Besim Ugzmajli është lindur në Ferizaj. Ka diplomuar dhe ka bërë masterin për regji filmi në Universitetin e Prishtinës. Besimi ka realizuar disa filma artistikë, me të cilët ka fituar dhjetëra çmime ndërkombëtare në festivale të ndryshme në botë.
Disa nga filmat e fundit të tij janë prezantuar në më shumë se 70 festivale ndërkombëtare, duke u nominuar e shpërblyer në kategori të ndryshme. Filmi “Më fal” (“Forgive Me”) ka qenë pjesë e disa festivaleve të akredituara nga Akademia OSCARS dhe Goya në Spanjë. Për këtë film janë shkruar shumë kritika mjaft pozitive nga kritikë amerikanë e spanjollë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Së fundmi filmi i tij më i ri “Rruga” (The Path) ka filluar një rrugë shumë të suksesshme të prezantimit kombëtar e ndërkombëtar. Dokumentaret dhe filmat e punuar nga Ugzmajli, përveç tjerash, janë shfaqur në televizione kombëtare e ndërkombëtare. Gjithashtu, Besim Ugzmajli ka punuar 6 shfaqje profesionale në teatrin “Adriana” dhe Teatrin Kombëtar.
Ugzmajli është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Aparenca, apo më mirë të themi pamja e jashtme është bërë shqetësimi kryesor i njeriut sot. Me automatizëm njerëzit e sotshëm mendojnë së çfarë do të veshin e mbathin, varin në qafë e në duar sot, dhe asnjëherë se çfarë do të thonë, çfarë do të dëgjojnë apo mësojnë sot.
Rrjetet sociale kanë shumëfishuar natyrën e karakterit dhe identitetit njerëzor, kanë stërkompleksuar individin karshi shoqërisë dhe vetes së tij. Është krijuar një gjendje ku njerëzit nuk janë të sigurt nëse ekzistojnë, po qe se do të mbyllen rrjetet sociale. Interaksioni i individit me veten dhe rrethin ka futur rrjetet sociale si filtër dhe verdikt kryesor për të krijuar një opinion të kënaqshëm për subjektin dhe objektin në veçanti.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)