Ka “inskenuar” një “nënshkrim memorandumi” midis qendrës “Multimedia” që udhëheq edhe Teatrin Kombëtar të Beogradit. Komunikatën e ka quajtur “historike” dhe ka dhënë lajmin se “Teatri Kombëtar në Beograd” do të jetë nikoqir i “Javës së Teatrit Kombëtar të Kosovës”. Jeton Neziraj ka paralajmëruar edhe inskenimin e shfaqjes “Banjska-dhimbja dhe krenaria jonë” bazuar në ‘Ditarin e Banjskës’ të Milan Radoiçiqit”. Jo pak media e kanë plasuar “komunikatën”, në Serbi ka bërë bujë. Është e sata herë që kurdis gracka të tilla. Një herë më “ardhjen” e Peter Handkes në Kosovë, e një herë tjetër me “Fluturimin mbi teatrin e Kosovës”, ku do të “luante” edhe asokohe presidenti i vendit
Është një parakusht për leximin e dramave të Jeton Nezirajt. Ose qoftë edhe një e ashtuquajtur komunikatë për media: njohja e ironisë, satirës së tij. Në të kundërt, rënia në grackën e njërit prej autorëve më të inskenuar në vend është e pashmangshme. E, kështu u ka bërë vaki, për të satën herë portaleve, veçmas atyre serbe njësoj sikurse reaguesve kujdestarë. Ka “inskenuar” një “nënshkrim memorandumi” midis qendrës “Multimedia” që udhëheq dhe Teatrin Kombëtar të Beogradit.
Komunikatën e ka quajtur “historike” dhe ka dhënë lajmin se “Teatri Kombëtar në Beograd” do të jetë nikoqir i “Javës së Teatrit Kombëtar të Kosovës”. Kjo do të ndodhte në vjeshtë, “rreth datës 29 nëntor”, që njihet si “Dita e Republikës”, datë në të cilën shënohej lindja e ish- shtetit tonë të dikurshëm, të përbashkët, Jugosllavisë. “Larg vëmendjes së mediave, Memorandumi është nënshkruar sot (2 korrik) në Beograd nga drejtori i Teatrit Kombëtar në Beograd, z. Svetislav Gončic, dhe nga drejtori i Qendrës Multimedia në Prishtinë, z. Jeton Neziraj”, ka shkruar ai në “komunikatë”. Po aty, ka shkruar se “kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme, historike, që shënon një avancim të jashtëzakonshëm të raporteve kulturore mes Kosovës e Serbisë”. Jo pak media në Kosovë e Serbi e kanë botuar si lajm, kanë marrë edhe reagimet e “palëve”, pastaj ose e kanë tërhequr ose e kanë plotësuar se bëhet fjalë për ironi. Në rrjete sociale nuk ndalen uratat për këtë arritje, ose sharjet.
Në realitet, “komunikata” e Nezirajt – i cili nuk është nënshkruar poshtë, por “zyrtarizohet” nga “Multimedia” – është reagimi i tij për atë që ndodhi javën e kaluar kur shteti serb ndaloi edicionin e 11-të të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd. Por jo vetëm kaq.
“Pas shumë vjetësh konflikti të pashpresë ndërmjet dy vendeve, e sidomos pas tensioneve të javës që lamë pas, me ç’rast Qeveria e Serbisë anuloi në Beograd festivalin ‘Mirëdita, Dobar dan!’, ku po prezantohej skena artistike e Kosovës, lajmi për organizimin e Javës së Teatrit të Kosovës në Beograd përbën një sihariq dhe kapërcim revolucionar në një kohë kur shpresa për normalizim të raporteve duket se është shuar plotësisht. Kjo është një dritare e re për të ardhmen e të dyja vendeve”, shkruhet në “komunikatë”. “Komunikatës historike” i janë futur edhe deklaratat e atyre që janë bërë protagonistë.
“Jam i vetëdijshëm për peshën kulturore e politike që ka një ndërmarrje e këtillë, por jam i gatshëm t'i bart mbi supe pasojat. Është koha e fundit që dy vendet tona të shohin nga e ardhmja, dhe hapja e dyerve për një skenë teatrore të vendit fqinj është akti më civilizues i mundshëm. Nga Ministria e Kulturës në Beograd më thanë që shqiptarët nuk kanë teatër. Por ata e kanë gabim. Shfaqjet e tyre mund të mos jenë të cilësisë së lartë artistike, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ne po ua japim dorën e pajtimit, po ua ofrojmë skenën tonë që ata të prezantojnë vallet e tyre, traditën. E di që shqiptarët kanë folklor të mahnitshëm”, është cituar Svetislav Gončic, drejtor i vërtetë i Teatrit Kombëtar në Beograd. Janë zbardhur edhe prapaskenat, se “memorandumi nuk ka qenë proces i lehtë” se “negociatat janë zhvilluar për rreth dy muaj rresht, në Prishtinë dhe në Beograd”. Aty u janë dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve administrative e politike, “të cilat shpesh nuk kanë qenë edhe aq të lehta”. Neziraj ka shkruar se “mes këtyre çështjeve problematike ka qenë edhe çështja e pagesave dhe transaksioneve bankare për artistët e përfshirë. Palët janë dakorduar që pagesat për shpenzimet në Beograd të kryhen me euro, me para në dorë, ndërkohë që transferet e nevojshme nga Beogradi në Prishtinë të kryhen me dinarë serbë, por që ai pastaj do të konvertohet në euro nga Banka Qendrore e Kosovës”.
Për krejt këto, Neziraj, duke e cituar veten, ka thënë se “është thellësisht i emocionuar për këtë arritje që me plot gojën mund të them se është historike”.
“Për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar në Beograd do të prezantohen shfaqje nga Kosova. Për tri ditë me radhë Beogradi do të frymojë shqip. Kemi pasur shumë mosmarrëveshje dhe mospajtime, por të gjitha janë tejkaluar falë vullnetit tonë për kompromis. Ky është teatri, kjo është forca e teatrit”, ka cituar veten. Te programi, pos shfaqjes së tij të vërtetë e të bujshme “The Handke Project” është edhe ajo “aktorë të rinj serbë, me titullin ‘Banjska-dhimbja dhe krenaria jonë’”. “Kjo shfaqje do të realizohet nga rrëfimet e dëshmitarëve, materialet arkivore, fotografitë, xhirimet nga droni dhe do të ketë pasazhe nga libri ‘Ditari i Banjskës’ i Milan Radoiçiqit”, ka shkruar ai. Por nuk ndalet me kaq. “Ekskluzivisht për këtë rast do të prodhohet edhe një shfaqje e re. Ngjarja e saj është e vendosur në Beograd në vitet ’50 dhe rrëfen historinë e një familjeje shqiptare 43- anëtarëshe dhe zanatin e saj në fshirjen e oxhaqeve. Pas premierës, në shenjë nderimi për të gjithë shqiptarët e zellshëm që dikur kanë prerë drurë për dimër dhe kanë pastruar oxhaqet e shtëpive në Beograd, Teatri Kombëtar i Beogradit do ta ndërtojë një oxhak në formën e një obelisku”, ka shkruar ai.
Nuk është hera e parë që qendra “Multimedia” e bën këtë provokim. Por për rastin e fundit dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se është pjesë e një hulumtimi artistik.
“Metodologjia e punës përfshin edhe forma e intervenime të këtilla, të themi 'subversive', ku përmes projektimit të situatave në dukje të vërteta, testohen e analizohen reagimet e publikut, por edhe të medias”, ka thënë ai. Ka sqaruar se këto intervenime i bëjnë kryesisht për të parë e analizuar mënyrën se si reagon publiku, mediat e politika, ndaj temave të caktuara.
“Ato reagime na shërbejnë pastaj në procesin tonë kreativ. Ne, në disa raste përdorim personazhe reale, që kanë funksione publike”, ka thënë ai.
Në këtë rast ka kujtuar edhe disa provokime paraprake. Kishin paralajmëruar ardhjen e shkrimtarit austriak Peter Handke në Kosovë pikërisht në kohën kur ai u bë laureat i “Nobelit” për letërsi më 2019 dhe shpërthyen akuzat se ky çmim iu dha një mohuesi të gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë dhe po ashtu një mohuesi të viktimave civile të regjimit serb në Kosovë.
Më 2013 kishte lëshuar komunikata për shfaqjen “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” ku tregohej se kryeministri i asaj kohe Hashim Thaçi ishte kumbarë i shfaqjes, do të luante në këtë projekt dhe do të merrte pjesë edhe kur shfaqja do të jepej në Beograd.
“Ky intervenim ‘subversiv’ i yni nuk pati kaluar pa telashe. Qeveria pati provuar fuqishëm ta censurojë shfaqjen, por nuk ia doli. Kur shfaqja u dha në Teatrin Kombëtar të Kosovës, qe bërë nën masa të rrepta policore”, ka kujtuar Neziraj.