Prishtinë, 8 qershor - Promovimi i veprës së një politikani që i është rikthyer letërsisë dhe shënimi i përvjetorit të autorit të “Formulës së pagëzimit” kanë qenë dy nga ngjarjet e ditës së dytë të panairit të librit “Prishtina 2017”. Ish-politikani e diplomati, Besnik Mustafaj, i është rikthyer kryeqytetit kosovar me ribotimin e romanit “Gjinkallat e vapës”, përderisa studiuesi e kritiku Behar Gjoka me një diskutim për 600-vjetorin e lindjes së Pal Engjëllit.
“Gjinkallat...” ishte botuar si tregim më 1985 e më 1993 qe botuar si roman në shqip e frëngjisht, por vepra e Mustafajt që pos tjerash paraqet edhe diktaturën në Shqipëri, tashmë vjen e rishkruar dhe, siç është thënë në promovim, me një gjuhë tjetër.
Profesori universitar e studiuesi Anton Nikë Berisha ka thënë se teksti është ai që e bën librin e jo vetëm emri i autorit. Sipas tij, lexuesit duhet të mësohen të lexojnë tekste e jo autorët.
“Në traditën tonë të studimit letrar ne lexojmë dhe flasim për autorët. Është koha nëse dikush merr vesh çka është arti i fjalës, të kalojmë nga autori tek vepra e nga vepra tek teksti”, ka thënë ai. Sipas tij, romani i Mustafajt duke u rishkruar ka përjetuar atë fazë nëpër të cilën kanë kaluar edhe veprat e shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj.
“Romani nuk është i zgjeruar, por mund të thuhet se është një roman i rishkruar. Çka ishte ajo që ndërroi? Ishte gjuha. Mënyra se si autori thotë diçka e bën romanin të rëndësishëm. Proza ose duhet të shkruhet në shqip, ose në ndonjë gjuhë tjetër. Këtu nuk është asnjë fjalë e huaj”, ka thënë Berisha. Sipas tij, Mustafaj me përkushtimin më të madh i ka hyrë përpunimit të tekstit të “Gjinkallat...”, që është promovuar të mërkurën nga shtëpia botuese “Buzuku”. (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.