Drejtuesit e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren, të enjten, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për kontribut të përbashkët në jetësimin e disa projekteve në zonën historike të këtij qyteti. Sipas njoftimeve të këtyre institucioneve, ky memorandum synon që të zhvillojë një platformë bashkëpunimi të ngushtë dhe efikas në mes të QRTK-së dhe DUPH-së, me qëllim të mbrojtjes, ruajtjes, rehabilitimit dhe mirëmbajtjes së karakteristikave tradicionale, historike e urbane të Qendrës Historike të Prizrenit.
“Ky memorandum përfshin bashkëpunimin e këtyre dy akterëve në: Përzgjedhjen e dy objekteve të trashëgimisë kulturore, pjesëmarrjen në komisionin vlerësues dhe organin mbikëqyrës; Gjatë kryerjes së punimeve të Jazit te Lidhja e Prizrenit, si pjesëmarrës në komisionin vlerësues dhe organin mbikëqyrës; Në procesin e hartimit të projektit të ‘Regjenerimit të Brigjeve të Lumit Lumbardhi’, ku do të përfshihen urat dhe kejët nga Ura e Marashit deri te Parku i Qytetit; dhe në hartimin e konkursit, shpalljen e konkursit dhe përzgjedhjen e përfituesit të ‘Udhëzuesit për Mobilerinë Urbane në Qendrën Historike’”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Ndërsa QRTK-ja në njoftimin e saj lidhur me ujdinë për bashkëveprim me organet komunale ka bërë të ditur se përzgjedhja e dy shtëpive, përkatësisht të familjes Arapi dhe të familjes Gjonaj, që janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje, është bërë nga ana e saj, derisa “Komuna e Prizrenit përmes Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor do të sigurojë mjetet financiare në vlerë rreth 90 mijë euro për investimin e projekteve të planifikuara, i cili do të bëhet gjatë vitit 2021”.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, pas ceremonisë së nënshkrimit ka deklaruar se “qëllimi i këtij memorandumi është realizimi i interesave të dyanshme në fushën e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit, në përputhje me kriteret, standardet dhe legjislacionin në fuqi”.
“Përzgjedhja e dy ndërtesave, ajo e familjes Arapi dhe e familjes Gjonaj, të cilat do t’i nënshtrohen procesit të restaurimit dhe konservimit, është bërë nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, marrë për bazë vlerat dhe rëndësinë e veçantë historike dhe arkitektonike që kanë ndërtesat në fjalë”, ka theksuar Hoxha.
Realizimi i këtyre projekteve, sipas drejtorit Hoxha, bëhen me qëllim të realizimit të objektivave dhe synimeve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për vitin 2021, përkatësisht për zbatimin e prioriteteve programore për ruajtjen e ndërtesave tradicionale, të cilat gjenden në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit.
Megjithëkëtë, aktivisti i shoqërisë civile, Naim Cahani, ka shprehur habinë për këtë veprim të të dyja institucioneve, pasi që, sipas tij, ligjërisht ato janë të obliguara që të bashkëpunojnë.
“Imagjinoni, dy institucionet që kanë obligim ligjor të bashkëpunojnë paskan nënshkruar memorandum të bashkëpunimit”, është shprehur ai në rrjetet sociale.
Në anën tjetër në njoftimin e Komunës së Prizrenit është rikujtuar se ky institucion vjet ka investuar në restaurimin e një shtëpie, që është pjesë e trashëgimisë kulturore.
“Ndërkaq restaurimi i këtyre shtëpive me vlera kulturore është mjaft i ndjeshëm dhe si i tillë kërkon bashkëpunim ndërinstitucional”, përfundon njoftimi.
Komuna e Prizrenit në fillim të këtij viti kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës, përmes së cilës parashihet përfshirja e arkitektëve në procesin e regjenerimit të urave dhe hapësirave përcjellëse në të dyja anët e Lumbardhit.