Shfaqja e dokumentarit “Afër”, që dokumenton e shkon përtej koncerteve të pazakonshme të festivalit “DAM”, me një muzikant e një dëgjues, nuk ka qenë veç premierë e një projekti filmik. Është shumëfish i tillë kur dihet se esenca e tij janë koncertet që në kushte të zakonshme, zor se do të konceptoheshin në këtë format. Si dokumentar, nëpërmjet ekranit të madh në “DokuKino” të Prizrenit, ata që në tetorin e vitit të kaluar ishin pjesëmarrës në koncerte, i ka mbështjellë me të njëjta ndjenja. Për ata që s'e kanë provuar ndjesinë e koncerteve, “Afër” është rrëfimi mbi artin që ndërhyn në kohë të errëta
Këngëtares Agona Shporta, në asnjë koncert më parë, nuk i kishte ndodhur që dëgjuesi t’i kërkonte ta përqafonte pak sekonda pas koncertit, e ajo të hezitonte. Por me situatë të tillë do të përballej në kinemanë “Lumbardhi” në tetor të vitit kur mbajti një koncert që as ajo vetë s’e kishte imagjinuar që do ta jepte atë vit.
“Një dëgjues, një muzikant” u zhvillua si koncept e reagim artistik i festivalit “DAM” në kohën kur pandemia COVID – 19 përmbysi mënyrën e funksionimit në gjithë botën.
Shporta merr një falënderim që pason me fjalinë “na i kënaqe veshët”, e kur i kërkohet leje për ta përqafuar e kaplojnë emocionet, vendos të dy duart mbi kokë e lëviz me shikim hezitues kur i kujtohen rrethanat në të cilat po mbante koncert. Vendos ta përqafojë dëgjuesen e saj si pa u hetuar duke u shkëputur nga njëra-tjetra me nxitim. Këtë moment e kishte përjetuar pas interpretimit “Kalle lamën”, ku për dëgjuesen e vetme në sallë kishte ndezur edhe një qiri.
Eksperienca të ndryshme kishte përjetuar më pas edhe me dëgjuesit e tjerë gjatë projektit “Afër”, që vuri themelet në edicionin tektonik të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, e që nxori në komunikim të pazakontë muzikor duke përballur një muzikant me një dëgjues në sallë. Performanca e saj vjen e bashkëdyzuar me atë të multi-instrumentistit Visar Kuçi, eksperiencat e të cilëve nuk mund të përjetohen të shkëputura nga publiku e përjetimi i thellë i tingujve bëhet i pashmangshëm.
Performanca dhe reagimet bëhen cak për të nxjerrë ndjesi të tjera tek shikuesit e dokumentarit “Afër”. Në mes të një boshllëku rrethues, meloditë e tyre rrjedhin nëpër peizazh në dy qytete, duke u përpjekur të shfaqin një fragment të ndërhyrjes në frymën e këtij momenti.
Shporta, gjysmë viti nga seria prej dhjetë koncertesh që mbajti për një dëgjues në sallë, të hënën mbrëma ka marrë rrugën për në “Dokukino” të Prizrenit, ku nëpërmjet ekranit u është kthyer emocioneve të koncertimit të pazakonshëm.
“Ishte ndjenjë e mirë prej asaj dite kur kemi bërë xhirimet, por ishte ndjenjë e mirë që të rikthehem aty. Ishte eksperiencë e veçantë më i pa fytyrat e njerëzve se si po ndihen dhe kjo është shumë ndryshe nga eksperiencat e tjera dhe po ndikon në mënyrën se si e vazhdon performancën tënde në mënyrë shumë të mirë”, është shprehur Shporta menjëherë pas shfaqjes së premierës së dokumentarit nën regji të Leart Ramës, me koncept e ide të Dardan Selimajt.
Bashkë me kamerën që përcjell nga kënde të veçanta interpretuesen, dëgjuesin dhe mjedisin në “Afër” lidhen xhirime nga “shkretëtirat” urbane, siç u dukën qytetet në muajt e izolimit të plotë
“Sa esencial është prodhimi i hapësirave të përbashkëta kur mundësia për t’u bërë bashkë është zhdukur?”, është pyetja që ka nxitur festivalin “DAM” për të nxjerrë forma të reja të komunikimit. Dokumentari “Afër” e dokumenton pikërisht këtë nevojë esenciale. Si i tillë, ai bashkëdyzon performancat e dy artistëve për ta shndërruar si një narracion muzikor ku artistët dhe dëgjuesit ndajnë një hapësirë të përbashkët në ekran për të dëshmuar mbi një mundësi të re që u jetësua në rrethanat e pazakonta që erdhën në fillim të marsit të vitit 2020.
Multiinstrumentisti Visar Kuçi kishte renditur përballë tij disa instrumente: violinën, kitarën elektrike, atë akustike, basin elektrik, harmonikën dhe disa perkusione. Gjersa tingujt e këtyre instrumenteve janë gërshetuar me pamje të ndryshme, kur janë kthyer në kinemanë “Lumbardhi” veçmas kanë nxjerrë na pah shprehjet e fytyrës së dëgjuesve. Tingujt e instrumenteve të Kuçit janë një kalim i natyrshëm nga zëri kumbues i artistes Agona Shporta, që lundron nëpër këngë të njohura shqiptare, e efekti që krijon te publiku është më i pranishëm se kurrë më parë. Madje, në çdo shprehje fytyre, duartrokitje e deri te nevoja për ta përqafuar artisten. Kur një dëgjuese e vogël i shfaqet në sallë, ajo nis të këndojë këngën “Qengji i vogël”, gjersa buzët e saj harkohen për të krijuar një buzëqeshje të shpejtë e i lëviz ato duke kënduar tekstin bashkë me këngëtaren. “Moj dashnore” e kënduar nga Shporta ka qenë e dedikuar pikërisht për njërin prej pjesëmarrësve.
Dokumentari ka bërë që Levent Bytyçi të kthehet në emocionet që i ka dhënë interpretimi i kësaj kënge.
“Momente të tilla nuk i përjeton njeriu çdo ditë, ndoshta një herë, ndoshta dhe hiç. Ka qenë një moment shumë i bukur me e pa Agonën direkt ‘live’ dhe kënga ishte e preferuara e imja. Ishte një projekt shumë i bukur”, ka thënë Bytyçi, pas dokumentarit që në esencë ka koncertet në të cilat ai ka qenë njëri prej dëgjuesve.
“Afër” bën që meloditë të rrjedhin nëpër peizazhet e dy qyteteve dhe vijnë si një fragment i ndërhyrjes në frymën e atij momenti. Pamjet e qiellit bëhen ndërhyrja më e shpeshtë e një jete që duket sikur është pezulluar brenda ndërtesave.
“Kur kemi ardhur për të xhiruar ka qenë përvojë më pa një gjë të tillë. U kam thënë edhe këngëtarëve se do të jepja shumë gjëra vetëm të isha në vend të dëgjuesve. Ka pasur momente shumë emocionuese gjatë xhirimit të cilat janë përcjellë gjatë interpretimit dhe për këtë arsye kam dashur ta bëj një ndërthurje me njerëzit se si kanë kaluar gjatë karantinës”, është shprehur Rama pasi që ka shikuar dokumentarin “Afër”, bashkë me 30 veta në sallë.
Bashkë me kamerën që përcjell nga kënde të veçanta interpretuesen, dëgjuesin dhe mjedisin në gjysmerrësirë, regjisori Rama ka ndërfutur vazhdimisht xhirime nga “shkretëtirat” urbane, siç u dukën qytetet në muajt e izolimit të plotë. Përveçse për një koncert të veçantë, dokumentari e ngrin edhe përditshmërinë e ditëve të “zbehta” në Prizren e Prishtinë, aty ku janë bërë xhirimet.
“Zakonisht kur bëj filma, e dëgjoj shumë instinktin tim dhe mundohem që sidomos në punë të tilla ta bëj një krijim më poetik dhe ta tregoj një anë tjetër të njerëzve që e shohin, një anë që nuk e kanë vërejtur tek vetja, sidomos gjatë pandemisë që na ka rënë më meditu dhe prej dritareve tona më pa qytetin bosh”, ka thënë Rama.
Në ditën kur u shfaqën rastet e para të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë e që shpejt pasoi izolimi, festivalin “DAM” e ndanin veç dhjetë ditë nga edicioni i pesëmbëdhjetë. Me gjithë rrethanat, ai nuk hoqi dorë nga misioni për ta vazhduar lidhjen me publikun, veçse këtë e bëri duke e shtrirë aktivitetin e vet gjatë gjithë vitit.
Performanca dhe reagimet bëhen cak për të nxjerrë ndjesi të tjera tek shikuesit e dokumentarit “Afër”, i shfaqur premierë të hënën mbrëma në “DokuKino” në Prizren
“Në tetorin e vitit të kaluar kur masat sërish kanë qenë të kufizuara sidomos për ngjarjet kulturore, nuk kishim opsion tjetër vetëm të vinim në një format të koncerteve për një dëgjues dhe një muzikant. Derisa e kemi përpiluar programin e kemi menduar se duhet të dokumentohet, pasi që rreth 30 veta kanë qenë pjesë e këtij programi”, ka thënë drejtori artistik i festivalit, Dardan Selimaj.
Përmes koncerteve që vijnë si një përjetim intim, “Afër” i bën dëgjuesit pjesë aktive të koncertit. Sipas organizatorëve të koncertit, një formë e tillë do të ishte larg mendsh në rrethana normale.
“Bërja pjesë e publikut e tregon në plotni kohën në të cilën kemi kaluar, ndonëse pa tekst dhe fjalë shihet ajo nëpër të cilën kemi kaluar dhe vazhdojmë të kalojmë. Pavarësisht që është një fatkeqësi e madhe ajo nëpër të cilën po vazhdojmë të kalojmë, më vjen mirë që kemi arritur ta bëjmë pjesë të programit tonë edhe publikun, diçka që nuk do ta bënim në rrethana të zakonshme”, ka shtuar tutje Selimaj.
Përveçse në kinemanë “Lumbardhi”, projekti “Afër” gjatë nëntorit është realizuar edhe në Prishtinë. Një prej dhomave të galerisë “Paper” është bërë vendtakim i flautistes Nina Shala me dëgjuesit. Ajo për tridhjetë herë ka interpretuar veprën “Another Noise” të kompozitorit Memli Kelmendi. Dokumentari “Afër”, pas premierës në Prizren do të shfaqet më 29 mars në “Kino Armata” në Prishtinë prej orë 19:00.