Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dhjetëshja e librave mbi heshtjen

Heshtja në libër është diçka e vjetër e qesharake. Përdorimi i saj pa karar do të bëjë që lexuesi të bëhet pishman e të kërkojë paratë prapa.

Po u përdor pak, atëherë çfarë mbetet nga suspensa, misteri e drama? Në letërsi sikundër edhe në jetë, ka shumë për t’u mësuar nga ajo që është lënë pa u thënë. Për letërnxirës, heshtja është dhuratë. Pavarësisht nëse vjen në formën e personazheve të kredhura në heshtje apo atyre që angazhohen për t’i heshtur zërat që cilësohen të rrezikshëm, ka veçse pak autorë që nuk i janë qasur çështjes për ta paraqitur sa më mirë…asgjënë. Gjithnjë më ka fascinuar heshtja. Si fëmijë e adoleshente e zhurmshme, kam parë disa vetulla të harkuara kur vendosa të shkruaja temën e diplomës për trepikëshin në letërsinë moderne. Nëse do të identifikoja një tipar përbashkues në librat e renditur më poshtë, ajo do të ishte mënyra sesi lexuesit shtrëngohen të punojnë më fort kur ballafaqohen me një qetësi të papërshkueshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Titus Andronicus” nga William Shakespeare: Pasi ishte përdhunuar brutalisht, të bijës së Titusit, Lavinia, i është prerë gjuha dhe janë këputur duart ashtu që të mos e thotë se kush është përgjegjësi për sulmin. E gjymtuar dhe e zhveshur nga dëlirësia e vlertë, pafuqia e Lavinias bëhet simbol i fortë i heshtjes së grave të çnderuara.

“The Silence of the Girls” nga Pat Barker: Barker e ritregon Iliadën kryesisht nga perspektiva e Briseidës, gruaja që iu dha si trofe Akilit. Me rrëfimin në duart e saj, nuk mund të fshihesh askund nga mizogjenia e Greqisë së vjetër. Ajaksi mund të bindet se “heshtja bëhet grua”, por falë rrekjes së Barkerit që këta zëra të heshtur nga historia ne e kuptojmë se sa rezonancë moderne kanë këto rrëfime klasike në kohën e “#MeToo”.

“A Quiet Kind of Thunder” nga Sara Barnard: Kur Steffi, një memece, takon Rhysin, një nxënës i shurdhër në shkollën e saj, botët e tyre nisin të hapen. Për Steffin, prospekti i të folurit është i përshkuar me stres dhe Barnardi sjell një qëmtim të ndjeshëm të kësaj çështjeje për një audiencë të re.