Jo çdo pianist ka në repertor Rachmaninoffin dhe jo çdokush ia del ta luajë atë siç duhet. Lidhja me veprën e tij është parakusht, zhytja në botën e tij, po ashtu. Këtë ka arritur ta bëjë mjeshtërisht pianistja Denita Dedushaj, dhe këtë ia ka njohur edhe skena botërore. Muaji i kaluar ka qenë i ngjeshur për të, prej “Carnegie Hall” të New Yorkut ka ateruar në Salzburgun e Mozartit dhe atje ka lënë dramën e pasionin e jetës. Çmimet janë dëshmi e radhës, por ka diçka përtej. Është pasioni për pianon. “Në karrierën time, këto përvoja kanë qenë një burim i madh motivimi dhe frymëzimi, duke rritur ndjeshëm pasionin tim për muzikën”, thotë Dedushaj
Në të njëjtin muaj kur interpretoi në prestigjiozen “Carnegie Hall” në New York, pianistja nga Kosova, Denita Dedushaj, ka dëshmuar talentin në Salzburg të Austrisë. Në vendlindjen e njërit prej gjenive të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozartit, zotërimi i saj në instrument e profesionalizmi janë dëshmuar me Çmimin e parë në “Grand Prize Virtuoso International Music Competition”. Pjesa komplekse e rusit Sergei Rachmaninoff – “Études-Tableaux Op. 39 No. 1” e serisë “Études-Tableaux” – është lidhja e veçantë e pianistes me veprën për shkak të fuqisë së saj shprehëse.
Kishte konkurruar edhe me “Danse – Tarantelle Styrienne” të Claude Debussy. Por juria ishte përcaktuar për Rachmaninoff. Dedushaj zgjedh vepra komplekse e dramatike, veçmas në momente të tilla që mbesin shenja të karrierës së saj në muzikë. E tillë është ajo që ka luajtur në sallën “Solitär” të universitetit të muzikës dhe arteve dramatike, “Mozarteum”.
Pianistja nga Peja ka interpretuar në sallën moderne që ka kapacitet 300 vendesh. Prapavija e saj ka qenë sipërfaqja prej xhami me parkun qendror të qytetit në sfond. Aty u ka dhënë jetë partiturave të veprës së Rachmaninoffit. Rezultati është Çmimi i parë në kategorinë e të rriturve në edicionin e 45-të të garës në Salzburg.
Pianistja Denita Dedushaj ka thënë se kjo ka qenë një nga dy veprat që ka dërguar si propozim për ta interpretuar për shkak të fuqisë dhe thellësisë emocionale që vepra përmban.
“Kjo etydë është një përzierje e jashtëzakonshme e kompleksitetit teknik dhe intensitetit dramatik që e bëjnë atë një sfidë të vërtetë për çdo pianist. Rachmaninoff ka një mënyrë unike për të kapur dramën dhe pasionin e jetës, dhe kjo etydë në veçanti është e mbushur me tension dhe dinamizëm që kërkon një interpretim të thellë dhe të ndjerë. Ndiej një lidhje të veçantë me këtë vepër për shkak të fuqisë së saj shprehëse dhe mundësive të pafundme për interpretim. Interpretimi i kësaj vepre më lejon të eksploroj dhe të shpreh spektrin e ndjenjave që përjetoj përmes muzikës”, është shprehur Dedushaj.
Vepra që ajo ka luajtur është pjesa e parë e nëntë sosh që Rachmaninoff i ka kompozuar në kuadër të serisë së dytë të “Études-Tableaux” më 1917.
Në rregullat e garës, njëra është që pikët maksimale, pra njëqind nga aq sa janë, duhet të mbërrihen nga garuesi për të siguruar Çmimin e parë. Ajo ka garuar në kategorinë “Senior”.
Dedushaj ka thënë se gjatë interpretimit, si në Salzburg edhe në New York, ka ndier se e ka transmetuar gjithë përkushtimin dhe pasionin e saj për muzikën në mënyrë autentike. Është shprehur e lumtur që vepra e Rachmaninoffit u zgjodh për ta luajtur ndërsa çmimi ka domethënie më të thellë për të.
“Çmimi në Salzburg ka një domethënie të veçantë për mua, pasi Salzburgu është një qytet që ka një histori të pasur muzikore. Si vendlindje e Mozartit dhe qendër e shumë ngjarjeve prestigjioze në botën e muzikës, Salzburgu është një simbol i ekselencës dhe ndikimit në muzikën klasike. Performanca ime në sallën e ‘Solitär’ të ‘Mozarteumit’, një nga sallat më të njohura dhe të respektuara për muzikën klasike, është një përvojë që do ta mbaj gjithmonë në mend”, është shprehur ajo.
Për të debutimet ndërkombëtare janë përvojë për t’u pasuruar artistikisht e për të kuptuar më mirë realitetin dhe kërkesat e karrierës profesionale në muzikë.
“Debutimet ndërkombëtare janë momente që shënojnë kulmin e përpjekjeve dhe përkushtimit të një pianisti, duke formësuar në mënyrë të thellë dhe të qëndrueshme rrugën e tij profesionale. Ato ofrojnë një mundësi për të vlerësuar nivelin e arritjeve dhe për të forcuar besimin në aftësitë artistike. Në karrierën time, këto përvoja kanë qenë një burim i madh motivimi dhe frymëzimi, duke rritur ndjeshëm pasionin tim për muzikën”, ka vlerësuar ajo.
Por për të këto suksese, përtej bagazhit personal, ndikojnë edhe në mënyrën se si e sheh punën e saj si mësimdhënëse.

“Më japin mundësinë të ndërlidh përvojën time të performimit me mësimdhënien, duke ndarë me nxënësit e mi jo vetëm njohuritë dhe teknikat muzikore, por edhe emocionet, sfidat, dhe përvojat e performimit në një nivel të lartë që i shoqërojnë debutimet e mëdha në skenat ndërkombëtare”, është shprehur Dedushaj, e cila punon si mësimdhënëse e pianos në shkollën e muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë.
Paraprakisht si anëtare e korit “Siparantum” ka interpretuar në Belgjikë, Slloveni, Portugali, Zvicër, Gjermani, Suedi, Kore të Jugut e së fundmi në Vjenë. Në një skenë në New York do të paraqitej për herë të parë.
Qëllimi i çmimeve të kësaj gare, sipas “Grand Prize Virtuoso International Music Competition”, është të gjendet interpretues me personalitet të fortë artistik dhe prani skenike. Se theksi nuk është vetëm në aspektin teknik të performancës, por edhe në karizmin artistik të interpretuesit.
“Qëllimi ynë është të zbulojmë artistë me personalitet të shquar dhe të japim çmime, të cilat mund të ndihmojnë në nisjen e karrierës ndërkombëtare”, shkruhet aty midis tjerash.
Më 13 korrik, Dedushaj kishte shfaqur shkathtësitë e saj edhe në skenën prestigjioze, “Carnegie Hall” në New York si fituese e Çmimit të parë në kategorinë e saj në garën ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards”.
Për Dedushajn të jetë pjesë e kësaj historie është nder. Ka thënë se atmosfera dhe energjia unike e kishin përcjellë këtë moment të rëndësishëm të karrierës së saj.
“Çdo moment në skenë është i ngarkuar me emocion dhe përgjegjësi, duke e bërë çdo notë që luan të ndihet si pjesë e diçkaje shumë më të madhe. Përveç nderit dhe emocionit, kjo përvojë më ka dhënë edhe një sens të thellë të përmbushjes profesionale dhe personale, më ka dhënë forcë dhe vetëbesim për të vazhduar rrugën time si pianiste, duke dëshmuar se ëndrrat mund të bëhen realitet kur përkushtimi është i plotë”, ka shpjeguar ajo.
Pos për të dëshmuar e sfiduar vetveten, skena ndërkombëtare për të është edhe mundësi për ta shpalosur kulturën muzikore të vendit. E ka ilustruar diferencën midis skenës vendore e asaj ndërkombëtare.
“Në raste të tilla të gjithë do të mësonim se shpesh ia bëjmë qejfin njëri-tjetrit nëpër skenat tona lokale muzikore, ku fatkeqësisht prapaskena është më e rëndësishme se vetë skena. Shpesh nuk vlerësojmë si duhet dhe kjo bën që të zhgënjehemi brenda hapësirës ku jetojmë dhe zhvillojmë profesionin. Ndoshta sfidimi në skenat jashtë vendit do të ndikonte pozitivisht për secilin për të avancuar në ambientin tonë ku profesionalizmi nuk vjen fort në dukje. Do të ishte e rrugës që këto sfida të adresohen me kohë, duke krijuar një mjedis ku artistët tanë mund të kontribuojnë dhe të zhvillohen në nivelin e tyre më të lartë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, ka thënë ajo.