërguar në Universitetin e Prishtinës. Ka dhënë mësim edhe në universitetet e Tiranës. “Ura me tre harqe”, “Kukulla”, “Kamarja e turpit”, janë vetëm disa prej veprave të Kadaresë që i ka përkthyer në anglisht. Ka përkthyer edhe Fatos Lubonjën, e ka shkruar për Shqipërinë, Kosovën, udhëtaren britaniko-ballkanike Edith Durham dhe romancierin John Cowper Powys. Tani punon si përkthyes shqip-anglisht.