Dyer të tilla tradicionale të shtëpive të moçme të Prizrenit përditë po zhduken, por Valtida Shukriu e ka shpëtuar një të tillë, të cilën jo vetëm që e ka restauruar, por për të e ka hapur edhe një kapitull të ri. Është shndërruar në instalacionin “Dera 52”, që i referohet numrit që ka mbajtur dhe si e tillë është zhvendosur në zemër të Qendrës Historike të Prizrenit. Si monument, nuk është vetëm thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë. Ka edhe mesazhe të tjera që mëton të përcjellë, si mikpritja e dashuria. Por dikujt duket t’i ketë penguar. Mëngjesin e së dielës dikush ia ka mësyrë ta heqë prej aty
Angazhimin për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të Prizrenit, autorja Valtida Shukriu e ka vijuar me realizimin e instalacionit publik të titulluar “Dera 52”. Sipas përshkrimit të ofruar, dera i kishte shërbyer njeriut mbi 200 vjet. Ndërkaq në maj të vitit 2020 ishte larguar nga shtëpia, për t’u shkatërruar. Por ajo është shpëtuar, për t’iu nënshtruar më pas procesit të restaurimit. Falë nismës së Shukriut, prej kësaj fundjave është vënë në shërbim të vizitorëve, pasi është vendosur në hapësirën publike afër Urës së Gani Tadës, si një monument për t’i treguar vlerat e trashëgimisë arkitektonike e historike të Prizrenit. Inaugurimi i kësaj dere është bërë të shtunën, me një ceremoni krejt të thjeshtë e me mesazhe të fuqishme. Por dikujt duket t’i ketë penguar. Pa u bërë 24 orë, dikush ia ka mësyrë ta heqë. Mëngjesin e së dielës Shukriu ishte befasuar për të keq. Sipas saj, dikush e kishte hapur shulin e derës, tek kishte tentuar ta nxirrte nga korniza.
“Herët në mëngjes, rreth orës 6 e 50 është konstatuar dëmtimi”, ka thënë Shukriu për KOHËN të dielën, nëpërmjet një komunikimi online. Pas kësaj që ka ndodhur, ajo mendon nëse duhet vënë kamera sigurie. Rast nuk ka hapur, shpreson të mos ketë nevojë ta bëjë këtë.
nëse sonte apo ditëve në vijim do të ndodhë sërish, do ta lajmëroj”, ka thënë Shukriu. As pas këtij rasti ajo nuk duket e zhgënjyer. “Arti në rrugë në çdo vend mund të hasë në këso problemesh. Unë nuk është që nuk i kam paraparë këto”, ka thënë Shukriu, e vendosur ta mbrojë “Derën 52”, siç e ka ruajtur për ta shndërruar në vepër në hapësirë publike. “Jam duke u munduar maksimalisht që t’i rri afër”.

“Dera 52” prej se u inaugurua nuk është vetëm vepër e autores. Është vepra e saj për publikun, për qytetarët e Prizrenit dhe për vizitorët e tij.
Artistja Luljeta Çeku, në ceremoninë e përurimit të instalacionit, ka thënë se autorja e përkushtuar për qytetin e vet ka sjellë një monument të veçantë që do të jetë në shërbim të vizitorëve dhe dashamirëve të Prizrenit. Njëherësh, ka përkujtuar se arti i instalacionit ka lindur shekullin e kaluar, duke u shoqëruar me mjaft kundërthënie, por që deri më sot është përhapur në tërë botën me vepra të shumta e të llojllojshme.
Por, sipas saj, “Dera 52” përtej artit përfaqëson edhe kujtesën kolektive.
“Kjo derë është një memorie kolektive. Unë jam rritur në një oborr me po këso dere. Dhe kjo do të jetë një derë që do të qëndrojë përgjithmonë, ngase veprat e këtyre artistëve që bëjnë instalacione nuk jetojnë gjatë. Ato jetojnë përkohësisht se formohen prej materialeve të ndryshme, por ka edhe vepra që qëndrojnë. Dhe vepra e Valtidës do të qëndrojë përgjithmonë dhe kjo është më e bukura, sepse dera ka simbolikën e vet, përpos që ajo paraqet një derë të një shtëpie, e shtëpia ka një histori, ka një jetë, ajo ka edhe shumë simbole të tjera, të cilat të gjithë i dimë, është inspirim për të gjithë krijuesit”, ka thënë Çeku.
Ndërsa artisti tjetër, që vite më parë kishte drejtuar edhe Këshillin për Trashëgimi Kulturore të qendrës së Prizrenit, Arbnor Morina, ka vlerësuar se ky instalacion është edhe një dëshmi e larmisë së trashëgimisë kulturore që ka Prizreni.
“Ne si qytet, po mendoj Prizreni, është si të themi si një bashkim elementesh, si një mozaik me qindra copëza brenda edhe formohet një kompozim. Për ne dera ndoshta nuk e ka pasur vëmendjen e duhur, sepse ne derën e kemi parë si një mjet për me mbyll ose për me çelë, edhe fatkeqësisht shumë dyer të vjetra kanë humbur në qytetin e Prizrenit. Dhe ky instalacion sot prej Valtida Shukriut na tregon që ne duhemi me pasë një vëmendje edhe më të madhe për llojllojshmërinë e trashëgimisë sonë kulturore në Prizren”, ka deklaruar Morina.
“Dera 52”, sipas prezantimit në instalacion, është derë tradicionale e qytetit të Prizrenit, e cila është ndërtuar nga druri i pishës, dhe pjesët e saj janë të lidhura përmes bagllamave të hekurit, të farkuara nga farkëtarët e qytetit. Në vete ka aksesorët: çekiçin, që shërben si zile, dhe dorëzat për ta hapur dhe mbyllur derën. Prapa derës është bllokuesi – shuli- në formë të gjarprit, që në traditën e qytetit simbolizon mbrojtësin e shtëpisë, dhe në të është gdhendur simboli Ylli i Davidit.
Në anën tjetër, autorja Shukriu ka shprehur mirënjohjen për të pranishmit që kanë marrë pjesë në hapjen e derës 48, që ka bërë bashkë shumë gjenerata, respektivisht derën 52 si numri i fundit që e ka mbajtur kjo derë. Po ashtu, ka uruar që dera t’i unifikojë prizrenasit për ta bërë një qytet sa më të mirë.
“Le të jetë kjo derë e bashkimit të qytetarëve të Prizrenit që të jemi më aktivë, që zëri ynë të dëgjohet aty ku duhet, edhe ta bëjmë një qytet sa më të mirë, për me jetu sa më mirë. Përndryshe, dera le të jetë e mikpritjes për të gjithë ata që vijnë dhe e vizitojnë qytetin e Prizrenit, dhe në fund le të jetë derë e paqes dhe e dashurisë, sepse vetëm me dashuri ne mundemi me qenë bashkë edhe me jetu në këtë qytet”, ka thënë Shukriu.
“Dera 52” është vazhdimësi e punës së Valtida Shukriut mbi ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit.
Në vitin 2019 është publikuar katalogu i titulluar “Prizren doors”, si një përmbledhje me fotografi të 24 dyerve të vjetra të realizuara për “EC Ma Ndryshe” nga Valtida Shukriu, derisa edhe shumë fotografi të tjera janë të prezantuara në profilin e rrjeteve sociale “Prizren’s doors and windows”, të cilin e ka krijuar dhe e menaxhon kjo autore.