Janë perla të muzikës shqipe të njohurat këngë shkodrane dhe duket e paimagjinueshme, që “Po të jemi bashkë ne të dy”, “Turtulleshë”, “Pasha sytë” a “Porsi flutur” të shndërrohen në muzikë elektronike. Por “Shkodra Elektronike” e ka gjetur formulën dhe magjeps me stil. Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca sjellin një lloj unik të muzikës, zhanër të shpikur prej tyre e që e quajnë “Post Immigrant Pop”. Në esencë projekti i tyre është kthim në Shkodrën e tyre, e me performancën e tyre kanë elektrizuar “Autostrada Hangarin” e Prizrenit
Ka diçka specifike në atë që e luajnë Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca si grup. “Shkodra Elektronike” bashkon vijën melodike dhe vokalin e këngës popullore e qytetare me ritmet e muzikës elektronike. Nisur prej paraqitjes skenike, interpretimit dhe efekteve vizuale, krejt ka qenë njëlloj arti i veçantë bashkëkohor. I shkon për shtati pikërisht një bienaleje të artit të këtij lloji sikurse është “Autostrada Biennale”.
Kur dielli ka leshur rrezet e fundit para perëndimit, në hapësirën e “Autostrada Hangar” ka nisur parapërgatitja për festë. Me qindra metra larg është dëgjuar muzika. Madje edhe kontrolli i audios ka paralajmëruar mbrëmje me atmosferë të hatashme.
Ulëse, tavolina, dekore si ato që njihen si ‘disco ball’ e me pemët e ullirit, kanë bërë të ngrohtë ambientin në mbrëmjen e freskët ku ndeja ka zgjatur deri pas mesnate.
Ritmet e para kanë qenë ato të muzikës së mirëfilltë elektronike të interpretuar nga Adrian Berisha i “Disco Groupit”, grup i cili edhe ka zgjedhur programin e mbrëmjeve të Bienales. Bashkë me lojën me drita e krejt përgatitjet paraprake, jo rastësisht oborri i “Autostrada Hangar” u kthye në skenë të vërtetë vallëzimi. Ka kulmuar me ngjitjen në skenë të “Shkodrës elektronike”. Këngë si “Po të jemi bashkë ne të dy”, “Turtulleshë”, “Pasha sytë” e “Porsi flutur” i ka përcjellë Beatriçe Gjergji me vokalin e mrekullueshëm. Si këngë të aranzhuara rishtas, ajo dhe kantautori Kolë Laca i kanë pasuruar këngët edhe më shumë me tekst, por pa devijuar prej origjinalitetit të tyre, duke ia ruajtur edhe muzikën. Pa dallim sesa tradicionale a e lashtë tingëllon një pjesë korale e instrumentale e përfshirë në këngë, përshtatet goxha mirë me tingujt e muzikës elektronike. Tradicionalja bile ka qenë e pranishme edhe në paraqitjen e tyre, të shtunën mbrëma. Shpesh dyshja ka vallëzuar në skenë derisa Laca kishte të veshur brezin e veshjeve tradicionale.
Me zërin e saj, këngëtarja Beatriçe Gjergji ua ka shtuar efektin elektronik me zërin e saj edhe këngëve “Syrin si qershia”, “Gocë me vjollcë ti je”, “Taksirat” e “Afrohu moj vashë”. Interpretimi i saj varion prej atyre ku është improvizuar më shumë, e deri në ato ku nuk është ndërhyrë fort. Kësisoj, interpretimi i këngëve të njohura popullore, “Vaj si kenka ba dynjaja” dhe “Bishtalecat, palë-palë” kanë qenë gati po i njëjti version me ato origjinale.
Për publikun – i cili është njohur paraprakisht me “Shkodrën elektronike” edhe në edicionin e tretë të “Autostrada Biennale” dy vjet më parë – kanë zbuluar këngën e re me titull “Trakatruk”. Artistike ka qenë paraqitje skenike me një lloj vallëzimi të veçantë e interpretim i kombinuar me rap me një pjesë folklorike, derisa kantautorja Gjergji ka vallëzuar me shami. Shpesh ka zbritur dhe i është bashkuar turmës në vallëzim.
Organizatorët kanë bërë të ditur se publiku kishte kërkuar me ngulm “Shkodrën Elektronike” të interpretonte edhe një tjetër herë në edicionin e kaluar të “Autostrada Biennales” në vitin 2021, por se nuk e kishin parë të përshtatshme në ato rrethana, për shkak të masave parandaluese ndaj pandemisë.
Këngëtarja Beatriçe Gjergji, ka thënë se publiku në Prizren bëhet një me muzikën e tyre, se pritja është më madhështore dhe se janë më afër zemre me publikun në Kosovë. Ka thënë se malli për vendin e kishte shtyrë drejt interpretimit të këngëve popullore dhe përshtatjes së tyre në kohë moderne.
“Ne si shkodranë jemi rritur në familje ku krejt ditën dëgjohet këngë shkodrane. Kam pasur shumë projekte në Itali, por prapë nuk e ndiej si këtë. Kur e kam takuar Kolën, e kam kuptuar se ëndrra jonë ka qenë kjo këngë. Ka qenë malli për vendin, mallin e kulturës sonë dhe jeta në shtet tjetër. Kemi arritur në një pikë ku krejt këtë kemi pasur nevojë ta heqim prej zemre krejt këtë, kështu që ne si muzikantë e kemi bërë nëpërmjet muzikës”, është shprehur ajo.

Kantautori Kolë Laca që luan edhe në tastierë ka thënë se qëllimi është që gjeneratat e reja të zbulojnë këngën shkodrane nëpërmjet tyre. Këtë gjë e vlerëson si suksesin më të madh.
“Ideja ka qenë që të merren këto këngë, që sipas nesh, janë shumë të bukura dhe nuk kanë kohë, pavarësisht se janë të vjetra, nuk janë bashkëkohore dhe i kemi sjellë në atë të ditëve të sotme, në tingull kontemporan. Qëllimi ynë është që publiku, që shpesh na bën qejfin, të njohë këngën shkodrane së pari prej nesh”, ka thënë Laca, derisa ka njoftuar se veçse janë duke punuar në të tjera projekte të tilla.
Prejse u themelua më 2019, “Shkodra elektronike” ka interpretuar edhe dy herë të tjera në Prishtinë. Pas koncertit në “Autostrada Biennale”, grupi do të mbajë koncert në Shkodër në “Zā Festival” më 22 korrik. Më vonë, në muajin shtator do të dërgojë këngët e ripërpunuara shqipe në Vjenë, në festivalin “Waves Vienna” dhe në “Balkan: Most Festival” në Veszprem të Hungarisë.
“Projekti është formuar nga kantautori e producenti Kolë Laca dhe kantautorja Beatriçe Gjergji. Ata kanë mosha të ndryshme dhe histori të ndryshme jete dhe megjithatë, nevoja e tyre është kaq e ngjashme: gjetja e një mënyre për të shkuar në shtëpi pa marrë avion. Ata e përkufizojnë zhanrin e tyre si ‘Post Immigrant Pop’, shkruhet në ueb-faqen e dyshes së emigrantëve shqiptarë të rritur në Itali.
kishin filluar si grup projekti në vitin 2019 dhe në këtë kohë ata performuan në shumë ngjarje të rëndësishme italiane dhe shqiptare. E para ishte me rastin e hapjes së Pavijonit Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias më 2019. Më tej kishin vazhduar të thellojnë zhanrin e tyre me hapjen e ekspozitës personale në Tiranë të artistit Adrian Paci, e në edicionin e katërt të festivalit “Zā Fest” e të tjera. Në vitin 2020 filluan të publikojnë këngët e para. Kënga origjinale “Ku e gjeta vedin” ishte fituese e çmimit special në “Festivalin Lule Borë" e më tej kishin nxjerrë edhe të tjera një vit më pas si “Synin si qershia” e “Turtulleshë”.